Aktorja Bisha padit qeverinë e Shqipërisë: Ministrja e AI ka fytyrën dhe zërin tim

Shqipëria

Aktorja Bisha padit qeverinë e Shqipërisë: Ministrja e AI ka fytyrën dhe zërin tim

Më: 12 shkurt 2026 Në ora: 16:47
Aktorja shqiptare Anila Bisha

Vitin e kaluar, Shqipëria prezantoi atë që e quajti ministren e parë në botë të inteligjencës artificiale. Megjithatë, rezultoi se ajo nuk ishte plotësisht artificiale.

Sipas AssociatedPress, aktorja shqiptare Anila Bisha thotë se fytyra dhe zëri i saj i përkasin asaj dhe nuk e kishte imagjinuar kurrë që qeveria do t’i përdorte kaq dukshëm imazhin e saj.

Tani Bisha, një aktore e njohur e filmit dhe teatrit në Shqipëri, kërkon që tiparet e saj të hiqen nga ajo që quhet ministrja virtuale, Diella.

Duke iu referuar shkeljes së të dhënave personale, Bisha ka dorëzuar këtë javë një kërkesë zyrtare përmes një gjykate administrative në Shqipëri, duke kërkuar që qeveria të ndalojë menjëherë përdorimin e zërit dhe imazhit të saj për Diellën.

“Ky është hapi i parë ligjor për të parandaluar keqpërdorimin e imazhit të Anilës”, tha avokati i saj, Aranit Roshi.

Qeveria shqiptare nuk u përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Shqipëria tërhoqi vëmendjen globale vitin e kaluar kur Kryeministri Edi Rama njoftoi krijimin e asaj që e përshkroi si ministren e parë në botë të inteligjencës artificiale, e cila kishte si qëllim që të gjitha tenderët e prokurimeve publike të trajtoheshin 100 për qind pa korrupsion.

Diella zakonisht shfaqet e veshur me kostum kombëtar shqiptar dhe njihet për përgjigjet e saj të shkurtra dhe të drejtpërdrejta ndaj zyrtarëve të qeverisë.

Bisha pranoi se kishte nënshkruar një kontratë duke lejuar përdorimin e zërit dhe imazhit të saj për platformën online të qeverisë, e-Albania, e cila ofron një gamë të gjerë shërbimesh publike. Por ajo tha se kurrë nuk ishte informuar se do të përdorej për një ministre të inteligjencës artificiale.

“Ishte e habitshme kur dëgjova kryeministrin ta deklaronte këtë. Pyeta si mund të ndodhte kjo pa dijeninë time, pa pyetur askush nëse doja që imazhi im të përdorej ose jo”, tha Bisha për AP të enjten.

Ajo tha se ndihet se imazhi i saj tani po përdoret si një deklaratë politike.

Kjo nuk është hera e parë që zërat e përdorur në platformat e inteligjencës artificiale shkaktojnë reagime.

Në vitin 2024, OpenAI hoqi një nga zërat e ChatGPT, Sky, pasi aktorja Scarlett Johansson tha se tingëllonte “frikësisht i ngjashëm” me të sajin. OpenAI tha se zëri i përdorur për Sky nuk ishte ai i Johansson.

Bisha tha se kishte provuar të kontaktonte qeverinë disa herë që nga momenti që ministrja AI u bë pjesë e Kabinetit shqiptar në shtator të kaluar. Ajo vendosi të nisë procedurat ligjore pasi nuk mori përgjigje për kërkesën e saj për një takim për të diskutuar çështjen.

Bisha dorëzoi një masë përkohëse në gjykatën administrative, duke kërkuar që qeveria të ndalojë menjëherë përdorimin e imazhit të saj për Diellën. Përfaqësuesit e saj planifikojnë të dorëzojnë një padi formale për dëmshpërblim dhe kompensim.

“Nuk mund t’i marrësh dikujt identitetin dhe të bësh me të çfarë të duash”, tha ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat