Kaloi ilegalisht kufirin me një automjet të mbushur me produkte ushqimore pa faturë, kapet në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe arrestohet 53-vjeçari i dyshuar.
Aksioni u krye në zonën kufitare të Shishtavecit, teksa shërbimet hasën duke qarkulluar në fshatin Pakisht, automjetin kamionçinë me drejtues shtetasin S. V.
“Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan produkte ushqimore, pa faturë”, bëri me dije policia.
Në përfundim të veprimeve hetimore, uniformat blu i vunë prangat 53-vjeçarit banues në Rahovec, për veprat penale “kalimi i paligjshëm i kufirit” dhe “kontrabanda me mallra të tjera”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.