Në protestën e 12-të para Kryeministrisë, mes folësve ishte edhe një emigrant shqiptar nga Vlora, ish-efektiv policie. Ai dha një mesazh të fortë duke deklaruar se jo vetëm do sakrifikojnë, por edhe do shtohen më shumë.
Qytetari pasi rrëfeu historinë personale të vuajtjeve, tha se protestuesit do të nisen në këmbë nga Vlora drejt Tiranës dhe se nuk dorëzohen deri në rrëzimin e qeverisë edhe nëse do të duhej të japë jetën.
Ish-efektivi shtoi se viti 1997 nuk duhet të përsëritet edhe një herë dhe nuk duhet të hiqet dorë nga protesta. Ai hodhi akuza të rënda drejt kreut të PD, Sali Berisha dhe deklaroi se në para 29 vitesh e kërcënuan për organizimin e protestave, duke i plagosur prindërit akt që e detyroi të emigronte.
“Para 31 vitesh kam kryesuar Komitetin e Protestës në Vlorë, u dhunuam nga berishistët. Më pas nisën dëbimet, persekutimet, më plagosën prindërit me granata dhe tritol. U nisëm me djalin e vogël drejt Adriatikut, na dëbuan edhe pse isha punonjës policie. Pasi i rritëm fëmijët andej, me dashurinë për gjuhën shqipe, pas 29 vitesh jemi në të njëjtën situatë, ku ka protestë në të gjithë vendin. Nuk duhet të përsëritet ’97, të mos e lëmë protestën, nëse i duam fëmijët tanë. Le të jem unë heroi i parë, le të më vrasin”, tha ai mes të tjerash.