Shehu: Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet një e vërtetë e hidhur dhe njollë e zezë për vendin!

Shqipëria

Shehu: Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet një e vërtetë e hidhur dhe njollë e zezë për vendin!

Më: 24 tetor 2025 Në ora: 11:08
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, e cilësoi raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit një njollë të zezë për Shqipërinë dhe një e vërtetë e hidhur që konfirmoi denoncimet e kryetarit Sali Berisha.

Me anë të një postimi në profilin e tij në rrjetin Facebook, ligjvënësi vë në dukje se standardet u rrëzuan dhe tani vendi ndodhet në autokraci dhe diktaturë moderne.

Postimi i plotë i Tritan Shehut në Facebook:

“Raporti final OSBE-ODHIR, një e vërtetë e hidhur, që konfirmon Berishën!

Reflektim duke lexuar atë Raport. Një njollë e zezë ai Raport për historinë demokratike të Shqipërisë, e cila mbështetet mbi zgjedhjet e lira. Dhe ky parim a standard u rrezua, pra demokracia quhet autokraci apo diktaturë moderne. Qe nga ky çast, nivel vlerësimi, shpalosje e kësaj të vërtete të errët, rregullat e lojës ndryshojnë.

E vërteta kërkon vënien në lëvizje të opinionit të gjerë qytetar, kërkon një lëvizje popullore për t’ju kundërvënë regjimit. Kjo e vërtetë e hidhur e konfirmuar u certifikua jo vetëm në deklarata të organizmave partiake, që i paraprinë, por dhe në atë Raport Final. Raport ai qe jo vetëm sanksionon tragjedinë e demokracisë sonë por dhe… Rolin, qendrueshmërinë, vendosmërinë, tejpamjen e Berishës, si shtytësi, kontribuesi, argumentuesi, qe çoi në shpalosjen e kësaj të vërtete. Berisha përsëri, si shumë herë të tjera realizoi edhe këtë mision të tij, duke bërë që dhe PD të qëndrojë “drejt” përpara një realiteti të vështirë.

Ku do të shkojmë nesër?

Kjo është akoma një pyetje më shumë të panjohura, nqs nuk do të kuptohet qartë mesazhi i atij raporti.

Përgjigja tashmë nuk i takon vetëm PD, por shumë më gjerë, i takon dhe qytetarëve, njerëzve në tërësi në reagimin e tyre ndaj deformimit të thellë të demokracisë. Të kërkosh, të insinuosh, që Berisha me gjithë dimensionet e tij, duhet të rikthejë votën e lirë në afate ultimative, me lëvizje detyruese për atë, nuk është së paku as racionale, as reale e as e dobishme.

Berisha duhet përshëndetur thellësisht për atë, që parashikoi e ndihmoi fuqishëm në pak muaj, duke nxjerrë në “dritën e diellit” të vërtetën e këtij vendi.

Ai tashmë duhet mbështetur e inkurajuar me të gjitha forcat për të shtyrë përpara misionin e tij dhe të PD në ndalim të revanshit të regjimit. Mision ky i vështirë, por i realizueshëm me përfshirjen e të gjithëve”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat