Pas marshimit në rrugët e Tiranës, mbyllet protesta e 50, qytetarët përsërisin thirrjen: Rama jepe dorëheqjen!

Shqipëria

Pas marshimit në rrugët e Tiranës, mbyllet protesta e 50, qytetarët përsërisin thirrjen: Rama jepe dorëheqjen!

Më: 19 korrik 2026 Në ora: 08:54 Përditësuar në ora: 21:55 më 19.07.2026
Protesta në Shqipëri kundër Ramës

Marshimi kilometrik në Tiranë, protestuesit thirrje qytetarëve nëpër kafene dhe rrugë: Bashkohuni me ne!

Me thirrje për t’u bashkuar me protestën dhe me sloganin “Shqipëria kërkon revolucion!”, qytetarët kanë vijuar marshimin kilometrik nëpër rrugët e kryeqytetit, ndërkohë që sonte zhvillohet edhe finalja e Kupës së Botës.

Gjatë kalimit nëpër disa prej zonave të frekuentuara të qytetit, protestuesit u janë drejtuar qytetarëve që ndodheshin në rrugë dhe në ambiente pranë rrugës, duke i ftuar t’i bashkohen qëndrimit të tyre.

“Bashkohuni me ne!”, ka qenë një nga thirrjet e përsëritura gjatë marshimit, ndërsa nuk kanë munguar edhe sloganet kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.

“Rama jepe dorëheqjen!” dhe “Ju erdhi fundi!” kanë qenë disa nga thirrjet që kanë shoqëruar ecjen e protestuesve nëpër kryeqytet.

“Rama jepe dorëheqjen!”- Qytetarët nuk dorëzohen, marshojnë nëpër Tiranë të vendosur

Pas 50 ditësh protestë të pandërprerë, qytetarët kanë vijuar edhe këtë mbrëmje marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Qindra protestues janë nisur nga zona para Kryeministrisë dhe kanë vijuar lëvizjen në disa prej akseve kryesore të Tiranës, duke e shoqëruar marshimin me slogane kundër qeverisë.

“Rama jepe dorëheqjen!”, “Poshtë diktatura!”, “Ju erdhi fundi!” dhe thirrje të tjera politike janë dëgjuar gjatë ecjes së qytetarëve në rrugët e kryeqytetit.

Protestuesit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen dhe se do të vijojnë tubimet e përditshme deri në largimin e kryeministrit.

“Kemi 50 ditë që na shajnë dhe ofendojnë!”- Aktivisti dekoron ‘protestuesit’ me medalje

Aktivisti Ardesian Binjakaj ka vlerësuar qëndresën e qytetarëve pas 50 ditësh protestë dhe i ka “dekoruar” ata me një medalje.

“Sot kam nderin t’ju dekoroj të gjithëve me një medalje letre, ma bëni hallall sepse nuk kam mundësi t’ju dekoroj, por ju e meritoni jo argjend, bronz, flori apo diamant, se nuk ka metal të çmuar që ua rrit dot prestigjin”, tha ai.

Ai hodhi poshtë etiketimet politike ndaj protestuesve si “fashistë, nazistë e komunistë”, duke theksuar se kjo lëvizje nuk përfaqëson krahë politikë, por qytetarë që kërkojnë të drejtat e tyre.

Aktivisti Ardesian Binjakaj: Sot kam nderin t’ju dekoroj të gjithëve me një medalje letre, ma bëni hallall sepse nuk kam mundësi t’ju dekoroj, por ju e meritoni jo argjend, bronz, flori apo diamant, por nuk ka metal të çmuar që ua rrit dot prestigjin. Nuk ka as edhe një lloj dhurate, as edhe një lloj urate që arrin dot prestigjin e shqiptarit të bashkuar. Keni treguar se jeni një forcë e pamposhtur.

Sot kemi bërë historinë dhe jemi futur në një nga protestat më të gjata të historisë së botës. Plot 50 ditë. 50 ditë që ne durojmë urrejtje, baltëhedhje, sharje, ofendime nga të gjitha anët. Por ne nuk u dorëzuam. Nuk u dorëzuam dhe nuk kemi ndërmend të dorëzohemi, sepse kauza jonë shkon përtej ditëve që rrimë në shesh. Jo vetëm 50 ditë, jo 150 ditë, por edhe 1150 ditë, ne prapë këtu do të vijmë.

Janë përpjekur të na përçajnë, të na etiketojnë. Ne jemi shqiptarë të Shqipërisë. Nuk jemi as të majtë, as të djathtë, nuk jemi fashistë, as nazistë e as komunistë. Jemi vetëm një popull që kërkon të drejtat. Të drejta legjitime që ju na i keni mohuar.

Prandaj, për ata që nuk janë në shesh, mesazhi është i qartë, ejani në protestë, sepse kemi demonstruar se 50 ditë nuk na trembin. Që 140 deputetë, që ndoshta na shajnë e na fyejnë, nuk na trembin. Kamerat që na vendosin këtu, komentet që bën kryeministri në mediat sociale, nuk na trembin. Ne nuk kemi frikë.

Protestuesi për deklaratën e ministres serbe: Ta shpallim person të pa dëshiruar! Qeveria nuk i do shqiptarët që jetojnë jashtë, por…

Një nga protestuesit që ka marrë fjalën në tubimin që po mbahet para Kryeministrisë ka reaguar në lidhje me deklaratën e ministres serbe, Snežana Paunoviç, e cila deklaroi për mediat në Serbi “se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit do ta spastronte etnikisht Kosovën më 1998”.

Protestuesi ka kërkuar që ministrja serbë të shpallet persona I pa dëshiruar në Republikën e Shqipërisë, ndërsa ka shtuar se diplomacia e Tiranës dhe ajo e Prishtinës duhet të bashkëpunojnë më shumë.

“Isha dhe javën e kaluar dhe fola këtu. Unë jam krenar për të gjithë këto flamuj. Unë dua ta nis së pari me një denoncim për një ministre serbe, e cila foli për spastrim etnik.
Dua që ta shpallim person ta padëshiruar. Unë dua që diplomacia shqiptare të jenë më shumë aktive në lidhje me ndërkombëtare. Ne duhet të punojmë më shumë në këtë drejtim.
Isha në Kukës dhe kanë vendosur doganë për të paguar 5 euro. Ajo është tarifë më e lartë se në SHBA.
Ne duam që të zhvillohemi dhe të shkojmë në BE. Pa ndihmën e SHBA, ne asnjëherë nuk ia dalim. Unë do marr pjesë në samitin e BE. Zoti e bekoftë Shqipërinë.”,
tha ai.

“Po përpiqen të na përçajnë”/ Berisha ndan videon e protestueses: Nuk dua të jem gjallë kur të ndodhë “mënxyra”! Nëse protesta dështon, rrezikojmë…

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërndarë në rrjetet sociale një pjesë nga fjala e një protestueseje, duke e shoqëruar me mesazhin: “Thirrje që duhet dëgjuar!”

Në fjalën e saj, protestuesja e përshkruan protestën si një bashkim të qytetarëve përtej bindjeve politike, duke theksuar se ajo ka afruar njerëz me profile dhe qëndrime të ndryshme, por me një kauzë të përbashkët. Sipas saj, protesta është një reagim për lirinë, meritokracinë dhe mundësinë që qytetarët të ndihen të vlerësuar në vendin e tyre.

Ajo ngriti shqetësimin se dështimi i protestës mund të sillte pasoja të rënda, duke paralajmëruar një zhgënjim të mëtejshëm të shtresave që, sipas saj, mbajnë vendin në këmbë përmes punës dhe arsimimit. Protestuesja tha gjithashtu se një nga pasojat e mundshme do të ishte një valë tjetër emigrimi, duke përmendur largimin e të rinjve dhe profesionistëve nga Shqipëria.Fjala e plotë: Për të thënë të vërtetën, filloi si një komedi shumë e shëmtuar që e quajti veten të lidhur me protestën. Dhe gjatë gjithë kësaj kohe kemi parë se si qeveria, pra ata të cilët… ata kundër të cilëve po protestojmë, kanë luajtur gjithashtu komedira të shumta të shëmtuara me qëllimin e vetëm, sigurisht, për të përçarë edhe për të zhbërë këtë nismë. Shumë të bukur, shumë të veçantë që bëri bashkë ata shqiptarë që janë qytetarë, punëtorë, familjarë, që i duan të mirën këtij vendi dhe që mendonin deri diku se ishin vetëm. Dhe kjo ishte mrekullia e kësaj proteste. Dhe kjo është arsyeja pse të gjithë ne kur vinim në bulevard, të paktën muajin e parë, ishim hera-herës edhe të mallëngjyer. Për të pasur pastaj një lumë, një lumë fytyrash që janë thënë për këtë protestë, nuk po e dëgjoj askund të thuhet gjëja më e rëndësishme, ose mbase është harruar, se kjo protestë ka bërë bashkë njerëz që vijnë nga rrethana nga më të ndryshmet dhe që kanë bindje nga më të ndryshmet, por bëhen bashkë nga një kauzë që është ajo e lirisë. Se të gjitha revolucionet kërkojnë të njëjtën gjë, që është gjithmonë liria, liria nga zgjedha e atyre që na e kanë bërë të vështirë që të ndihemi të shpërblyer dhe të gjejmë meritokracinë në këtë vend. Dhe sot po mendoja një skenar fatkeq hipotetik, në të cilin dëshira e madhe e të gjithë atyre që janë më të zëshëm kundër kësaj proteste bëhet realitet, dhe e zëmë se kjo protestë zhbëhet. Po pastaj? Kam përshtypjen që janë shumë të vetëdijshëm për atë që do të ndodhë pastaj dhe kjo është ajo që më trishton më shumë. Që ata e dinë që përtej gjithë atyre konspiracioneve, jo iraniani, jo ky, jo ajo, në fakt ka qytetarë të cilët janë këtu me shpirt, dhe e dinë shumë mirë se këta që janë një shtresë shumë e mirë e vendit tonë dhe janë ata që po e mbajnë vendin në këmbë, se janë ata që punojnë dhe janë ata që prodhojnë dhe janë ata që janë shkolluar dhe kanë zgjedhur të rrinë këtu për ta bërë këtë vend, ashtu sikundër për të bërë edhe veten e tyre në këtë vend sigurisht, se guri rëndon në vend të vet. Por çfarë do të ndodhë me ta pastaj? Do të ndodhë ajo që kjo shtresë, që mund t’i ishte dhënë në dorë që ta bënte vendin, do frustrohet, do ndihet akoma më e shtypur. Nuk do lejohet që të japë më të mirën e vet. Do të vazhdojë t’i jepet vendi atyre që u është dhënë deri tani, që janë patronazhistë, që janë njerëz që këtij vendi vetëm i marrin, i marrin, i marrin pa i dhënë asgjë mbrapsht, në mënyrë parazitare. E kam thënë që vërtetë ndonjëherë druaj se kjo protestë mund të jetë pikënisja e një tjetër eksodi shqiptarësh, dhe më vjen keq se ky eksod do ishte… do ishte shterues për trurin e këtij vendi. Është ajo që thuhet ikja e trurit që ka ndodhur deri më tani, se më shumë se 400 mijë shqiptarë janë larguar këto 10 vitet e fundit nga Shqipëria dhe këto janë të dhëna zyrtare. Po çfarë do të ndodhte sikur ti këta njerëz, që vijnë me shpresën e mirë për ta bërë këtë vend, për ta ndryshuar, ti i izolon, i segregaton, i bën të ndihen se sakrifica dhe mundi i tyre ka shkuar dëm? Mendoj që kjo do ishte… do ta përjetonim që të gjithë ne. Dhe ky do ishte skenari më i tmerrshëm, sepse nëse këta njerëz që janë shpresa që i ka ngelur këtij vendi, se shpresa për një të ardhme më të mirë janë gjithmonë njerëzit e shkolluar që punojnë, ata që vazhdojnë t’i besojnë disa idealeve dhe nuk tregohen cinikë. Dhe do ia linin këtë vend të hapur që të mund të bënin festë pikërisht këta njerëz që deri më sot e kanë shitur dinjitetin njerëzor, kanë shitur… kanë bërë kompromise që as llogariten fare, po tani po shesin edhe vendin. Ja këta do ngeleshin. Edhe e di, nuk do kishte më njeri për t’u thënë ‘stop’ dhe nuk do ngelte më njeri për t’i ndaluar. Dhe kjo është arsyeja pse po bëhemi 50 ditë që dalim këtu pavarësisht diferencave që mund të kemi me njëri-tjetrin. Nuk ka mënyrë tjetër se si mund ta luftojmë atë që po përpiqen të bëjnë, të na përçajnë, të na sugjestionojnë… Vetëm duke dalë në protestë, nuk ka mënyrë tjetër. Unë nuk di ndonjë mënyrë më të mirë, sepse nuk dua të jem gjallë, kudo ku të jem, nuk dua të jem gjallë në atë ditë kur ky të mbetet vendi i mënxyrës dhe vendi i parazitizmit.

Nesër protestë para Kuvendit, aktivisti paralajmëron: Më 23 tubimi i madh! T’i tregojmë Ramës që nuk e duam më

Protestat qytetare kundër qeverisë vijon prej 50 ditësh edhe në ditët në vijim, ndërsa aktivistët kanë paralajmëruar një tubim të madh më 23 korrik përpara Kuvendit të Shqipërisë.

Një prej aktivistëve deklaroi se qytetarët kanë protestuar prej 50 ditësh me radhë për t’i përcjellë një mesazh kryeministrit Edi Rama.

“Protestojmë prej 50 ditësh që t’i tregojmë këtij që nuk e duam më. Më 23 do të jetë seanca dhe aty do të mbajmë protestë të madhe”, u shpreh ai.

Sipas tij, një protestë simbolike do të zhvillohet edhe ditën e nesërme para godinës së Kuvendit, ndërsa më 23 korrik pritet një mobilizim më i gjerë.

“Nesër do të bëhet diçka simbolike para Kuvendit. Më 23 në mëngjes do të jetë protesta e madhe para Parlamentit”, deklaroi aktivisti.

Protestuesit kanë vijuar prej shtatë javësh tubimet në Tiranë, duke kërkuar ndryshime politike dhe duke deklaruar se do të vazhdojnë rezistencën qytetare edhe në ditët në vijim.

“Rama jep dorëheqjen!”/ 50 ditë revoltë! Personazhet e njohura që iu bashkuan protestave të qytetarëve

Protesta qytetare kundër qeverisë vijon edhe këtë të diel, duke shënuar ditën e 50 radhazi të mobilizimit në rrugët e Tiranës.

Qytetarët mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku janë mbajtur fjalime dhe janë përsëritur thirrjet për ndryshim politik dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë javëve të fundit, protestës i janë bashkuar edhe një sërë figurash publike nga fusha e artit, medias dhe ekranit, të cilët kanë zgjedhur të jenë pjesë e tubimeve qytetare.

Mes pjesëmarrësve janë parë aktorët e humorit Albano Bogdo dhe Irgen Çela, të cilët kanë lënë mënjanë angazhimet e tyre artistike për t’iu bashkuar marshimit së bashku me qytetarët.

Në protestë është parë edhe këngëtari Klajdi Musabelliu, i cili më herët ka shprehur publikisht qëndrimet e tij kritike ndaj situatës sociale dhe institucioneve. Ai ka marrë pjesë në marshim së bashku me protestuesit përgjatë rrugëve të kryeqytetit.

E pranishme ka qenë edhe këngëtarja Eranda Libohova, e cila është shfaqur mes protestuesve me një pankartë me mesazh satirik, duke tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve.

Gjithashtu, në radhët e protestuesve është parë analistja Balina Bodinaku, ndërsa pjesë e tubimit ka qenë edhe Nikol, e njohur nga një reality show, e cila është bashkuar me të rinjtë që kanë marrë pjesë në protestë.

Ndër emrat që janë bërë pjesë aktive e protestës gjatë javëve të fundit janë edhe blogerja Dea Mishel, gazetarja Sonila Meço, moderatorja Fjoralba Ponari, aktivistja e shoqërisë civile Dorina Mema, si dhe moderatorja Dojna Mema së bashku me bashkëshortin e saj, Vlashentin.

Dea Mishel është kthyer në një nga figurat më të përfolura të protestës, duke qenë e pranishme në mënyrë të vazhdueshme dhe duke shprehur publikisht mbështetjen e saj për kauzën e qytetarëve.

Edhe Sonila Meço ka qenë ndër zërat publikë që ka reaguar për zhvillimet politike dhe sociale, ndërsa është parë shpesh në shesh mes protestuesve.

Fjoralba Ponari, e cila u bë pjesë e debatit publik pas deklaratave dhe ironive të kryeministrit Rama ndaj disa personazheve publikë, ka vijuar pjesëmarrjen e saj në protestë.

VIP-at zbresin në shesh, i bashkohen protestës kundër Edi Ramës, para Kryeministrisë

Protesta qytetare kundër qeverisë vijon edhe këtë të diel, duke shënuar ditën e 50-të radhazi.

Qytetarët pritet të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë.

Ndërkohë në tubimi e djeshëm janë parë edhe disa emra të njohur të artit dhe televizionit.

Mes pjesëmarrësve ishin aktorët e humorit Albano Bogdo dhe Irgen Çela, të cilët këtë herë u bashkuan me protestuesit, duke lënë mënjanë rolet e tyre artistike dhe duke marrë pjesë në marshim.

Në protestë mori pjesë edhe këngëtari Klajdi Musabelliu, i cili më herët ka shprehur publikisht pakënaqësitë e tij ndaj institucioneve dhe situatës sociale. Ai u pa duke ecur së bashku me qytetarët përgjatë itinerarit të protestës.

E pranishme ishte edhe këngëtarja Eranda Libohova, e cila rrallëherë është angazhuar publikisht në çështje politike. Ajo u shfaq mes protestuesve duke mbajtur një pankartë me mesazh satirik, që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve.

Në tubim u pa gjithashtu analistja Balina Bodinaku, e cila iu bashkua protestuesve dhe thirrjeve të tyre gjatë marshimit.

Mes pjesëmarrësve ishte edhe Nikol, e njohur për publikun nga një reality show, e cila u bashkua me protestën së bashku me të rinj të tjerë.

Prania e personazheve të njohur në protestën para Kryeministrisë ka tërhequr vëmendje, ndërsa tubimet kundër qeverisë po vijojnë prej shtatë javësh me radhë.

Image
Image
Image
Image

“Për 50 ditë në rrugët e Tiranës vijojnë thirrjet për dorëheqjen e Edi Ramës”/ Partia Demokratike Europiane: Protestuesit kërkojnë ripërtëritje të thellë demokratike. Të dëgjohen!

Partia Demokratike Europiane ka reaguar për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke shprehur mbështetje për protestuesit paqësorë të “Revolucionit Flamingo”.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Partia Demokratike Europiane  thekson se rrugët e Tiranës u mbushën sërish me protestues, ndërsa lëvizja ka vijuar për 50 ditë radhazi me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Sipas deklaratës, protestuesit kërkojnë më shumë sesa një ndryshim qeverie. Ata, synojnë një ripërtëritje të thellë demokratike, të bazuar në transparencë, llogaridhënie dhe sundimin e ligjit.

“Protestuesit paqësorë meritojnë të dëgjohen, jo të tallen ose të shpërfillen. Flamingot nuk duhet të dëbohen kurrë. Ata duhet të dëgjohen. Këtu fillon demokracia”, thuhet në reagim.

Postimi i plotë:

Mbrëmë, rrugët e Tiranës u mbushën sërish me njerëz. Për 50 ditë rresht, Revolucioni Flamingo i Shqipërisë ka vazhduar thirrjen e tij për dorëheqjen e Edi Ramës, duke refuzuar një opozitë që shumë e shohin si pjesë të të njëjtit establishment politik të diskredituar.

Kërkesa e tyre nuk është thjesht për një ndryshim qeverie, por për një ripërtëritje të thellë demokratike, të ndërtuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe sundimin e ligjit

Protestuesit paqësorë meritojnë të dëgjohen, jo të tallen apo të shpërfillen. Flamingot nuk duhet të dëbohen kurrë. Ato duhet të dëgjohen. Pikërisht aty fillon demokracia.

Sot dita e 50 e rezistencës, shqiptarët në protestë kundër kryeministrit: Rama jepe dorëheqjen

Rezistenca qytetare hyn sot në ditën e 50-të të saj, duke shënuar një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë pluraliste në këto 35 vite.

Kërkesa është e panegocueshme, teksa mijëra qytetarë shqiptarë mblidhen çdo natë në bulevardin para Kryeministrisë ku mbajnë fjalime dhe më pas marshojnë rrugëve të Tiranës, duke sensibilizuar.

Me thirrjet “Nesër më shumë”, “Rama jep dorëheqjen” qytetarët përfundojnë marshimin e tyre çdo natë.

Thirrje të tjera janë “Shqipëria nuk është në shitje”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama në burg, Belinda në burg”, “Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun”, “Rama, SPAK You”, “Revolucion”, “Opozitë e shitur”, “Nuk dorëzohemi deri në fund” dhe të tjera.

Protestuesit u mblodhën edhe dje, në ditën e 49-të të protestës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, me një pjesëmarrje masive.

Protesta nisi në orën 19:00 me grumbullimin e pjesëmarrësve në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas ata marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime dhe u përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit.

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke brohoritur slogane si “Poshtë patronazhistët”, “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Parlament analfabet” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Gjatë marshimit u dëgjuan gjithashtu thirrje që kërkonin arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si edhe slogane të tjera politike.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit deklarojnë se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se do të vazhdojnë mobilizimin e tyre deri në realizimin e kërkesave që kanë paraqitur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat