Data 31 korrik shënon përmbylljen e afatit të fundit për subjektet që janë të vendosura në hapësira publike përgjatë akseve rrugore kombëtare për të liruar ambientet vullnetarisht. Kryeministri Edi Rama ka theksuar se pas këtij afati, do të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj çdo shkelësi.
“31 Korriku afati i fundit për lirimin vullnetarisht të hapësira nga subjektet e vendosura pranë akseve kombëtare të cilat janë kthyer në rrezik për sigurinë rrugore. Penalizime për të gjithë ata që refuzojnë të zhvendosen,” deklaroi Rama.
E njëjta thirrje u përsërit edhe nga zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një inspektimi në segmentin rrugor Kamëz-Laç. Ajo theksoi se kjo nismë është pjesë e një reforme që do të zbatohet në të gjithë territorin e vendit.
Balluku bëri apel për bashkëpunim nga ana e qytetarëve dhe u shpreh se reformat do të ecin përpara pa u ndalur:
“Do të ketë penalizim për ata që kryejnë shkelje. Kjo është një reformë e thellë, është shtrirë kudo, që nga tendat, parkingjet, e duke shkuar deri në akset kombëtare të shtrira nga veriu në jug. Kjo reformë do shkojë deri në fund dhe ne kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve pasi indicet vijnë nga ata,” tha ajo.