Specialisti i zgjedhjeve Gerti Shella ngriti alarmin për nivelin e ulët të pjesëmarrjes në zgjedhje, duke e cilësuar këtë fenomen si një simptomë të qartë të sëmundjes së demokracisë shqiptare.
"Pjesëmarrja është shumë e ulët, është një simptomë e sëmundjes së demokracisë shqiptare. Ne nuk mundëm dot as të arrijmë në atë pjesëmarrjen shumë të diskutuar të zgjedhjeve të fundit të 25 prillit që ka qenë 49.ca % e totalit të votuesve.
Nuk arritëm dot të rikuperojmë atë që e quajmë një mini revolucion të votës së diasporës, edhe pse pritet të shtohet gjithsesi në shifrat e pjesëmarrjes, por në vetvete Diaspora, pra gjysma e votuesve janë praktikisht jashtë kufinjve të territorit, referuar shifrës së zgjedhjeve të fundit.
Ata patën një regjistrim të rrumbullakosur 250 mijë, prej të cilëve +170 mijë zarfa kanë mundur të mbërrijnë aktualisht. Dy dërgesat e fundit kanë qenë mos gaboj para dy orësh.
Pjesëmarrje shumë e ulët, simptomë e sëmundjes së demokracisë dhe mendoj se do të jemi në pozitën kur praktikisht jo vetëm Kuvendin por edhe qeverinë ne po na e përcakton pakica në mënyrë kronike", u shpreh Shella për "Ora News".