Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është ndalur te vizita e tij e shtatorit në Shtetet e Bashkuara, ku mori pjesë në Konventën Republikane të zhvilluar më 9 dhe 10 shtator në Dallas të Teksasit.
Berisha e cilësoi konventën si një nga ngjarjet më të mëdha elektorale që ka ndjekur gjatë karrierës së tij politike dhe u ndal veçanërisht te dy fjalimet e presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas Berishës, Trump identifikoi komunizmin dhe kartelet e drogës si dy rreziqe kryesore. Kreu i PD-së e lidhi këtë pjesë të fjalimit me akuzat që opozita shqiptare ngre ndaj qeverisë së Edi Ramës.
“Për fatin më të keq, ato janë dy shtyllat kryesore të regjimit të Edi Ramës”, deklaroi Berisha, duke shtuar se fjalimi i Trump përbënte, sipas interpretimit të tij, mbështetje për forcat që përballen me këto fenomene në vendet e tyre.
Berisha tha se vizita në SHBA nuk u kufizua vetëm te pjesëmarrja në konventë. Sipas tij, delegacioni zhvilloi një seri takimesh me kongresmenë, drejtues komisionesh në Kongres, senatorë dhe zyrtarë të administratës Trump.
Kreu demokrat deklaroi se në qendër të bisedimeve vendosi dy çështje: akuzat e opozitës për lidhjet e krimit me politikën dhe pretendimet e saj për kontroll politik mbi sistemin e drejtësisë.
“Ne paraqitëm realitetin shqiptar sipas versionit tonë të opozitës”, tha Berisha. Ai shtoi se gjatë takimeve ngriti edhe pretendimet e PD-së për përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje dhe ndikimin e krimit të organizuar në ekonomi dhe institucione.
Berisha iu referua gjithashtu diskutimeve në Kongresin amerikan për krimin transnacional dhe Shqipërinë, duke deklaruar se çështjet e ngritura nga opozita shqiptare njiheshin nga bashkëbiseduesit amerikanë.
Kreu i PD-së tha se një pjesë tjetër e rëndësishme e vizitës ishin takimet me diasporën shqiptare në SHBA.
Sipas tij, në këto takime morën pjesë edhe Fatmir Mediu, Belind Këlliçi, Enri Çeno, Klevis Balliu dhe Albana Vokshi. Berisha e krahasoi pritjen e diasporës me kontaktet që opozita e fillimit të viteve ’90 kishte me shqiptarët në SHBA.
Ai deklaroi se përfaqësues të diasporës shprehën gatishmëri për të mbështetur opozitën shqiptare dhe për të përdorur kontaktet e tyre me ligjvënës dhe zyrtarë amerikanë për çështjet që PD ngre në Shqipëri dhe Kosovë.
“Ky udhëtim i fillimit të shtatorit të vitit 2026, ndonëse ishte 35 vite larg të parit, për sa i përket rëndësisë dhe mikpritjes vëllazërore, ngjasonin shumë njëri me tjetrin”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së falënderoi përfaqësuesit e diasporës dhe tha se pret angazhimin e tyre në mbështetje të aksionit politik të opozitës kundër qeverisë së Edi Ramës.