Tronditet Shqipëria/ Vritet me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit - policia jep detaje

Shqipëria

Tronditet Shqipëria/ Vritet me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit - policia jep detaje

Nga: Bota sot Më: 6 tetor 2025 Në ora: 16:29 Përditësuar në ora: 19:17 më 06.10.2025
Astrit Kalaja

Ky është autori që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit

Media ka siguruar fotografinë e Elvis Shkëmbit, autorit të dyshuar të vrasjes me armë zjarri të gjyqtarit Astrit Kalaja brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë.

Autori i arrestuar mësohet se ka qëlluar tri herë mbi qytetarin. Në këtë ngjarje të rëndë mbetën të plagosur edhe dy qytetarë të tjetër, babë e bir. Njëri nga të cilët ka marrë një plumb në krah, tjetri një plumb poshtë brinjës. 

Kalaja ishte prej 12 vitesh gjyqtar në Gjykatën e Apelit. Në dhjetor 2019 ai u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Vlerësimit, pas procesit të vetingut, shkruan A2 CNN.

Image
Elvis Shkëmbi

Policia tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, brenda ambienteve të gjykatës. Autori i dyshuar është Elvis Shkëmbi, 30 vjeç. Sipas policisë, ky i fundit ka qëlluar në drejtim të gjykatësit dhe palës tjetër në proces, Rakip dhe Ervis Kurtajt, babë e bir, përkatësisht 65 dhe 45 vjeç.

“Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur  kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit”, tha policia.

Gjithashtu janë sekuestruar kamerat e sigurisë në gjykatë për të parë si është futur me armë autori, ndërsa po merren në pyetje edhe punonjësit e sigurisë të gjykatës

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, krimi jehonë në mediat ndërkombëtare

Mediat e huaja i kanë bërë jehonë krimit në Gjykatën e Apelit, ku u vra me armë zjarri gjatë seancës gjyqtari Astrit kalaja.

The Guardian: Gjyqtari i vrarë në të shtëna me armë në sallën e gjyqit në Shqipëri

Një burrë hapi zjarr në një sallë gjyqi në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, të hënën, duke vrarë gjyqtarin dhe duke plagosur dy persona të tjerë, tha policia. Personi i armatosur iku nga vendi i ngjarjes, por u arrestua më vonë.

Sipas policisë, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua brenda sallës së gjyqit nga një i dyshuar 30-vjeçar me inicialet E. Sh. Kalaja vdiq ndërsa po transportohej në spital.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje rreth ndonjë motivi apo natyrës së çështjes që po dëgjohet. Lista e çështjeve që gjendet në faqen e internetit të gjykatës i referohej një prone…

AP News: Gjyqtari qëllohet për vdekje në sallën e gjyqit në Shqipëri, ndërsa personi i armatosur arrestohet pasi u arratis

Një gjyqtar në gjykatën e apelit të Tiranës u qëllua për vdekje të hënën nga një burrë i përfshirë në një gjyq, tha policia në Shqipëri. Personi i armatosur iku nga vendi i ngjarjes, por u arrestua më vonë.

Gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua brenda sallës së gjyqit nga një i dyshuar 30-vjeçar me inicialet E. Sh., sipas policisë. Kalaja vdiq ndërsa po transportohej në spital…

Ballkan Insight: Gjyqtari qëllohet për vdekje në sallën e gjyqit në Shqipëri

Gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje gjatë një seance dëgjimore në Gjykatën e Apelit në Tiranë, duke shkaktuar reagime të tronditura nga udhëheqësit politikë.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, dy persona të tjerë u plagosën në sulm. Policia ende nuk ka komentuar mbi motivin e të shtënave ose se si arma u kontrabandua përmes sistemit të sigurisë së gjykatës…

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon SPAK: Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente…

Prokuroria e Posaçme ka dënuar ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja dhe plagosje e dy qytetarëve të tjerë në sallën e gjyqit ditën e sotme, në Gjykatën e Apelit.

SPAK ka shprehur ngushëllimet për familjen e gjyqtarit të vrarë, teksa e konsideron aktin e rëndë si një nevojë emergjente për të rritur sigurinë nëpër gjykata.

“Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme”, thekson SPAK.

Reagimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë. I shprehim ngushëllimet tona familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm.

Gjithashtu, shprehim solidaritetin tonë me të gjithë gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, të cilët përballen çdo ditë me sfida të mëdha në kryerjen e detyrës.

Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme.

Vrasja e gjykatësit Astrit Kalaja, policia ndalon punonjësin e sigurisë! Ishte përgjegjës për skanerin në hyrjen e institucionit

Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, Policia e Shtetit ka ndaluar punonjësin e sigurisë së gjykatës së Apelit.

Ky i fundit, ishte përgjegjës për skanerin e sigurisë në hyrjen e institucionit.

Dyshime të forta u ngritën në lidhje me këtë aspekt të sigurisë, pasi autori Elvis Shkambi arriti të fusë një pistoletë në sallën e gjyqit, me të cilën vrau gjyqtarin Astrit Kalaja.

Përveç tij u plagosën edhe dy persona të tjerë që ishin palë në gjyq me autorin.

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, reagon Rama: Agresioni mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e sotme në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku Ervis Shkambi qëlloi për vdekje gjyqtarin Astrit Kalanë dhe plagosi dy të tjerë, me të cilët ishte në proces gjyqësore për çështje pronësie.

Rama i ka shprehur ngushëllimet familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja, ndërsa ka kërkuar masë maksimale ndaj agresorit.

“Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë shprehet se kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike.

Ndër të tjera, kryeministri thekson se “kjo ngjarje tragjike është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme!”

Reagimi i plotë

Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe🙏

Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit.

Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit!

Ndërkohë, kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme!

Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore🙏

OSBE dënon vrasjen e gjyqtarit Kalaja: Sulm ndaj shtetit të së drejtës

Misioni i OSBE-së ka dënuar ngjarjen e rëndë që u regjistua ditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja. OSBE thekson se këto akte janë sulme ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.

“Prezenca e OSBE-së dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.

Ndërsa rrethanat e plota të sulmit janë ende nën hetim, ne mirëpresim arrestimin e shpejtë të autorit të dyshuar dhe theksojmë rëndësinë e garantimit të vendosjes së drejtësisë përmes një procesi ligjor të plotë e të shpejtë.

Prezenca solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë përpjekjet që forcojnë sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor,” thuhet në reagimin e OSBE-së.

U qëllua për vdekje në sallën e gjyqit, kush ishte gjyqtari Astrit Kalaja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së hënës ku në Gjykatën e Apelit, gjyqtarie Astrit Kalaja u qëllua për vdekje.

Sipas burimeve, autori Elvis Shkambi qëlloi me armë zjarri në sallën e gjykatës, duke lënë të vdekur gjyqtarin dhe duke plagosur dy persona të tjerë, babë e birë.

Kush ishte Astrit Kalaja?

Astrit Kalaja ishte anëtar i zgjedhur për të tretën herë në Kolegjin Zgjedhor.

Ai ka lindur në qytetin e Shkodrës dhe u diplomua në vitin 1993 në fakultetin e Drejtësisë. Sapo mbaron studimet me titullin “Jurist”, emërohet në detyrën e gjykatësit në rrethin e Shkodrës.

Shtatë vitet e fundit ushtron detyrën e anëtarit të gjykatës së Apelit, çka e dërgon në 18 numrin e viteve që e lidhin me sistemin e drejtësisë. Në kuadër të procesit të Vettingut, ai u rikonfirmua në detyrë dhjetor të 2019.

“Akt i shëmtuar dhe kriminal”- Berisha për vrasjen e gjyqtarit Kalaja: Krimi kontrollon rendin, kërkoj dënim maksimal për autorët

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit, duke e cilësuar ngjarjen si një akt kriminal të shëmtuar dhe dëshmi të pasigurisë në vend.

Ai kërkoi dënimin më të rreptë për autorin dhe çdo porositës të përfshirë në këtë ngjarje tragjike, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e gjyqtarit.

Reagimi i Sali Berishës:

Ekzekutohet me armë zjarri gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja.

Mediat njoftojnë se një person i armatosur ka qëlluar me armë zjarri sallen e gjyqit, në detyrë, gjyqtarin e Apelit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën nga plagët brenda pak kohe.

Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në sallen e gjyqit , dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend.

Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë.

Presidenti Begaj reagon për vrasjen e gjyqtarit Kalaja: Sulm makabër ndaj drejtësisë, akt i patolerueshëm

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, reagoi pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda Gjykatës së Apelit, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të patolerueshëm dhe sulm ndaj vetë sistemit të drejtësisë.

Ai shprehu ngushëllimet për familjen e gjyqtarit dhe solidaritetin e tij me kolegët dhe gjithë sistemin gjyqësor.

Reagimi i presidentit Begaj: 

Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e pa tolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja.

Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale.

Në emër të shtetit i gjendem pranë familjes së të ndjerit dhe kolegëve të tij të afërt e të largët, si dhe shpreh solidaritetin e plotë të shqiptarëve me dhimbjen e pakufishme për humbjen.

“Po humbja gjyqin!”- Elvis Shkambi pranon vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, çfarë deklaroi në Komisariat

Elvis Shkambi, autori i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja, ka pranuar krimin në Komisariatin Numër 1.

Ai ka pranuar vrasjen, ndërkohë që ka thënë se e ka qëlluar gjyqtarin pasi po humbiste një çështje për pronat.

“E qëllova sepse po humbisja një gjyq. Isha korrekt me letrat e mia”, ka dëshmuar ai në Komisariatin Numër 1.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat