“Shporrini partitë”/ Tension në tubimin para Kryeministrisë, protestuesit përplasen me anëtarë të FRPD

Shqipëria

“Shporrini partitë”/ Tension në tubimin para Kryeministrisë, protestuesit përplasen me anëtarë të FRPD

Më: 8 qershor 2026 Në ora: 18:39 Përditësuar në ora: 19:52 më 08.06.2026
Pamje nga protesta

Protesta për Zvërnecin dhe në rrethe

Protesta në mbrojtje të natyrës dhe kundër investimit në Zvërnec janë mbajtur pasditen e sotme edhe në qytete të tjera të vendit.

Në Shkodër, qytetarët u mblodhën në rrugën që të çon në Kalanë e Rozafës, pasi aty u mbajt ditën e sotme një aktivitet për 35-vjetorin e Partisë Socialiste me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama.

Ata kanë mbajtur në duar parulla në mbështetje të banorëve të Zvërnecit dhe atyre të Rrjollit.

Tubime sot ka pasur edhe në Durrës, ku qytetarët janë rikthyer sërish në qendër të qytetit. 

“Shporrini partitë”/ Tension në tubimin para Kryeministrisë, protestuesit përplasen me anëtarë të FRPD, kërkojnë të largohen me thirrjet ‘opozitë e shitur’

Tensione janë shënuar në nisje të protestës së zhvilluar para Kryeministrisë mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të FRPD-së.

Qytetarët u kanë kërkuar përfaqësuesve të FRPD-së të largohen nga protesta, duke theksuar se nuk duan asnjë përfaqësim politik në tubim.

Një prej qytetarëve, përmes megafonit, është dëgjuar duke akuzuar deputetin Redi Muçi të Lëvizjes Bashkë se po prish protestën.

“Diaspora të na bashkohet, të shporrim antishqiptarin Rama!”, thirrja e fortë nga protesta para Kryeministrisë: Qytetet të protestojnë çdo ditë, në fundjavë të bëhemi të gjithë bashkë

Një ftesë për diasporën, që të bashkohen në reagim, për të shporrur atë që e cilësojnë antishqiptarin më të madh. Kjo ishte ftesa e fortë që erdhi nga protesta që po mbahet para Kryeministrisë.

“Ftojmë diasporën që të na bashkohet.

Të largojmë antishqiptarin më të madh, Edi Ramën!

Nuk duam asnjë forcë politike që të flasë, çdo të hënë deri të premte, të gjithë të protestojnë në bashkitë e tyre, ama në fundjavë të jenë në Tiranë të gjithë këtu!”, tha një prej protestuesve.

“Jemi antipartiakë”, protestuesit “ngrenë në këmbë” bulevardin me thirrjet: Opozita jemi ne!

Protestuesit në Tiranë kanë mbushur Bulevardin.

Në ditën e 9 të protestës, janë mbledhur përpara Kryeministrisë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Me thirrjet “poshtë patronazhistët”, “Opozita jemi ne”; “jemi antipartiakë”.

Rekord pjesëmarrjeje në ditën e 9 të protestës, sheshi para Kryeministrisë ushton nga thirrjet e qytetarëve: Rama jep dorëheqjen!

Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e saj të nëntë, duke shënuar pjesëmarrjen më të lartë që nga nisja e saj. Mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku bulevardi u mbush me pankarta, flamuj dhe thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi.

Atmosfera para Kryeministrisë u karakterizua nga slogane të forta si “Rama jep dorëheqjen”, “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët”, “Rama ik”, si dhe thirrje që kërkonin largimin e elitës politike që ka dominuar jetën publike shqiptare prej dekadash.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të mazhorancës kanë vijuar të minimizojnë protestën, duke e lidhur atë me dezinformimin, interesa politike apo ndikime të jashtme. Në deklaratat e fundit, Rama ka ironizuar protestuesit dhe ka sulmuar figura publike që kanë shprehur mbështetje për revoltën qytetare.

Ajo që nisi në Zvërnec si një kundërshtim ndaj një projekti të caktuar, tashmë po merr përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë ndaj të gjithë klasës politike.

Këtë e dëshmojnë edhe mesazhet që dominuan tubimin para Kryeministrisë. “Rama në burg, Berisha në burg”, “Poshtë kasta politike” dhe “Mos u përçani! Poshtë patronazhistët” ishin ndër thirrjet më të dëgjuara gjatë protestës, duke reflektuar zhgënjimin e një pjese të qytetarëve jo vetëm ndaj qeverisë aktuale, por ndaj gjithë sistemit politik.

PD organizim për t’u përfshirë në tubim, protestuesit nuk ndryshojnë qëndrim: Edhe Sala ka mbaru, ka mbaru

Ka nisur në orë 18:00 marshimi i protestuesve nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, në ditën e nëntë të tubimit.  

E ndërsa PD ka ndryshuar qëndrim në lidhje me investimin në Zvërnec.

Ku më parë u shprehën pro e tani kanë dalë në krah të protestuesve, këta të fundit nuk lëkunden.

Protestuesit kanë vijuar me thirrjet: Edhe Sala ka mbaru, ka mbaru.

----

Ka nisur në Sheshin Skënderbej dita e 9 e protestës së qytetarëve kundër projektit në Zvërnec.

Ashtu si edhe ditët e tjera, qytetarët janë grumbulluar në shesh për ta vazhduar tubimin e tyre duke marshuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Siç raporton gazetarja e Top Channel Kristi Gongo, thirrja e protestuesve për ditën e tyre të 9 në shesh është “Shqipëria e re”.

Një nga pankarta udhëheqëse të marshimit nga një grup studentësh është: “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët”, ndërsa qytetarët po shpërndajnë edhe pankarta ku shkruhet: “Jep dorëheqjen.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat