Përshkallëzohet revolta, qytetarët marshojnë përgjatë autostradës Tiranë-Durrës

Shqipëria

Përshkallëzohet revolta, qytetarët marshojnë përgjatë autostradës Tiranë-Durrës

Më: 14 qershor 2026 Në ora: 14:01 Përditësuar në ora: 18:47 më 14.06.2026
Protesta

‘Kërkojmë dorëheqjen e Ramës’, studenti rendit kërkesat: Zgjedhje të lira dhe largim i sistemit të patronazhimit

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në sheshin Skënderbej, në atë që është edhe piknisja e ditës së 15 të protestës qytetare, që kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Një nga anëtarët e grupit të studentëve që merren me organizimin e protestës, është shprehur se kërkesat e protestuesve janë të qarta: largim i Ramës, zgjedhje të lira dhe largim i sistemit të patronazhimit.

“Në orën 18:30 do të ketë pak fjalime në shesh pastaj do të nisë marshimi drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen fjalime. Më pas nis marshimi nëpër Tiranë, ndërsa itinerari që do të nisë nuk është vendosur akoma sepse vendosen në kohë reale.

Nuk jam i kënaqur me politikën që kemi në Shqipëri,. Kërkoj dorëheqjen e Ramës dhe sistemet e patronazhimit që ai ka sjellë. Kërkoj gjithashtu që të ketë zgjedhje të lira në Shqipëri”, tha ai.

Dita e 15 e protestës qyteare në Tiranë, nis marshimi drejt Kryeministrisë

Qytetarë të shumtë kanë nisur të grumbullohen pasditen e kësaj të diele në Sheshin Skënderbej, duke shënuar protestën e 15-të radhazi kundër politikave qeveritare dhe projektit të investimit në zonën e Zvërnecit.

Tubimi ka nisur në qendër të kryeqytetit, ndërsa protestuesit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, duke ndjekur itinerarin e protestave të mëparshme.

Sipas organizatorëve, protesta synon të përcjellë kundërshtimin ndaj vendimeve që lidhen me statusin e investitorëve strategjikë dhe ndryshimet ligjore që, sipas tyre, ndikojnë në zonat e mbrojtura mjedisore.

Mes kërkesave kryesore të protestuesve janë dorëheqja e qeverisë, rishikimi i politikave për investimet strategjike dhe anulimi i akteve ligjore të kontestuara.

Pas ndalesës para Kryeministrisë, ku pritet të mbahen fjalime dhe deklarata publike, marshimi do të vijojë në disa prej akseve kryesore të Tiranës.

Gazeta gjermane jehonë protestave për largimin e Ramës, ZDFheute: Mijëra qytetarë mblidhen çdo ditë para kryeministrisë

Mediat ndërkombëtare kanë pasqyruar protestat e zhvilluara në Shqipëri, ku mijëra qytetarë janë mbledhur në Tiranë kundër projekti në Zvërnec dhe kundër qeverisë, ku dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gazeta gjermane ZDFheute shkruan se protestat në Shqipëri po përshkallëzohen, ndërsa çdo ditë qytetarë të shumtë mblidhen para Kryeministrisë në shenjë kundërshtimi ndaj projektit që parashikon zhvillime në një zonë të ndjeshme bregdetare.

Sipas shkrimit të ZDFheute, protestuesit akuzojnë kryeministrin Edi Rama se po i hap një segment të ndjeshëm ekologjik të bregdetit për investitorët.

Artikulli i ZDFheute:

Protestat në Shqipëri përshkallëzohen, mijëra qytetarë në Tiranë kundër projektit në bregdetin e Adriatikut

Në Shqipëri po vijon rritja e protestave. Edhe të shtunën, mijëra qytetarë u mblodhën sërish në Tiranë për të protestuar kundër një projekti të planifikuar ndërtimi në bregdetin e Adriatikut. Pothuajse çdo ditë, dhjetëra qytetarë protestojnë para selisë së Kryeministrisë.

Projekti ndaj të cilit drejtohen protestat përfshin edhe një kompani të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.

Protestuesit akuzojnë kryeministrin Edi Rama se po i hap një segment të ndjeshëm ekologjik të vijës bregdetare investitorëve. Nga ana e tij, kryeministri Rama e ka cilësuar projektin si një marrëveshje private mes palëve private, duke theksuar se qeveria shqiptare “nuk ka asnjë lidhje” me të. Megjithatë, ai ka deklaruar se projekti do të vijojë, duke i hedhur poshtë kundërshtimet.

Sipas tij, deri më tani nuk është nisur ende asnjë procedurë formale për vlerësimin e ndikimit në mjedis, deklaratë që e bëri në një intervistë për agjencinë e lajmeve AP.

Ndërkohë, autoritetet shqiptare kundër korrupsionit kanë nisur hetime dhe kanë kërkuar deri tani 20 urdhër-arreste. Disa prej tyre dyshohet se lidhen me një projekt ndërtimi në rrethin e një zhvillimi të lidhur me Donald Trump.

Protestat për dorëheqjen e kryeministrit, Partia Demokratike Evropiane thirrje Ramës

Partia Demokratike Evropiane në Bruksel, ka reaguar lidhur me protestat masive që zhvillohen në Tiranë për 14 ditë me radhë kundër qeverisë dhe kundër kryeministrit Edi Rama.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, PDE i ka bërë thirrje kreut të qeverisë të dëgjojë qytetarët, ndërsa i kujtojnë atij si “Evropa nuk ndërtohet duke e trajtuar natyrën si monedhë pazari apo institucionet si pronë private”.

“Nëse Shqipëria do Evropën, duhet të zgjedhë të drejtat mbi rrugët e shkurtra, qytetarët mbi betonin dhe shtetin e së drejtës mbi pushtetin”, theksohet në mesazhin e tyre.

Sipas tyre, protesta nuk është “anti-progres”, por demokraci që po kryen funksionin e saj.

Partia Demokratike Evropiane: Natën e kaluar, sheshet e Shqipërisë u mbushën sërish, qytetarët u mobilizuan për të mbrojtur tokat e mbrojtura, transparencën dhe llogaridhënien publike nga marrëveshje të paqarta për zhvillime luksoze. Ky nuk është “anti-progres”. Është demokracia që po kryen funksionin e saj.

Dhe Edi Rama duhet të dëgjojë me kujdes: Evropa nuk ndërtohet duke e trajtuar natyrën si monedhë pazari apo institucionet si pronë private. Nëse Shqipëria do Evropën, duhet të zgjedhë të drejtat mbi rrugët e shkurtra, qytetarët mbi betonin dhe shtetin e së drejtës mbi pushtetin.

“E gjitha bota me sytë nga ju!”- Protestat për dorëheqjen e Ramës, europianët: S’kishim parë popull kaq të fortë dhe të kulturuar sa shqiptarët

Në protestat e zhvilluara kundër kryeministrit Edi Rama, turistë të huaj, kanë shprehur mbështetjen e tyre për këtë tubim që është mbajtur për 14 ditë me radhë, ndërsa sot mbahet ajo e 15-ta.

Ndërsa kanë ndarë përshtypjet e tyre, ata janë shprehur se janë të surprizuar nga ky organizim dhe gjithashtu nga vendosmëria e protestuesve për të plotësuar kërkesat e tyre.

Ata theksojnë se rrallëherë kanë parë një mobilizim kaq të madh dhe në një mënyrë kaq qytetare.

“Nuk kishim parë një popull kaq të fortë. E gjithë bota i ka sy nga ju”, është shprehur një nga turistët e huaj.

Protestat në vend, eurodeputeti bullgar nga Korça: Duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve

Eurodeputeti bullgar, Andrey Kovatchev, nga Korça ka vlerësuar ecurinë e vendit në rrugën drejt Bashkimit Europian, por është ndalur edhe te protestat masive që po zhvillohen në vend.

Në një deklaratë për mediat, ai theksoi se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe se protestat paqësore janë pjesë e demokracisë, ndërsa u bëri thirrje si qeverisë ashtu edhe opozitës të dialogojnë dhe të gjejnë zgjidhje në interes të qytetarëve.

Sipas Kovatchev, Shqipëria ka bërë progres në procesin e integrimit dhe mbetet një nga vendet më të avancuara për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Kovatchev: Jemi shumë të kënaqur që ndodhemi përsëri në Shqipëri, së bashku me kolegët e mi nga Parlamenti Bullgar. Javën e ardhshme në Strasburg, ne do të miratojmë në seancë plenare raportin vjetor të zgjerimit për Shqipërinë. Ne e mirëpresim progresin e bërë nga Shqipëria dhe është shumë mirë që të gjitha partitë shqiptare janë aq të përkushtuara ndaj integrimit evropian.

Ne shpresojmë në Parlamentin Evropian, por edhe kolegët e mi nga Parlamenti Bullgar të cilët gjithashtu mbështesin fuqishëm integrimin evropian të Shqipërisë që zgjerimi i radhës i Bashkimit Evropian të jetë me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Pyetje: A mund të ndikojnë këto protesta në progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian?

Kovatchev: Ne po monitorojmë shumë nga afër çdo zhvillim. Kjo sigurisht i takon klasës politike në Shqipëri që ta zgjidhë dhe të ndjekë të gjitha standardet, veçanërisht ato ekologjike, me të gjitha investimet që duhen bërë. Ne nuk po ndërhyjmë në këtë pjesë, por sigurisht që do të ketë një tekst në raport-progresin që lidhet me përmbushjen e të gjitha ligjeve dhe standardeve që kanë të bëjnë me ekologjinë, por edhe me zhvillimin rajonal dhe turizmin.

Pyetje: Ju i njihni shumë mirë efektet e protestave. Ju jeni nga Bullgaria dhe në Bullgari keni pasur shumë protesta. Është gjë e mirë apo e keqe kur njerëzit dalin jashtë?

Kovatchev: Ne jemi shumë të mësuar me këtë. Dua të thëm se është mirë të dëgjohet zëri i popullit, nëse gjithçka është e qetë dhe paqësore. Dhe kjo është gjithashtu thirrja jonë për të gjitha partitë në pushtet dhe ato të opozitës: të jenë të qeta, të dëgjojnë njëra-tjetrën dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë për qytetarët. Për qytetarët e Shqipërisë, më e mira është që të hyjnë sa më shpejt të jetë e mundur në Bashkimin Evropian dhe të gëzojnë së bashku familjen tonë evropiane, në këtë kohë shumë sfiduese për botën. Kemi shumë probleme gjeopolitike rreth nesh dhe Shqipëria është një aleate shumë e mirë në NATO, dhe tani, shumë shpejt, edhe në Bashkimin Evropian.

Pyetje: Çfarë duhet të bëjë qeveria jonë në lidhje me këto protesta?

Kovatchev: Të dëgjojë njerëzit dhe të ndjekë të gjithë legjislacionin dhe të gjitha standardet mjedisore, gjë që jam i sigurt se do të jetë edhe në tekstin e Parlamentit Evropian. Por, ne në Parlamentin Evropian nuk do të ndërhyjmë në politikën e brendshme të Shqipërisë dhe bëjmë thirrje për një bashkëpunim të mirë mes partisë në pushtet dhe partive opozitare.

----

Nën sloganin “Shqipëria nuk shitet, zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja nuk shitet”, qytetarët do të grumbullohen si çdo ditë në sheshin “Skënderbej” në orën 18:00.

Më pas nis marshimi përpara kryeministrisë, aty ku për orë të tëra aktivistë dhe qytetarë mbajnë fjalim dhe shprehin pakënaqësitë që shoqëria ka si pasojë e klasës politike.

Sakaq, ditëm e djeshme marshimi historik u mbyll me një ‘uragan’, pjesëmarrje dhe varg kilometrik qytetarësh që hodhën thirrje e parulla kundër qeverisë dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama në ditën e 14-të të revoltës.

Thirrjet kryesore kanë qenë “Rama në burg, Berisha në burg”, “Revolucion”, “Shqipëri e re”, “Rama jepe dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “pa rini nuk ka Shqipëri”, “Pelikanin Kaçurrel, do ta sjellim në Kuvend”, “Bojkotoni këta plehra”, “Çohuni nga kafja”, dhe “Këtu vendosim ne”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat