Berisha: Rezultati i zgjedhjeve, i diktuar nga krimi

Shqipëria

Berisha: Rezultati i zgjedhjeve, i diktuar nga krimi

Më: 19 qershor 2025 Në ora: 15:42
Foto ilustrim

Sali Berisha iu rikthye angazhimit publik, duke shpjeguar arsyen e mungesës prej katër ditësh.

“Jam transparent, nuk bëj si ai tjetri. Unë, një ditë po pata problem shëndetësor, njoftoj publikun. Kisha gjendje virale që kaloi pa asnjë ndikim të veçantë.”

Edhe në këtë dalje, kryedemokrati vijoi akuzat për atë që e cilëson farsë elektorale.

“Denoncoj me forcën më të madhe kartelët e drogës dhe implikimet e tyre, nën drejtimin e Edi Ramës, në farsën elektorale të 11 majit.”

Shënjestra e radhës ishte deputeti i zgjedhur në qarkun e Durrësit, Arkend Balla.

“Përfaqësuesi i këtij karteli dhe i Edi Ramës, Arkend Balla, i parashikuar si ministër i Brendshëm, njeriu që mori 5200 vota më shumë se Edi Rama në qarkun e Durrësit, është i lidhur shpirtërisht dhe financiarisht me këtë kartel. Famozi Arkend Balla ka qenë i punësuar në kompaninë Nisatel. I punësuari Arkend Balla në këto kompani, siç e shihni, nuk është pra rastësisht deputeti më i votuar, sepse është deputeti më i investuar i klanit Troplini.”

Rinumërimin e votave ai e sheh në kuadër të transparencës për kandidatët e opozitës, duke ripërsëritur se Partia Demokratike nuk do t’i njohë zgjedhjet e 11 majit.

“Deklaroj edhe njëherë se rezultati i këtyre zgjedhjeve, të bazuara në krimin, drogën dhe farsën, nuk do të njihet kurrë. Numërimi i votave është kërkesë e kandidatëve e mbështetur nga PD për transparencë. Nuk është një kërkesë primare e PD, jo dhe jo, ta ketë të qartë çdo njeri. Kërkesa e PD ka të bëjë me legjitimitetin e zgjedhjeve.”

Në mbyllje të konferencës, ai paralajmëroi se e premtja do të rezervojë lajme të veçanta lidhur me manipulimet e zgjedhjeve, sipas tij, të 11 majit.

“Nesër lajm edhe më të veçantë. Do shihni ju… pastaj mos harroni se nuk ka filluar me fol laptopi.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat