Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka konfirmuar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara kundër regjimit të Maduro-s në Venezuelë.
“Shqipëria qëndron pa mëdyshje përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit të SHBA-së në veprimet e tyre vendimtare kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës”, shkruan Spiropali, në një moment kur vetë Kryeministri Rama vijon të mos ketë qëndrim zyrtar për këtë zhvillim madhor ndërkombëtar.
Ministrja theksoi mbështetjen për Sekretarin e Shtetit amerikan, Marco Rubio, duke vlerësuar “lidershipin e tij të fortë në përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale.” Ajo nënvizoi gjithashtu se Shqipëria, si një aleat i palëkundur i SHBA dhe anëtar i NATO-s, është e angazhuar për mbrojtjen e parimeve demokratike dhe sigurisë globale.