Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar nga Shkodra paralajmërimin e ambasadës amerikane në Tiranë, se Shqipëria është e rrezikuar nga sulmet e Iranit.
Sipas Berishës, Shqipëria është armik i Iranit, ndërsa bëri thirrje që NATO të përforcojë mbrojtjen ajrore të Shqipërisë, pasi çdo hapësirë ajrore e vendit tonë është edhe e NATO-s.
Teksa theksoi se mbrojtja tokësore brenda vendit duhet ta garantojë policia shqiptare, Berisha u shpreh se “ata që i krahasojnë paralajmërimet e ambasadës me ato që bën për protestat e opozitës kanë psikologjinë e Ajatollahëve”.
“A është Shqipëria në një armiqësi më Iranin, kjo nuk diskutohet, nuk fshihet. Unë i bëj thirrje NATO-s, që ashtu siç po mbron Turqinë ashtu të na garantojë mbrojtjen kundërajrore. Kurse për akte të brendshme forcat e rendit të garantojnë qetësinë. Por të krahasosh ato me protestat e opozitës je i sëmurë, ke psikologjinë e Ajatollahëve dhe unë i them turp të keni.
Nuk lëshohet një paralajmërim pa një bazë. A ka mbrojtje Shqipëria nga NATO? Po, çdo hapësirë ajrore e Shqipërisë është hapësirë ajrore e NATO-s dhe të sigurt të jemi që NATO do na mbroje. Por NATO nuk na mbron nga atentatet në tokë. Por komunikata e lëshuar nga zyra e Fugës në arrati, se këto janë paralajmërime që lëshon për protestat e opozitës janë mjerane. Ti bëjmë thirrje NATO-s të përforcojë mbrojtjen e hapësirës ajrore të Shqipërisë”.