Përshkallëzohet protesta para ministrisë së Arsimit, studentët shkulin kangjellat
Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit është përshkallëzuar. Të rinjtë kanë shkulur kangjellat përpara institucionit.
Situata është tensionuar teksa studentët vijojnë protestën, duke kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet nga autoritetet.
Ndërkohë pranë ministrisë së Arsimit ka edhe prezencë të shtuar të forcave të rendit, por deri tani nuk kanë ndërhyrë.
Protesta nisi me marshimin e studentëve të Mjekësisë, të cilëve më pas iu bashkuan edhe studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe fakulteteve te tjera.
Ovacione dhe duartrokitje! Studentët thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës: Çohuni nga kafja!
Studentët që po protestojnë në Tiranë u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe kalimtarëve që t’u bashkohen në tubim, teksa vijojnë marshimin në rrugët e kryeqytetit.
“Çohuni nga kafja!”, është thirrja që studentët u drejtojnë qytetarëve, duke kërkuar mbështetjen e tyre në protestë.
Marshimi i tyre po vijon në drejtim të Rrugës së Durrësit, ndërsa studentët po përpiqen të mobilizojnë edhe qytetarët që hasin gjatë lëvizjes në kryeqytet.
Studentët thyejnë derën e FSHN-së, marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit
Sot mbahet dita e dytë e protestës studentore në Tiranë.
Studentët e shumë Universitetit të Mjekësisë, UBT-së, Politeknikut, fakultetit të Drejtësisë etj. kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit.
Tensione ka pasur edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ndërsa disa protestues kanë thyer derën kryesore dhe janë futur në ambientet e brendshme të fakultetit.
Gjimnazistët e shkollës “Partizani” i janë bashkuar studentëve dhe të rinjve në revoltë.
Gjithashtu, edhe në universitetet e disa rretheve ka nisur bojkotimi i mësimit, në shenjë solidariteti me studentët në Tiranë.