LIVE: Votat e diasporës, KQZ jep detajet: Në 99% të rasteve mungojnë zarfet B - ja kur mund të mbyllet numërimi

Shqipëria

LIVE: Votat e diasporës, KQZ jep detajet: Në 99% të rasteve mungojnë zarfet B - ja kur mund të mbyllet numërimi

Më: 11 maj 2025 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 08:18 më 11.05.2025
Kuti të votimit

QV në Vlorë nuk hapet për shkak se kryetarit të komisionit i vdiq e ëma! Qytetarët presin në radhë për të votuar

Një qendër votimi në Vlorë nuk është hapur akoma, sepse kryetari i komisionit ka humbur mamanë.

Gazetari Enrik Mehemti raporton për News 24 se qytetarët po presin në korridoret e qendrës së votimit për të ushtruar të drejtën e votës.

Gjithashtu procesi i votimit në qendrën e votimit 44/71/2 në Vlorë nisi sot me vonesë, për shkak se dy komisionerë u larguan për arsye familjare.

Sot do t’u drejtohen kutive të votimit 3.7 milionë shqiptarë, të cilët do të zgjedhin 140 përfaqësuesit e tyre në parlament. Procesi i votimit pritet të përfundojë në orën 19:00.

Risi në këto zgjedhje parlamentare është vota e diasporës, ku për të zgjedhur për Parlamentin e ri janë regjistruar 245.935 emigrantë shqiptarë.

Në garë për të siguruar shumicën e 140 ulëseve në Kuvendin e ri, janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura.

Çdo subjekt garon me 186 kandidatë në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur.

Koalicioni Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore i drejtuar nga Sali Berisha

Lëvizja Bashkë e drejtuar nga Arlind Qori

Lëvizja Atdheu e drejtuar nga Kreshnik Osmani

Koalicioni Euroatlantik i drejtuar nga Endri Hasa

Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga Edi Rama

Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet e drejtuar nga Adriatik Lapaj

Aleanca Kombëtare Shqiptare e drejtuar nga Elena Kocaqi

Aleanca Demokracia e Re e drejtuar nga Edmond Stojku

Koalicioni Djathtas për Zhvillim i drejtuar nga Dashamir Shehi

Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj

Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Tom Doshi

Nuk nis procesi i votimit në disa zona të thella të Shkodrës! Komisionerët s’janë paraqitur ende në QV për shkak të terrenit të vështirë dhe largësisë!

Në qarkun e Shkodrës, në zonat e thella malore të Dukagjinit, Kelmendit, Pukës dhe Fushë-Arrëzit, ende nuk ka nisur procesi i votimit.

Komisionerët në disa qendra votimi ende nuk kanë mbërritur.

Për shkak të largësisë dhe terrenit të vështirë, procesi zgjedhor ka nisur gjithmonë me vonesë në këto zona.

Në këto zgjedhje parlamentare 11 subjekte politike me 2 mijë e 46 kandidatë do të jenë në garë për 140 ulëse në Kuvend.

1. -Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore
2. Partia Lëvizja Bashkë
3. Lëvizja Atdheu
4. Koalicioni Euroatlantik
5. Partia Socialiste
6. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet
7. Aleanca Kombëtare Shqiptare
8. Aleanca Demokracia e Re
9. Koalicioni Djathtas për Zhvillim
10. Partia Mundësia
11. Partia Social Demokrate

Hapet me vonesë një qendër votimi në Berat, të moshuarit hasin vështirësi

Në qarkun e Beratit, një qendër votimi është hapur rreth 20 minuta me vonesë. Shkak është bërë mungesa e energjisë elektrike, duke vonuar kështu nisjen e procesit zgjedhor.

Gazetarja Anila Sefa raporton se të moshuarit e këtij qarku po hasin disa vështirësi, pasi nuk orientohen dot tek fleta për të parë emrat.

Probleme të vogla raportohen me emrat e votuesve të cilët nuk gjejnë emrat në qendrat e mëparshme, teksa ndihmohen nga anëtarët e qendrave të votimit.

KQZ: Hapat që ndiqen për të votuar, mundësi edhe për qytetarët me pasaportë e ID të skaduar

Shqipëria voton sot për zgjedhjet parlamentare ku të drejtë vote kanë 3,713,761 qytetarë shqiptarë, brenda e jashtë vendit, nga të cilët 114,642 të rinj i drejtohen për herë të parë kutive të votimit.

Për të kontrolluar emrin në listën e zgjedhësve dhe qendrën e tyre ku votojnë, qytetarët kanë tre mundësi; pranë njësisë së tyre administrative, nëpërmjet aplikacionit KQZ si dhe në faqen zyrtare të KQZ: kqz.gov.al.

Gjithashtu, qytetarët mund të gjejnë adresën e qendrës së tyre të votimit edhe përmes shërbimit elektronik “Kërkimi i qendrës së votimit (QV)” në platformën e-Albania.

KQZ ka publikuar mënyrën e votimit nga qytetarët, që nga identifikimi elektronik, një sistem që garanton që secili të ushtrojë të drejtën e votës vetëm një herë dhe vetëm në qendrën ku është i regjistruar.

Qytetari mund të votojë për subjektin zgjedhor dhe gjithashtu mund të votojë vetëm njërin nga kandidatët e po atij subjekti.

Në zgjedhjet e sotme parlamentare do të kenë mundësi të votojnë edhe ata qytetarë të cilëve u kanë skaduar dokumentet e identifikimit. Qeveria mori vendim për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë të dokumenteve të identitetit, të cilave u ka skaduar ose u përfundon ky afat në datë 11 Maj 2025, për shtetasit me vendbanim brenda territorit të Shqipërisë.

Hapat për të votuar:

Paraqitu në Qendrën e Votimit me dokumentin e identitetit, pasaportë ose letërnjoftim.

Trego dokumentin e identitetit përpara Komisionit të Qendrës së Votimit.

Komisioni i Qendrës së Votimit do të skanojë dokumentin tuaj të identitetit nëpërmjet Pajisjes së Elektronike të Identifikimit dhe më pas nënshkruaj duke lënë shenjën e gishtit.

Merr fletën e votimit dhe sigurohu që të jetë e vulosur me dy vula, në faqen që nuk janë të shënuara subjektet zgjedhore.

Shko i vetëm në dhomën e fshehtësisë bashkë me fletën e votimit Shëno me shenjën X ose + brenda kuadratit të bardhë përbri preferencës tënde, në fletën e votimit.

Palos fletën e votimit në dhomën e fshehtësisë, në mënyrë që zgjedhja juaj të mos

identifikohet dhe të paktën një nga vulat të jetë e dukshme.

Hidh fletën në kutinë e votimit dhe largohu nga Qendra e Votimit.

Procesi i votimit si dhe më pas edhe i numërimit do të monitorohet nga vëzhgues afatshkurtër dhe afatgjatë, vendas dhe të huaj.

Probleme në një qendër votimi në Sarandë, posteri i Agron Shehajt 150 metra afër godinës, kërkohet të hiqet

Në Sarandë ka nisur procesi i votimit me përjashtim të Qendrës së Votimit 4664 në qendër ku refuzohet të hapet procesi.

Kjo ndodhi pasi më afër se 150 metra ndodhet një poster i Agron Shehajt.

Është njoftuar KZAZ si dhe policia që të largohet posteri.

Çudira shqiptare/ Qendra e Votimit në Berat pa drita, nuk nis procesi i votimit

Një Qendër Votimi në shkollën “Shyqyri Lakra” në Berat nuk ka drita.

Ende nuk ka nisur procesi i votimit, edhe pse qytetarët janë paraqitur për të votuar.

Probleme me pajisjet në qendrat e votimit në Shëngjin

Në qarkun e Lezhës janë shënuar disa problematika lidhur me procesin e votimit.

Gazetari Martin Marku raporton se disa qendra votimi kanë hasur problematika përsa i përket pajisjeve.

“Ka disa problematika të vogla sa i përket pajisjeve të identifikimit, tek shenjat e gishtërinjve për disa nga votuesit, por deri më tani po vijon normalisht e nuk ka problematika. U bë zgjidhja e shpejtë.”, raporton gazetari.

Mosha e tretë, probleme me votimin elektronik, qytetari: E vështirë për ne…

Në njësinë nr. 10 në Tiranë  votohet në mënyrë elektronike. Mosha e tretë ka hasur probleme me këtë mënyrë votimi, ku ky qytetar është rikthyer edhe njëherë për të përfunduar procesin.

Më andej gazetarja e Klan News, Erikleda Dorezi shprehet se zotëria është rikthyer edhe njëherë pasi e ka lënë përgjysëm procesin e votimit dhe në atë mënyrë vota e tij ishte e pavlefshme.

“Shumë e lehtë, por për moshën e tretë është shumë e vështirë, sepse dalin vetëm siglat e partive dhe nuk dalin emrat aty të kandidatëve. Duhet të shtypësh butonin siç na orientuan edhe çdo gjë është në rregull. Ju urojmë suksese!”,shprehet një qytetar i moshës së tretë në njësinë 10 ku votohet elektronikisht.

Sarandë, disa qendra votimi ende të pahapura

Gazetarja Glidona Daci raporton se disa qendra votimi në Sarandë ende nuk janë hapur për qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e votës. Arsyeja qëndron për faktin se nuk është arritur të aktivizohen kamerat e sigurisë.

Kujtojmë se qendrat e votimit në pjesën më të madhe të vendit janë hapur që në orën 7 të mëngjesit.

Shqipëria voton! OSBE vëzhgon nisjen e procesit në Pogradec

OSBE po vëzhgon nisjen e procesit në qytetin e Pogradecit.

3,713,761 shtetas shqiptarë brenda dhe jashtë vendit votojnë për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm.

Në këto zgjedhje parlamentare, do të garojnë 2046 kandidatë për deputetë, që përfaqësojnë 11 parti dhe koalicione zgjedhore.

Kësaj radhe, në asnjë qark të vendit, nuk konkurron asnjë kandidat i pavarur.

Vetëm në njësinë 10 në Tiranë dhe në bashkinë Vorë, do të votohet dhe numërohet në formë elektronike.

Për herë të parë në këto zgjedhje votojnë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat