Pas zjarrit te “5 Maji”, tregu i rrobave të përdorura mes hirit dhe tymit

Shqipëria

Pas zjarrit te “5 Maji”, tregu i rrobave të përdorura mes hirit dhe tymit

Më: 9 janar 2026 Në ora: 09:53
Foto ilustrim

Zjarri i madh që përfshiu mbrëmjen e djeshme, 8 janar, tregun e rrobave të përdorura në zonën e “5 Majit” në Tiranë, ka lënë pas pasoja të rënda materiale, ndërsa sot nga zona shihen ende shtëllunga të mëdha tymi.

Flakët nisën në një kapanon dhe u përhapën me shpejtësi edhe në të tjerë, për shkak të intensitetit të lartë dhe materialeve lehtësisht të djegshme. Situata u konsiderua kritike në orët e para, por falë ndërhyrjes së dhjetëra forcave zjarrfikëse nga Tirana, Kamza, Vora, Elbasani dhe mbështetjes së Forcave të Armatosura, zjarri u izolua dhe u vu nën kontroll gjatë natës.

Autoritetet konfirmojnë se nuk ka persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Sipas një vlerësimi paraprak nga Bashkia e Tiranës dhe tregtarët, humbjet llogariten në miliona euro.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, bëri të ditur në një lidhje me studion e emisionit “Opinion” mbrëmjen e kaluar, se vatra e zjarrit është izoluar dhe nuk paraqet rrezik për banesat apo bizneset përreth, megjithëse puna për shuarjen e plotë të flakëve ka vijuar gjatë gjithë natës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat