LIVE: ​Tirana në kaos, protestuesit sulmojnë ministritë, Kryeministrinë, bizneset, përplasje me policinë

Shqipëria

LIVE: ​Tirana në kaos, protestuesit sulmojnë ministritë, Kryeministrinë, bizneset, përplasje me policinë

Më: 14 tetor 2026 Në ora: 11:31 Përditësuar në ora: 19:07 më 14.10.2026
Protesta në Tiranë

“Arma” e policisë ndaj protestuesve, si duken granatat e dorës me gaz lotsjellës

Protestuesit vijojnë me dhunën në rrugët dhe institucionet tona, teksa policia ka ndryshuar strategji, duke qenë më pasive dhe reaguese nëpërmjet mjeteve alternative.

Granatat e dorës me gaz lotsjellës kanë qenë shumë të përdorura sot, teksa gazetarja Elda Menga ka arritur të sigurojë njërën prej tyre.

Kjo në foto është pamja e granatës, teksa duket se afati i skadencës së saj është në vitin 2030.

Protestat e dhunshme, 7 protestues të lënduar, tre prej tyre vijojnë të qëndrojnë në spital. Në urgjencë edhe 4 policë

Shtatë protestues dhe katër efektivë policie, kanë mbetur të lënduar në protestën e studentëve që vijon prej më shumë se 9 orësh.

Sipas përditësimit të orës 18:40 nga Spitali Universitar i Traumës (SUT), vetëm tre protestues ndodhen ende në spital, teksa janë të vetëdijshëm dhe paraqiten me gjendje shëndetësore stabël.

Ndërkohë, katër protestues të tjerë kanë marrë mjekimin në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe janë larguar, duke vijuar kujdesin shëndetësor në mënyrë ambulatore.

Po ashtu në spital, aty ku po marrin mjekim janë edhe katër efektivë policie.

Ambasada amerikane paralajmëron sërish shtetasit e vet: Protesta e dhunshme mund të përhapet

Ambasada amerikanë në Tiranë ka reagoi sërish pas përplasjeve të shënuara pasditen e së mërkurës gjatë protestës së nisur në Rrugën e Durrësit dhe të zhvendosur më tej para kryeministrisë.

Përmes një mesazhi drejtuar shtetasve amerikanë në Tiranë ambasada thekson se protesta është shndërruar në akte të dhunshme dhe rrezikon të përhapet në ndërtesat qeveritare.

“Një protestë në Rrugën e Durrësit, ngjitur me Sheshin Skënderbej, është duke vazhduar aktualisht dhe është shndërruar në të dhunshme për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht prani të shtuar të policisë, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Personelit të Ambasadës në Tiranë është këshilluar të shmangë demonstratat.

Ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit”, thuhet në njoftimin e SHBA.

“Digjet” Kryeministria, tym e flakë te godina qeveritare

Përshkallëzohet situata përpara godinës së qeverisë. Protestuesit kanë depërtuar brenda rrethimit të Kryeministrisë, ndërsa pemët janë përfshirë nga një zjarr që ka marrë përmasa të mëdha. Policia është përgjigjur duke hedhur sasi të mëdha gazi lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Situata përpara Kryeministrisë është tensionuar ndjeshëm, pasi një grup protestuesish ka arritur të hyjë në hapësirën brenda rrethimit të godinës së qeverisë, ku pemët janë përfshirë nga flakët.

Zjarri ka marrë përmasa të mëdha, ndërsa forcat e policisë kanë reaguar duke hedhur gaz lotsjellës me shumicë në drejtim të demonstruesve, në përpjekje për t'i larguar nga zona.

Depërtimi brenda rrethimit të Kryeministrisë ka ndodhur pas përplasjeve të forta në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit kanë sulmuar me gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit.

Policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa në zonë janë vendosur forca të shumta policore.

Më herët, demonstruesit kishin nxjerrë në mes të bulevardit vazo të mëdha lulesh, barriera metalike dhe objekte të tjera, duke krijuar pengesa për të bllokuar kalimin e automjeteve policore që përdorin ujë me presion.

Pavarësisht pranisë së madhe policore dhe përdorimit të mjeteve për shpërndarjen e turmës, një pjesë e protestuesve ka arritur të depërtojë në hapësirën e rrethuar të institucionit.

Flakët që kanë përfshirë pemët dhe hedhja e sasive të mëdha të gazit lotsjellës kanë shtuar tensionet përpara godinës së qeverisë.

Ende nuk ka të dhëna të konfirmuara për dëmet e shkaktuara nga zjarri apo për persona të lënduar gjatë incidentit.

Presidenti Begaj bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi: Pakënaqësia të mos shprehet me dhunë!

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka reaguar lidhur me incidentet e krijuara sot për shkak të protestës e cila ka marrë përmasa të mëdha.

Në njoftimin zyrtar Begaj bën thirrje të gjitha palëve të vetëpërmbahen për të mos përshkallëzuar më tej situatën.

Begaj thekson se zhvillimi i një proteste paqësore është një e drejtë por jo nëpërmjet dhunës. Ai shprehet i hapur për të dëgjuar çdo shqetësim nga qytetarët dhe çdokush të veprojë me përgjegjësi.

“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje.

E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit.

Në këtë moment, vendit  i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim.

 Mbetem i gatshëm të dëgjoj te gjitha shqetesimet.

Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit.” – u shpreh Presidenti i Republikës nëpërmjet facebook-ut.

Përshkallëzohet situata, tym e flakë në katin e parë të Ministrisë së Financave

Tensionet gjatë protestës studentore në Tiranë marrin një tjetër kthesë. Flakët kanë përfshirë katin e parë të Ministrisë së Financave, ndërsa tymi del nga godina. Incidenti vjen pas sulmeve me gurë ndaj institucioneve dhe hyrjes me forcë të protestuesve në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Situata është përshkallëzuar më tej gjatë protestës studentore në Tiranë, ku një zjarr ka përfshirë katin e parë të godinës së Ministrisë së Financave.

Flakët dhe tymi janë të dukshëm në këtë pjesë të ndërtesës, duke shënuar një tjetër incident të rëndë gjatë protestës së kësaj të mërkure.

Zjarri në Ministrinë e Financave vjen pas një serie sulmesh ndaj institucioneve shtetërore. Më herët, një grup protestuesish theu derën hyrëse të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, duke arritur të futej në ambientet e brendshme.

Nga godina u nxorën objekte të ndryshme, të cilave më pas iu vu flaka. Gjithashtu, disa ministri u goditën me gurë dhe sende të forta, duke shkaktuar thyerje xhamash dhe dëmtime materiale.

Gjatë këtyre incidenteve nuk është raportuar për ndërhyrje të policisë pranë godinave të sulmuara, ndërsa më herët forcat e rendit kishin përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.

Përshkallëzimi i fundit vjen pas disa orësh tensionesh, gjatë të cilave janë regjistruar edhe zjarre në rrugë dhe dëmtime të pronës publike e private.

Ende nuk ka të dhëna të konfirmuara për përmasat e dëmeve në katin e parë të Ministrisë së Financave apo nëse ka persona të lënduar nga zjarri.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse flakët janë përhapur në pjesë të tjera të godinës.

Protesta në Tiranë, reagon ambasada britanike: E drejta për të protestuar nuk legjitimon dhunën

Ambasada britanike në Tiranë ka reaguar pas përplasjeve të shënuara në ditën e dytë të protestës para Ministrisë së Arsimit.

Në një postim në faqen zyrtare në Facebook të Ministrisë theksohet se e drejta për të protestuar nuk e legjitimon përdorimin e dhunës apo dëmtimin e pronës publike dhe private.

“Ambasada Britanike në Tiranë nënvizon rëndësinë e të drejtës për protestë paqësore dhe lirisë së shprehjes, të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Megjithatë, e drejta për të protestuar nuk legjitimon përdorimin e dhunës apo dëmtimin e pronës publike dhe private. Sikundër, ajo nuk duhet të përballet me veprime joproporcionale nga policia.

Ambasada Britanike u bën thirrje të gjitha palëve të respektojnë këto të drejta dhe të kontribuojnë në uljen e tensioneve” thuhet në reagimin e saj në rrjete sociale. 

Lëndohet mjeku Ermal Pashaj, Berisha publikon videon

Mjeku i njohur Ermal Pashaj i cili ka mbështetur protestat e studentëve ka mbetur i lënduar në protestën e sotme.

Lajmin e la shpërndarë në rrjetet sociale kreu demokrat Sali Berisha, duke ndarë edhe videon, ku shihet mjeku i lënduar me spray në sy, ndërsa në duar mban flamurin kombëtar.

“Flamurtari helmohet me gaz, vetëm se mban flamurin e kombit!

Ata janë armiq primitivë të Flamurit!”, shkruan Berisha.

Ermal Pashaj ka qenë i pranishëm çdo ditë në bulevardin Dëshmorët e Kombit që nga nisja e protestave të “Revolucionit Flamingo”. 

Studentët e Durrësit solidarizohen me protestuesit në Tiranë, paralajmërojnë tubim nesër

Studentët e Durrësit kanë paralajmëruar zhvillimin e një proteste ditën e nesërme, në orën 08:30, pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” (UAMD), në shenjë solidariteti me protestuesit në Tiranë.

Njoftimi vjen në një kohë kur situata në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar, me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, kryesisht përgjatë Rrugës së Durrësit.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit kanë ngritur barrikada në rrugë, ndërsa policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën.

Me tubimin e paralajmëruar pranë UAMD-së, studentët e Durrësit synojnë të shprehin mbështetjen e tyre për demonstruesit në Tiranë, duke e shtrirë protestën edhe jashtë kryeqytetit.

Protesta e studentëve, shkon në 20 numri i personave të shoqëruar nga policia

Tensione dhe përplasje mes studentëve protestues dhe forcave të policisë janë regjistruar gjatë tubimit para Ministrisë së Arsimit, ku të rinjtë kanë kundërshtuar ndërhyrjen e efektivëve duke hedhur gurë në drejtim të tyre.

Situata është përshkallëzuar, ndërsa policia ka përdorur ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Megjithatë, studentët nuk janë tërhequr, duke vijuar qëndresën në sheshin përpara ministrisë.

Ndërkohë, policia ka ndërhyrë për të vënë situatën nën kontroll, duke shoqëruar deri më tani 20 të rinj në lidhje me incidentet e ndodhura gjatë protestës.

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, situata mbetet e tensionuar, ndërsa protestuesit vijojnë të qëndrojnë në zonën përpara Ministrisë së Arsimit.

Protestuesit kanë ngritur gjithashtu barrikada në mes të Rrugës së Durrësit, duke bllokuar qarkullimin dhe duke refuzuar të largohen nga zona.

Më herët, gjatë protestës, janë regjistruar edhe incidente me zjarrvënie në godinën e Ministrisë së Arsimit dhe në një objekt në pronësi të një biznesi privat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat