Preokupimet amerikane mbi demokracinë dhe drejtësinë në Shqipëri

Shqipëria

Preokupimet amerikane mbi demokracinë dhe drejtësinë në Shqipëri

Beqir Sina, New York Nga Beqir Sina, New York Më 5 dhjetor 2025 Në ora: 07:50
Edward P. Joseph

WASHINGTON D.C.: Më 2 dhjetor 2025, nën drejtimin e Kryetarit Keith Self, Nënkomiteti për Evropën mbajti dëgjimin “Flashpoint: Një rrugë drejt stabilitetit në Ballkanin Perëndimor” në Dhomën 2172, RHOB. Protagonistët e kësaj seance dëgjimore përfshinë: Max Primorac nga Heritage Foundation, Luke Coffey nga Hudson Institute dhe Edward P. Joseph nga Johns Hopkins SAIS, të cilët diskutuan sfidat rajonale.

Kjo seancë u mbajt në një kohë kur Ballkani mbetet në fokus të politikës ndërkombëtare, ndërsa Shqipëria ka tërhequr vëmendje të veçantë në Kongresin Amerikan. Për herë të parë që nga viti 2013, kur Edi Rama erdhi në pushtet, mbahet një seancë e këtillë në Washington.

Diskutimet e fundit në Komitetin e Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve duket se kanë ngritur alarmin për rënien e pluralizmit politik dhe mosfunksionimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

Image
Kryetari i nënkomitetit për Evropën, Keith Self dhe presidenti Donald Trump

Eksperti Edward Joseph, në dëshminë e tij, ka theksuar se këto probleme po minojnë themelet e demokracisë shqiptare. Në një seancë të veçantë dëgjimore në Uashington këto ditë u analizuan shqetësimet kryesore. Folësit, duke u bazuar në dëshmitë dhe raportet e tyre, ofruan një pasqyrë të qartë të situatës sot në Shqipëri, sidomos pas zgjedhjeve të 11 majit, ku PS mori 83 deputetë.

Shqetësimet për zgjedhjet dhe pluralizmin politik në rrezik

Një nga pikat qendrore të diskutimeve ishte manipulimi i zgjedhjeve të 11 majit. Diplomati amerikan Edward Joseph solli në vëmendje abuzimin me pushtetin nga Kryeministri Edi Rama, duke përfshirë blerjen e votave dhe presionin mbi votuesit.

Ai tha: “Raporti i OSBE/ODIHR konfirmoi ndërhyrje të shumta, si frikësimi i qytetarëve, keqpërdorimi i burimeve publike dhe presioni ndaj punonjësve shtetërorë. Këto praktika jo vetëm që shkelin fshehtësinë e votës, por edhe ulin besimin në procesin elektoral. Si rezultat, pluralizmi politik po zbehet, me opozitën që përballet me arrestime dhe ndjekje penale të motivuara politikisht.”

Image
Kryetari i nënkomitetit për Evropën, Keith Self

Kjo situatë ngre pyetje themelore: A po shndërrohet Shqipëria në një sistem ku pushteti ekzekutiv dominon të gjitha degët? – pyeti Joseph.

Disfunksionimi i reformës në drejtësi

Kryetari i Nënkomitetit për Evropën, Keith Self, ishte i ashpër me sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Ai tha: “Reforma në drejtësi, e nisur para 10 vitesh, synonte të forconte sundimin e ligjit. Megjithatë, ajo ka dështuar, duke minuar besimin publik. Ngarkesa e çështjeve gjyqësore është rritur dramatikisht nga 16,000 në fillim në mbi 200,000 sot, duke shkaktuar vonesa deri në 15 vjet për vendime përfundimtare. Kjo jo vetëm që pengon të drejtën për proces të rregullt, por edhe krijon hapësirë për ndikime politike.”

Self po ashtu kërkoi një rishikim urgjent të reformës, duke vënë në dukje se problemet janë më të mëdha se kurrë. Ndikimi i rrjeteve ekzekutive mbi gjyqësorin, madje deri në masa sigurie kundër opozitës, po çon drejt një erosioni të demokracisë.

Sipas tij, Washingtoni duhet të pyesë për integritetin e gjyqësorit dhe efikasitetin e tij, për të parandaluar një krizë më të thellë.

Thirrjet e Kongresit për veprim dhe pasojat

Në diskutimet në Kongres u nënvizua nevoja për ndërhyrje ndërkombëtare. Ata thanë se Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe kandidate për BE, nuk mund të injorojë këto sinjale.

Rënia e pluralizmit dhe keqfunksionimi i drejtësisë rrezikojnë stabilitetin rajonal, u theksua në diskutim.

Eksperti Joseph dhe kongresisti Self sugjeruan që SHBA-të të kryejnë analiza të pavarura dhe të reduktojnë mbështetjen nëse nuk ka përmirësime. Kjo situatë është moment për reflektim, diktuan në seancën dëgjimore.

Si mund të rivendoset besimi?

Në pyetje është tani: si mund të rivendoset besimi në institucione?

Në fund, demokracia kërkon transparencë dhe pavarësi; pa to, Shqipëria rrezikon të izolohet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat