Atentati ndaj Altin Dumanit/ Ministrja e Brendshme konfirmon rritjen e masave të sigurisë , për ish-kreun e SPAK

Shqipëria

Atentati ndaj Altin Dumanit/ Ministrja e Brendshme konfirmon rritjen e masave të sigurisë , për ish-kreun e SPAK

Më: 21 shkurt 2026 Në ora: 11:30
Altin Dumani

Rriten masat e sigurisë për ish-kreun e SPAK, Altin Dumani, pas zbulimit të një plani të strukturuar për eliminimin e tij fizik. Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka mohuar dje lajmet e fundit që u raportuan në media se Garda e Republikës nuk ka zbatuar vendimin e KLP për shtimin e masave mbrojtëse, duke konfirmuar se janë shtuar dy truproja për prokurorin special. Në një deklaratë publike, Koçiu theksoi se vendimi i KLP është zbatuar plotësisht dhe se përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme ka qenë pjesë e procesit të vendimmarrjes.

“KLP ka marrë vendim dhe në momentin që merr vendim ka edhe një anëtar përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme në nivelin e zv/ministrit. Jemi vënë në dijeni, kemi qenë pjesë e vendimmarrjes. Nga ana tjetër, Garda e Republikës ka zbatuar këtë vendim duke e shtuar në organikën e saj edhe dy truproja të tjera për Dumanin në nivelin e prokurorit të SPAK. Garda e Republikës ka marrë të gjitha masat dhe ka miratuar shtimin e dy punonjësve”, deklaroi ministrja.

Kërkesa për rritjen e sigurisë është bërë nga kreu aktual i SPAK, Klodian Braho, në kuadër të presionit në rritje ndaj Dumanit, për shkak të hetimeve të rëndësishme që ai ka firmosur gjatë kohës që drejtonte Prokurorinë e Posaçme.

Prapaskenat e planit kriminal

Gazeta “SOT” ka qenë e vetmia media që zbuloi se më 19 dhjetor, në ditën kur Dumani dorëzoi zyrtarisht detyrën dhe në krye të SPAK erdhi drejtuesi i ri, paralelisht po zhvillohej një plan i detajuar për atentat ndaj tij. Dy banda kriminale, njëra me bazë në Durrës dhe tjetra në Tiranë, dyshohet se kishin ndërtuar një skenar konkret për eliminimin fizik të ish-kreut të SPAK. Burimet bëjnë me dije se, për të shmangur identifikimin e drejtpërdrejtë, grupet kriminale kishin rekrutuar dy persona nga një qytet verior për realizimin e atentatit.

Dy atentatorëve u ishte vënë në dispozicion një automjet dhe një sasi tritoli, me synim realizimin e sulmit në një moment simbolik – pikërisht ditën e largimit të Dumanit nga drejtimi i institucionit. Plani nuk arriti të vihej në zbatim falë ndërhyrjes së strukturave të specializuara të sigurisë. Përmes përgjimeve dhe informacioneve të siguruara nga shërbimet vendase dhe të huaja, autoritetet arritën të zbulojnë dhe të parandalojnë atentatin përpara se ai të realizohej.

Operacioni përfundoi me arrestimin e dy personave të dyshuar si atentatorë, duke shmangur një ngjarje me pasoja të rënda për jetën e Dumanit dhe për sigurinë institucionale në vend. Pas zbulimit të këtij skenari, siç e konfirmoi dhe Albana Koçiu masat e sigurisë ndaj Altin Dumanit dhe familjes së tij janë rritur ndjeshëm, duke reflektuar nivelin e lartë të rrezikut të konstatuar.

Dumani

Që në nisje të detyrës, Dumani u cilësua si “prokurori i hekurt”, një epitet që e shoqëroi gjatë gjithë drejtimit të Strukturës së Posaçme. Edhe pse shpeshherë u sulmua publikisht nga politika, kryesisht nga ish-kryeministri Sali Berisha, apo Ilir Meta,  i cili jo rrallë e ka etiketuar dhe akuzuar publikisht se “drejtohet” nga kryeministri Rama dhe kriminelët, Dumani ruajti qetësinë dhe vijoi punën pa u përfshirë në polemika. Që në fillimin e mandatit të tij, Dumani ishte i qartë në mesazhin e dhënë: “Përmbi ligjin nuk është askush”. Ky parim u reflektua në veprimtarinë e SPAK gjatë tre viteve që ai drejtoi Prokurorinë e Posaçme, ku janë sekuestruar rreth 37 milionë euro pasuri dhe janë hetuar zyrtarë të nivelit të lartë, janë goditur disa grupe kriminale, janë çmontuar fijet e bandave shqiptare të cilët operonin në të gjithë botën. Shifra dhe rezultate këto që dëshmojnë intensitetin e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kur Dumani mori detyrën në dhjetor të vitit 2022, shumë ishin ata të cilët dyshonin se ai do të kishte guximin të përballej me korrupsionin e rrënjosur thellë prej dekadash në vendin tonë. Mirëpo, gjatë drejtimit të tij, SPAK ndërmori hetime ndaj figurave të rëndësishme politike, si te të majtët po ashtu dhe te të djathtët, duke përfshirë këtu ish-presidentin Ilir Meta, ish-kryeministrin Sali Berisha, kryebashkiakun Erion Veliaj, Belinda Ballukun, Ilir Beqajn, Mirlinda Karçanajn, biznesmenë  dhe shumë zyrtarë të tjerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat