Mijëra qytetarë përmbyllin protestën me thirrje të forta: “Rama jepe dorëheqjen, ju erdhi fundi!”

Shqipëria

Mijëra qytetarë përmbyllin protestën me thirrje të forta: “Rama jepe dorëheqjen, ju erdhi fundi!”

Më: 16 qershor 2026 Në ora: 08:08 Përditësuar në ora: 20:11 më 16.06.2026
Protesta

Studentja nga Anglia në protestë: U ktheva për Shqipërinë, por gjeta nepotizëm dhe një vend që po zbrazet

"Revolucioni i flamingove", lëvizja qytetare që nisi kundër projekteve turistike në Zvërnec dhe që tashmë është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike, po mbledh çdo ditë e më shumë jo vetëm qytetarë që jetojnë në Shqipëri, por edhe studentë, profesionistë dhe ekspertë që jetojnë jashtë vendit.

Në ditën e 17-të të protestës para Kryeministrisë, një nga fjalimet që tërhoqi vëmendjen ishte ai i një studenteje shqiptare, e lindur dhe rritur në Angli, e cila tha se kishte vendosur të kthehej në Shqipëri për të kontribuar për vendin e saj, por se realiteti që kishte gjetur ishte krejt ndryshe nga ai që kishte ëndërruar.

“Jam lindur dhe rritur në Angli, por kam vendosur të rikthehem për t’i dhënë një të mirë vendit tim. Kam ardhur sepse besoj se Shqipëria meriton më shumë dhe se brezi ynë duhet të ketë një shans për ta ndërtuar këtu të ardhmen”, tha ajo.

Studentja foli për vështirësitë që sipas saj po përjetojnë të rinjtë në Shqipëri, duke përmendur mungesën e meritokracisë dhe mundësive të barabarta.

“Kam parë nepotizmin që na merr mundësitë. Kam parë të rinj të arsimuar që largohen sepse nuk gjejnë hapësirë. Kam parë njerëz që nuk ecin përpara sepse vendin e meritës e ka zënë lidhja dhe favori”, deklaroi ajo.

Megjithatë, e reja tha se ende beson te shoqëria dhe te qytetarët që po mbushin çdo mbrëmje sheshin para Kryeministrisë.

“Por unë shoh edhe një të ardhme dhe ajo jeni ju. Janë njerëzit që nuk dorëzohen, janë të rinjtë që vazhdojnë të besojnë se ky vend mund të ndryshojë”, u shpreh studentja.

Në fjalën e saj ajo ngriti edhe problemet e përditshme me të cilat përballen qytetarët në shumë zona të vendit.

“Njerëzit meritojnë ujë, meritojnë drita, meritojnë kushte normale jetese. Por këta hajdutë po ua marrin të ardhmen”, tha ajo mes duartrokitjeve të protestuesve.

“E di kryeministri që shqiptarët s’bëjnë dot pushime?”, protestuesi shpërthen ndaj Ramës

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama se protesta po dëmton imazhin e Shqipërisë dhe sektorin e turizmit kanë sjellë reagime nga pjesëmarrësit në tubim. Njëri prej protestuesve iu përgjigj drejtpërdrejt kreut të qeverisë, duke e zhvendosur debatin te kushtet ekonomike me të cilat përballen shumë familje shqiptare.

Gjatë fjalës së tij, i riu tha se përpara se të flitet për ndikimin e protestave në turizëm, duhet të merret në konsideratë fakti se mijëra qytetarë nuk kanë mundësi financiare të përfitojnë nga pushimet verore në vend. Sipas tij, ka familje shqiptare që nuk kanë mundur asnjëherë të kalojnë pushime në bregdet për shkak të kostove të larta dhe të ardhurave të pamjaftueshme.

“A e di zoti kryeministër se ka familje shqiptare që nuk kanë qenë kurrë me pushime në bregdet?”, deklaroi protestuesi para të pranishmëve.

Ai theksoi se shqetësimet që po ngrihen në protestë lidhen me problematika që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, duke përmendur vështirësitë ekonomike dhe pamundësinë e shumë familjeve për të përballuar shpenzimet bazë.

Më tej, protestuesi deklaroi se kauza e tyre po tërheq vëmendje edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Sipas tij, reagimet dhe mbështetja që po marrin tregojnë se mesazhi i protestës po dëgjohet më gjerë.

“Ne po na mbështet e gjithë bota, sepse guxuam të ngremë zërin kundër këtyre këtu”, u shpreh ai.

Dita e 17-të e revoltës, profesori Susaj: Studentët janë brezi më i masakruar në 35 vjet

Qytetarët janë rikthyer edhe këtë të martë para godinës së Kryeministrisë, në ditën e 17-të të protestës që nisi si kundërshtim ndaj projektit të Jared Kushnerit në Zvërnec dhe Sazan, por që tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe gjithë kastës politike.

Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për shitjen e pasurive publike dhe braktisjen e interesave të qytetarëve.

“Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria në re” ishin disa nga thirrjet që dominuan tubimin e sotëm.

Ndryshe nga ditët e para, kur fokusi ishte kryesisht te projekti i investimit në Zvërnec dhe Sazan, protesta po merr gjithnjë e më shumë karakter politik dhe qytetar, duke artikuluar pakënaqësi për korrupsionin, emigracionin, gjendjen ekonomike dhe mungesën e besimit te klasa politike.

Një nga fjalimet më të forta të protestës u mbajt nga profesori Lush Susaj, i cili e vuri theksin te gjendja e arsimit dhe largimi masiv i të rinjve nga vendi.

“Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për qytetarë të përgjegjshëm. Studentët janë pjesa më delikate dhe e masakruar në 35 vjet. S’ka vend në botë që i ka masakruar shkollat dhe universitetet si Shqipëria”, deklaroi Susaj nga podiumi i protestës.

Profesori tha se kriza më e madhe e vendit po reflektohet te brezi i ri, duke sjellë si shembull edhe përvojën e tij personale.

“Ju flet një njeri që fëmijën e tij e ka arsimuar në Shqipëri dhe e ndien çdo ditë dhimbjen se do të ikë jashtë. Është koha të reagojmë për brezin e ri dhe mos të mashtrohemi më si më 1992”, u shpreh ai.

Protesta para Kryeministrisë vijon prej më shumë se dy javësh dhe organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vazhdojnë derisa të tërhiqen projektet e kundërshtuara dhe të dëgjohen kërkesat e qytetarëve.

Ndërkohë, pjesëmarrja dhe mesazhet e artikuluara në podium po tregojnë se lëvizja po largohet gjithnjë e më shumë nga një kauzë e vetme mjedisore dhe po shndërrohet në një revoltë më të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes dhe elitës politike në vend.

“Policia ishte dorëzuar para rendit mafioz!”- Tubimi i 17-të, protestuesja: Dhunimi i qytetarit në Zvërnec ndezi ‘flakën’! Tokat po shkëmbehen për përfitimet e një privati

Protestuesja Doriana Musai u shpreh se, ndonëse ka qenë gjithmonë pjesë e protestave, ngjarja e 30 majit e ka indinjuar thellësisht për shkak të shkeljes së dinjitetit njerëzor.

Sipas Musait, kjo situatë tregon rënie të shtetit të së drejtës, ndërsa theksoi se ngjarja ndodhi në prani të policisë.

Më tej, ajo shtoi se reagimi qytetar ishte i akumuluar prej kohësh, ndërsa episodi i tërheqjes zvarrë të qytetarit ishte pika kulmore.

“Gjatë këtyre viteve unë mendoj se kjo ishte diçka e akumuluar prej kohësh. Ai akti i tërheqjes zvarrë të një qytetari ishte momenti që ndezi flakën”, tha ajo.

Doriana Musai: Unë kam protestuar gjithmonë, por kësaj radhe më indinjoi shumë shkelja e dinjitetit njerëzor që u krye në datë 30 maj. Deri në atë moment ne ishim përballë me policinë, kundrejt një përplasjeje qytetar–shtet, por të vinin forca të treta, anonime dhe të dhunonin qytetarin, ishte e patolerueshme.

Kjo është rënie e shtetit, e shtetit të së drejtës, dhe praktikisht ndodhi para policisë së shtetit. Në këtë rast m’u duk policia e pambrojtur dhe e dorëzuar para një rendi mafioz, i cili është instaluar në qytet dhe tani ka marrë edhe zonat tona të mbrojtura, bukurinë e vendit që i përkasin popullit.

Gjatë këtyre viteve unë mendoj se kjo ishte diçka e akumuluar prej kohësh. Ai akti i tërheqjes zvarrë të një qytetari ishte momenti që ndezi flakën.

Ai akt barbar i trajtimit të një qytetari dhe zhveshja e shtetit nga mbrojtja e qytetarit, pamë atë ditë arrogancën e pushtetit, pamë se si tokat po shkëmbeheshin për përfitimet e një privati, pamë shtetin të dorëzuar dhe figurën e policisë të dhunuar sepse u injorua dhe u përjashtua, qytetarët u ndjenë vetëm në atë moment.

Organizatorët: Nesër ndryshon orari i tubimit

Në sheshin “Skënderbej” ka nisur sot dita e 17-të e protestës jopartiake në kryeqytet, ku qytetarët janë mbledhur si çdo ditë për të vijuar marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe për t’u ndalur para godinës së Kryeministrisë.

Ashtu si në tubimet e mëparshme, pjesëmarrësit pritet të ecin përgjatë bulevardit kryesor të Tiranës, duke mbajtur prezencë të vazhdueshme në qendër të qytetit.

Ndërkohë, organizatorët kanë bërë të ditur një ndryshim në orarin e nisjes së protestës. Sipas njoftimit, duke filluar nga dita e nesërme, tubimi do të zhvillohet në orën 19:00.

Po ashtu, nismëtari Alben Kola ka deklaruar se gjatë protestës së sotme nuk do të ketë fjalime nga pjesëmarrësit, me përjashtim të përfaqësuesve të rinj, të cilët do të kenë hapësirë për të folur para protestuesve.

“Gjithë natyra jonë po shitet”- Protestuesi: Fieri po mbahet me dhunë të mos protestojë se po shesin naftën

Para nisjes së marshimit nga sheshi Skënderbej për tek Kryeministria, disa qytetarë shprehën mendimet e tyre për këtë protestë dhe arsyet e daljes aty.

Një prej tyre tha se gjithë natyra e Shqipërisë po shitet, ndërsa kërkoi vendosjen para ligjit të Ramës, Berishës dhe kujtdo që ka kryer korrupsion.

Protestuesi: Provoje njëherë shko në spital. Kam qenë vitin e shkuar kur xhaxhai im bëri aksident, nuk e preku njeri me dorë. Tani ka ardhur njerëzve eshtra në kockë. Kur dëgjova popullin që thoshte Rama në burg Berisha në burg, për të dyja palët.

Thashë ok. Gjithë natyra jonë po shitet. I gjithë Fieri po mbahet në dhunë që të mos dalë në protestë. E kanë hequr gardhin e Zvërnecin e kanë sjellë këtu.

E vetmja protestë që solli rezultat ishte ajo e Klodian Rashës, se nuk kishte podium. Këtij populli i janë bërë shumë të padrejta. Sistemi na ka rrjepur. është transferuar nga PPSH te këta të dy. Qoftë Rama qoftë Berisha duhet të paraqitet para drejtësisë. Kam që në ditën e parë dhe do jem deri në fund. Pavarësisht kurtheve policore.

Me simbolin e flamingove dhe flamurin kuqezi, turistët i bashkohen protestës kundër Ramës në ditën e 17-të

Protesta masive e qytetarëve që nisi me mbrojtjen e Zvërnecit e po vijon për rrëzimin e qeverisë Rama ka tërhequr dhe mjaft vizitorë që vijnë në Shqipëri.

Sot, në ditën e 17-të të protestës që në nisje të grumbullimit te sheshi Skëndërbej, një grup të huajsh u bashkuan me qytetarët.

Ata kishin me vete flamurin kuqezi si dhe flamingo të improvizuar.

Qytetarët edhe një herë nuk tërhiqen nga sheshi pa larguar Ramën dhe klasën e vjetër politike.

Dita e 17-të e protestës/ Nis grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej”

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku qindra protestues po mblidhen për t’iu bashkuar protestës së radhës kundër qeverisë.

Nga sheshi dëgjohen brohoritje të vazhdueshme me thirrjen “Rama jep dorëheqje”, ndërsa pjesëmarrësit po përgatiten për marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.

Sipas organizatorëve, marshimi do të nisë në orën 18:30, ku protestuesit pritet të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj politikave qeveritare dhe situatës në vend.

Kjo është protesta e 17-të e organizuar në kryeqytet, e cilësuar nga organizatorët si një revoltë qytetare kundër qeverisjes dhe zhvillimeve politike në vend.

“Rama jep dorëheqjen”- Sot protesta e 17-të qytetare për largimin e kryeministrit! Sheshet dhe rrugët të mbushura plot

Si çdo ditë edhe sot në orën 18:00 mijëra qytetarë do të mblidhen sërish në protestën e 17-të për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Qytetarët grumbullohen në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për tu stacionuar për disa orë me radhë përpara kryeministrisë. Më pas ashtu siç janë, mijëra persona ‘pushtojnë’ paqësisht rrugët e Tiranës.

Edhe ditën e djeshme qytetarët kërkuan me çdo kusht dorëheqjen e Ramës.

Protestuesit deklaruan se do të vijojnë qëndresën deri në realizimin e kërkesave të tyre, duke e cilësuar këtë mobilizim si një reagim qytetar kundër situatës politike dhe ekonomike në vend.

Gjatë tubimit përpara Kryeministrisë, thirrja kryesore e protestuesve ka qenë “Rama jepe dorëheqjen”, e cila tashmë është kthyer në refren të çdo proteste, dhe thirrjet “Rama n’burg, Berisha n’bur”, “Ju erdhi fundi”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat