Mijëra qytetarë përmbyllin protestën me thirrje të forta: “Rama jepe dorëheqjen, ju erdhi fundi!”

Shqipëria

Mijëra qytetarë përmbyllin protestën me thirrje të forta: “Rama jepe dorëheqjen, ju erdhi fundi!”

Më: 16 qershor 2026 Në ora: 08:08 Përditësuar në ora: 22:59 më 16.06.2026
Protesta

Pas qëndresës para Kryeministrisë dhe marshimit kilometrik, mijëra qytetarë mbyllin protestën me thirrje në kor: Rama jepe dorëheqjen! Ju erdhi fundi!

Pas disa orësh qëndrimi para godinës së Kryeministrisë dhe marshimi kilometrik në rrugët e Tiranës, mijëra qytetarë mbyllën në sheshin “Skënderbej” protestën e 17-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Protesta nisi me grumbullimin e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, të cilët më pas u zhvendosën drejt Kryeministrisë, ku për disa orë u mbajtën fjalime nga studentë, mjekë, artistë, dhe qytetarë të tjerë, me mesazhin kryesor për dorëheqjen e kryeministrit.

Pas fjalimeve, turma nisi marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke kaluar në disa prej akseve të Tiranës, ndërsa gjatë gjithë kohës u dëgjuan thirrjet “Rama jep dorëheqjen”, “Shqipëri e re” dhe slogane të tjera të protestës.

Në përfundim të marshimit, qytetarët u rikthyen sërish në zonën qendrore të Tiranës, ku mbyllën tubimin me thirrje kundër qeverisë.

“Rama jep dorëheqjen!”, “Ju erdhi fundi!”, ishin disa prej thirrjeve që u dëgjuan nga mijëra protestues në fund të protestës, si edhe: “Nesër më shumë”, “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Shqipëri e re”.

Edhe sot në krye të marshimit ishin studentët, të cilët bënë thirrje pjesëmarrje më të madhe në ditët në vijim, duke iu bashkuar në shesh në orën 19:00.

Ramës i ndodh e papritura, protestuesit shqiptarë i zënë “pritë”, thirrje kundër tij në Berlin

Teksa mendoi se i shpëtoi thirrjeve kundër tij, ku i kërkohet nga populli të japë dorëheqje, duket se Rama nuk ka pasur fat.

Gjatë një udhëtimi në Berlin, ku mori pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, Edi Rama është përballur me protestues shqiptarë.

Siç shihet nga pamjet, teksa del nga aktiviteti, ai përballet me thirrjet “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë.”, “Turp”, “Anulo projektin”, “Anulo ligjin”, ishin disa prej thirrjeve kundër Ramës.

Ndërkohë që ky i fundit i ka përshëndetur me dorë protestuesit dhe më pas është futur në makinë.

Për më tepër shihni pamjet.

“Parlamenti i krimit”- Marshimi kilometrik i protestuesve: Jeni të shitur, jepni dorëheqjen!

Pas protestës dhe fjalimeve para Kryeministrisë, siç është bërë traditë protestuesit edhe këtë të 17-të të protestave kundër qeverisë Rama, vijuan me marshimin nëpër rrugët e Tiranës.

Sapo kaluan para parlamentit ata u ndalën duke brohoritur:

Parlameni i krimit si dhe Parlamenti i shitur!

Protesta masive kërkon largimin e qeverisë Rama dhe klasës së vjetër politike.

Pas disa orësh protestë para Kryeministrisë, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas u zhvendosën drejt Kryeministrisë, ku për disa orë u mbajtën fjalime nga studentë, mjekë, profesorë artistë dhe qytetarë të ndryshëm.

Gjatë fjalimeve, mesazhi kryesor i përcjellë nga protestuesit ka qenë kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit, me thirrje të përsëritura si “Rama jepe dorëheqjen”.

Pas përfundimit të fjalimeve, turma është nisur në marshim nëpër akset kryesore të kryeqytetit, duke vijuar protestën edhe jashtë sheshit para Kryeministrisë.

Një nga organizatorët, Arben Kola sqaroi dhe itinerarin që do të ndjekin protestuesit.

“Tajvani-Bashkia-Parlamenti (ndalese 5 min)-Shkolla Kosova-Shtepia e Europes(ndalese 5 min)-Kryeministria (perfundimi)”, tha Arben Kola.

Në krye të marshimit janë studentët, ndërsa qytetarët vijojnë të bëjnë thirrje për bashkim dhe pjesëmarrje më të madhe në ditët në vijim.

“Nesër më shumë”, “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Shqipëri e re”, thërrasin ata njëzëri.

“Ministrat s’kanë këllqe të flasin”, deklarata e fortë e Robert Aliajt në protestë: PS po konvertohet në Partinë e Punës!

Artisti Robert Aliaj ishte sot i pranishëm në protestën e 17-të për dorëheqjen e kryeministrit Rama. Teksa bërë deklarata të forta kundër Ramës, tha se PS po konvertohet në Parti e Punës.

Aliaj u ka bërë thirrje përfaqësuesve të shtetit dhe ministrave të dalin dhe të mbrojnë jo vetëm detyrën që kanë marrë, por edhe dinjitetin personal.

Robert Aliaj: Jam shumë i gëzuar që jam këtu sot krah studentëve. Është për mua dyfish kuptimplotë, sepse në vitin 2018 unë me Galën kemi qenë në protestën e studentëve dhe kemi luftuar e mbështetur me zemër. Ne nuk ia dolëm. Nuk ia dolëm me studentët, sepse na shkatërruan me të gjitha infiltrimet, me interesa e me probleme që po dalin edhe sot. Historia po përsëritet, por nuk duhet të përsëritet, duhet të mbarojë këtu.

I bëj thirrje të gjitha institucioneve publike apo private, në veçanti atyre publike që kanë përgjegjësi për detyrën që kanë, që nga universitetet, akademia, të vijnë këtu dhe të shprehen, të gjitha me radhë. Një qeveri që nuk mbështet interesat e brezit tuaj është armiku juaj. Është shumë e vërtetë. Ne nuk mund të lejojmë arrogancën sikur ky vend i përket një padroni dhe të bëhet si thotë ai.

Nuk mund të lejojmë një lider që flet në emër të përfaqësuesve të shtetit. Këtu nuk ka ministra, por një burrë që flet për të gjithë. Kjo nuk është demokraci. I bëj thirrje edhe përfaqësuesve të shtetit, njerëzve të zgjedhur nga ju, këtyre ministrave që nuk kanë, mos ta them, nuk kanë këllqe, nuk kanë bole, të dalin dhe të mbrojnë jo vetëm detyrën që kanë marrë, por edhe dinjitetin personal.

Po të isha unë ministër, nuk do hante mut një kryeministër të fliste në vendin tim. Nuk do ndodhte kjo. Sepse ky është precedent shumë i keq për PS-në, që po konvertohet si Parti e Punës, duke adhuruar një lider që të injoron deri në atë pikë sa të mos të japë fjalën për detyrën që ke. Është detyrim sot të dalësh të flasësh. Këtë detyrim e ka edhe kryeministri: të mos flasë nëpër TikTok dhe të bullizojë njerëzit, të bëjë tipologjinë e protestuesve, sepse duke ofenduar një protestues, ai harron që është shqiptar, mund të ishte edhe ai një qytetar, por që është një milion herë më i keq…

“Brezi im do ta shpëtojë këtë vend”- Vajza e artistit Robert Aliaj flet në protestë: Le t’i japim fund totalitarizmit! Mos lejoni politikën të ndotë lëvizjen tuaj

Mijëra vetë u mblodhën sërish sot në protestë për ditën e 17-të kundër qeverisë Rama. 

Disa prej qytetarëve folën në podiumin e improvizuar, një prej tyre ishte dhe vajza e artistit Robert Aliaj Dragot, Gala Dragot.

Ajo u shpreh se beson se brezi i saj do e bëjë ndryshimin në këtë vend. Ndërkaq iu tha protestuesve të mos lejojnë politikën të ndot lëvizjen e tyre, siç ndodhi me protestën e studentëve.

Gala Dragot: Jam shumë e entuziazmuar nga protesta juaj. Më bën të besoj se brezi im mund të bëj ndryshime. Jam kaq e lumtur që jeni kaq të ndërgjegjshëm për forcën që keni dhe për të ardhmen që doni. Kam qarë n protestën e studentëve me babain tim kur isha 13 vjeç. Me mbushi me shpresë por dështoi nga ndërhyja e politikanëve të dështuar.

Jam këtu për t’ju kujtuar se duhet të keni kurajo pa fund. Kurajo pa fund për të bërë ndryshime, për të rrëzuar këtë klasë politike të kalbur. Mos lejoni element politikë të ndotin lëvizjen tuaj. E ardhmja është e jona. Mos harroni, liria nuk dhurohet. Liria negociohet dhe duhet të luftosh për të. Jam e lumtur të them se brezi im do ta shpëtojë këtë vend. Le ti japim fund totalitarizmit, rroftë Shqipëria.

“Të erdhi fundi Edi Rama, bën mirë të ikësh!”- Mjeku Ermal Pashaj: Kot kërkon të fusësh përçarje mes protestuesve, jemi pasardhës të Gjergj Kastriotit! Jep dorëheqjen!

Kirurgu Ermal Pashaj ka mbajtur fjalën e tij gjatë protestës së 17-të të qytetarëve në Tiranë, duke iu drejtuar kryeministrit me thirrje për dorëheqje nga detyra.

Në fjalën e tij, Pashaj tha se protesta përfaqëson një reagim të gjerë qytetar, ku marrin pjesë të rinj dhe të reja që kërkojnë ndryshim dhe një të ardhme më të mirë për vendin.

“A i dëgjon more zoti kryeministër, që po dalin filizat? A i dëgjon që po qajnë edhe ata që janë vjedhur? Boll, ik me të mira. Boll na torturuat. Kjo është masë kritike dhe kjo masë kritike është rebelimi ndaj teje. Këtu ka djem e vajza, nuk janë sufllaqet e tua. Këtu ka njerëz që u ndriçojnë sytë, ka të rinj e të reja që e kanë syrin pushkë e gjakun barut”, deklaroi Pashaj.

Ai akuzoi kryeministrin se po përpiqet të krijojë përçarje mes protestuesve, ndërsa shtoi se qytetarët janë të bashkuar pavarësisht bindjeve politike.

“Kot kërkon të fusësh përçarje mes tyre. Të gjithë ne këtu jemi pasardhës të Gjergj Kastriotit dhe Gjergj Arianitit. Shqiptarët nuk përdhosen dhe nuk shiten”, tha ai.  “Të erdhi fundi Edi Rama, i erdhi fundi politikës së vjetër. Lironi këtë vend dhe lëreni rinisë, ajo do ta çojë përpara Shqipërinë”, deklaroi ai më tej.

Kirurgu Ermal Pashaj: A i dëgjon more zoti kryeministër, që po dalin filizat? A i dëgjon more zoti kryeministër, që po qajnë edhe ata që janë vjedhur, se ngele aty, u bëre rrap. Boll, ik me të mira. Boll na torturuat. Këtu u bë e disata ditë që nuk i konsideron. Nuk e konsideron këtë, por duhet të ta thonë ata që i ke mbrapa, se është masë kritike. Dhe kjo masë kritike është rebelimi ndaj teje.

Po ka djem e vajza këtu, nuk ka dosido, nuk janë sufllaqet e tua. Këtu ka njerëz që u ndriçojnë sytë, ka të rinj e të reja që e kanë syrin pushkë e gjakun barut.

Të tilla situata përsëriten rrallë në jetën tonë dhe ne duhet të bëhemi pjesë e kësaj. E kotë kërkon të fusësh përçarje mes tyre. Të gjithë ne këtu jemi nipër të Kastriotit, të Gjergj Arianitit, që kanë shitur shpirtin dhe kanë vdekur për atdhe. Mbaje mend mirë këtë fjalë.

Ti më kot mundohesh akoma. Bën mirë të ikësh e ta lësh këtë punë, ka gjak të ri. Dhe ata që ke mbrapa i ke bezdisur. Nuk të mbushet mendja se të është ngrohur karrigia shumë, por vëre gishtin kokës, se të tilla gjëra i ke parë se si kthehen.

Shqiptarët nuk përdhosen, nuk shitemi, jemi të gjithë bashkë. Të erdhi fundi, Edi Rama, i erdhi fundi politikës së vjetër. Lironi këtë vend dhe lëreni rinisë, ajo do e çojë para këtë vend.

Unë jam djalë i Shqipërisë, nga veriu në jug, pa dallime politike. Këtu na bën bashkë një mision dhe nuk do të shkulemi nga ky shesh pa përmbushur kërkesat tona. Janë të shenjta, të atyre që i ke përdhosur. Poshtë Edi Rama, ju erdhi fundi!

‘U bë Narta kos’/ Biologu i mjedisit sulmon Komisioneren e Zgjerimit: Garancitë nuk pijnë ujë, anuloni ligjin!

Një i ri, me profesion biolog mjedisi, sulmoi Komisioneren e Zgjerimit të BE, Marta Kos duke thënë se “Narta u bë kos”, pas deklaratës së saj se shteti shqiptar ka dhënë garanci për investimet në zonë. Ai tha se “garancitë s’pijnë më ujë” dhe ligji duhet të anulohet, ndërsa pati edhe një ‘sugjerim’ Ministrisë së Mjedisit.

"Mbase është më mirë të riemërtohet Ministria e Mjedisit dhe të quhet Ministria e Turizmit të Paqëndrueshëm. Rama, Marta Kos, nuk pijnë më ujë garancitë këtu! Anuloni ligjin, shkatërrimin dhe bëni një moratorium!”, tha biologu mjedisor.

“A keni parë protestë më të bukur se kjo? A keni parë që ndërkohë që fëmijët pikturojnë, prindërit, motrat e vëllezërit qëndrojnë këtu prej ditësh për të ardhmen e tyre? Sot morëm vesh që qenka bërë Narta kos dhe këtë e tha Marta Kos.

A ekziston diku tjetër në BE që bëhet vlerësimi i ndikimit në mjedis njëkohësisht me urat e rrugët e reja? Njëkohësisht, ndërkohë që biologët numërojnë shpendët, ndërtuesit bëjnë rrugë".

Protestuesit shkundin kastën politike: Nuk kemi opozitë, opozita jemi ne

“Nuk kemi opozitë. Opozita e vërtetë jemi ne!” Kjo ishte një nga thirrjet më të forta të artikuluara nga podiumi i protestës që po zhvillohet para Kryeministrisë, ku për të 17-ën ditë me radhë qytetarë nga zona të ndryshme të vendit janë mbledhur për të kundërshtuar qeverinë dhe klasën politike.

Mes pankartave, thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kritikave ndaj opozitës tradicionale, organizatorët deklaruan se qytetarët nuk ndihen më të përfaqësuar nga partitë politike dhe se protesta po merr rolin e opozitës reale në vend.

“Nuk kemi opozitë. Opozita e vërtetë jemi ne”, u tha nga podiumi, mes duartrokitjeve të protestuesve.

Lëvizja, e cila nisi si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, është shndërruar gjatë javëve të fundit në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë, por edhe kundër asaj që protestuesit e konsiderojnë si dështim të gjithë klasës politike.

Në tubimin e sotëm nuk munguan as thirrjet që janë bërë tashmë simbol i protestës, si “Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, apo “Rama në burg, Berisha në burg”.

Organizatorët theksuan se protestës po i bashkohen çdo ditë qytetarë të rinj, ndërsa mbështetje po vjen edhe nga diaspora shqiptare në vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë.

Pas më shumë se dy javësh tubime të përditshme, protestuesit këmbëngulin se lëvizja nuk do të ndalet dhe se synimi i tyre mbetet rritja e presionit qytetar ndaj qeverisë dhe elitës politike që, sipas tyre, ka humbur lidhjen me problemet reale të njerëzve.

Ironi, meme dhe mesazhe të forta, pankartat që “pushtuan” protestën!

Mijëra qytetarë po protestojnë për të 17-tën herë para Kryeministrisë, duke përcjellë mesazhe politike kritika ndaj qeverisë dhe thirrje për të shporrur kastën e vjetër të politikës.

Përgjatë tubimit, protestuesit shfaqën një larmi sloganesh dhe materialesh vizuale, duke kombinuar mesazhet politike me humorin dhe satirën.

Në mesin e turmës binin në sy pankarta me mbishkrime si “Zgjohu Shqipëri!”, “Shqipëri e re” dhe “Europe, can you hear us?”, të cilat synonin të përcillnin shqetësimet e protestuesve jo vetëm brenda vendit, por edhe tek partnerët ndërkombëtarë.

Një pjesë e konsiderueshme e pankartave kishin në fokus qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Protestuesit përdorën ilustrime, fotomontazhe dhe mesazhe ironike për të kritikuar politikat qeveritare, ndërsa disa prej tyre trajtonin tema që lidhen me korrupsionin, emigracionin, drejtësinë dhe menaxhimin e projekteve publike.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat