Goditja e SPAK ndaj kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, ndaj së cilës u dha masa e pezullimit dhe arrestit në shtëpi dhe më pas u shkarkua nga detyra, shkaktoi debate në Komisionin e Ligjeve.
Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi deklaroi se sot në rend dite në Komision duhet të ishte skandali i Vlora Hysenit. Ai theksoi se shteti është krimbur, ndërsa kreu i institucionit më të rëndësishëm të vendit rezulton se ka lidhje me persona të krimit të organizuar.
Ai theksoi se Parlamenti duhet të mblidhet sa më parë dhe se përgjegjësia e Hysenit nuk është individuale, por edhe e Edi Ramës.
“Rend dite sot në çdo komision duhet të ishte skandali i djeshëm, kjo reforma ka për sfond skandalin e djeshëm, drejtoresha e SHISH, që arrestohet nga SPAK për lidhje me krimin e organizuar. Ky shtet është i krimbur nga koka te këmbët. Ky parlament duhet të mblidhet sot. Ku është ekzekutivi. Çfarë po ndodh në këtë vend. Si ka mundësi që krimi i organizuar të ketë penetruar në nyjet nevralgjike kryesore të shtetit. SHISH, AKSHI, Kadastra, ministritë e çdo gjë…një shtet i rënë. Se mos ia vini fajin asaj drejtoreshës, është kryeministri. Ajo e djeshmja është vetëm një puçër e sistemit që është infektuar në të gjitha qelizat e veta me një emër infeksioni, Edi Rama.”, tha ai.
Ndërsa deputeti Saimir Korreshi bëri ironi për faktin se Presidenti Bajram Begaj nuk ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Kur ndryshuat sallën, mendova se ka ardhur Baromi për të mbledhjen e këshillit të sigurisë kombëtare se ka rënë shteti, dhe është ulur siguresa. Sikur këtu nuk ka ndodhur, do të ndajmë harta, do të bëjmë kooperativë…Ky Kuvend a ka ndonjëherë prioritete kur bie siguria kombëtare. Sot kush e ruan shtetin tonë. Baromi duhet të ishte në këtë sallë për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.”, tha ai.