Protesta e 61-të, nis grumbullimi i qytetarëve në Sheshin “Skënderbej”
Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në Sheshin “Skënderbej” për protestën e 61-të kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit po mblidhen në qendër të Tiranës, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në vazhdim të protestave të përditshme. Pas grumbullimit në shesh, ata pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen edhe fjalimet.
Në zonë janë angazhuar forca të Policisë së Shtetit për të garantuar rendin dhe mbarëvajtjen e tubimit.
Organizatorët kanë theksuar se protesta është pjesë e vazhdimit të qëndresës qytetare, me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
"Bota sot" do të sjellë në kohë reale zhvillimet nga protesta e 61-të në kryeqytetin shqiptar.
Nuk ndalen shqiptarët, sot dita e 61 e protestës! Qytetarët mblidhen sërish, kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës
Sot shënohen 61 ditë nga nisja e protestës qytetarë, e cili nisi si kundërshti për një projekt turistik në Zvërnec, por tashmë ka marrë përmasa më të gjëra politike.
Qytetarët dalin çdo ditë duke shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj klasës politike shqiptare, ndërsa kërkesa kryesore e tyre tashmë është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Si çdo ditë qytetarët mblidhen në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshojnë drejt kryeministrisë.
Edhe në tubimin e një dite më parë, aktivistët deklaruan se nuk kanë ndërmend të tërhiqen. Ata e cilësuan dy muajt e protestës si një dëshmi të qëndresës qytetare dhe ritheksuan se mobilizimi do të vazhdojë deri në arritjen e objektivave të shpallura.
Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e Tiranës, duke përsëritur thirrjet “Rama ik”, “Dorëheqje”, “Shqipëri e re” dhe “Revolucion”.