LIVE: ​Tirana në kaos, protestuesit sulmojnë ministritë, Kryeministrinë, bizneset, përplasje me policinë

Shqipëria

LIVE: ​Tirana në kaos, protestuesit sulmojnë ministritë, Kryeministrinë, bizneset, përplasje me policinë

Më: 14 tetor 2026 Në ora: 11:31 Përditësuar në ora: 16:07 më 14.10.2026
Protesta në Tiranë

“Një nga protestuesit ka vdekur para 10 minutash”/ Ministria e Shëndetësisë reagon pas lajmeve të shpërndara

Ministria e Shëndetësisë ka informuar mbi gjendjen shëndetësore të personave të paraqitur në strukturat spitalore pas protestës.

Në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) është paraqitur një protestues, i cili po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore. Ai paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore dhe është koshient.

Gjithashtu, në këtë strukturë spitalore është paraqitur një efektiv policie, i cili, pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, është larguar me këshillën e mjekut.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me dëmtime të lehta. Dy prej tyre janë larguar nga spitali pas marrjes së trajtimit mjekësor, ndërsa personi i tretë vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Po ashtu ministria sqaron se informacionet që po qarkullojnë në rrjet se një person ka humbur jetën, janë të pavërteta

Përshkallëzohet protesta/ Tubuesit i vënë flakën institucionit financiar, zjarri merr përmasa të frikshme

Është përshkallëzuar protesta në afërsi të Ministrisë së Arsimit.

Protestuesit i kanë vënë flakën katit të dytë të një institucioni financiar.

Siç shihet edhe nga pamjet, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke marrë përmasa të frikshme dhe duke rrezikuar edhe godinat përreth.

Përshkallëzohet protesta! Ministria e Arsimit në flakë, shoqërohen 20 persona, dëmtohen edhe disa biznese

Sot mbahet dita e dytë e protestës studentore në Tiranë.

Studentët e shumë Universitetit të Mjekësisë, UBT-së, Politeknikut, fakultetit të Drejtësisë etj. janë grumbulluar para Ministrisë së Arsimit, ndërsa ka nisur hedhja e sendeve piroteknike drejt godinës, teksa para saj u pozicionua dhe policia.

Tensione ka pasur edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ndërsa disa protestues kanë thyer derën kryesore dhe janë futur në ambientet e brendshme të fakultetit.

Gjimnazistët e shkollës “Partizani” i janë bashkuar studentëve dhe të rinjve në revoltë.

Gjithashtu, edhe në universitetet e Elbasanit dhe Shkodrës kanë nisur bojkotimi i mësimit, në shenjë solidariteti me studentët në Tiranë, ndërsa në Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër çdo gjë vijon normalisht.

Tubimi përpara Ministrisë së Arsimit, protestuesit u kërkojnë deputetëve të PD-së të largohen

Të pranishëm në protestën e Ministrisë së Arsimit ishin edhe disa nga deputetët e PD-së.

Gjithsesi, disa nga protestuesit nuk i mirëpritën, duke u kërkuar të largohen.

Belind Këlliçi dhe Enoz Bozdo janë përzënë nga protestuesit, të cilët kanë vijuar më pas përplasjen me policinë.

Protesta para Ministrisë së Arsimit, hidhet gaz lotsjellës, policia tenton shpërndarjen e protestuesve

Situata para Ministrisë së Arsimit është tensionuar, pasi Policia ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve.

Pas përdorimit të gazit, një pjesë e protestuesve kanë nisur të shpërndahen nga zona, ndërsa të tjerë janë larguar drejt rrugëve përreth.

Ndërhyrja e policisë vjen pas disa orësh protestë dhe tensionesh mes efektivëve dhe të rinjve të mbledhur para institucionit.

Protesta në Tiranë, Studentët e Gjuhëve të Huaja në Shkodër bojkotojnë mësimin në shenja mbështetjeje

Një pjesë e studentëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Shkodrës kanë bojkotuar procesin mësimor, duke iu bashkuar thirrjes për solidaritet me studentët që po protestojnë në Tiranë.

Ata e cilësojnë protestën një kauzë të drejtë, që synon të sjellë ndryshime pozitive në vend, raporton korrespondenti i Top Channel Klodian Zhivani.

Studentët shprehin gjithashtu shqetësimin për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, duke kërkuar që situata të mos përshkallëzohet më tej.

Deputeti i PD-së në protestë: Thirrjet ‘Rama në burg, Berisha në burg’? Thelbi është largimi i qeverisë

Në Tiranë po mbahet dita e dytë e protestës studentore, ku edhe këtë të mërkurë, si një ditë më parë, nuk kanë munguar tensionet përpara Ministrisë së Arsimit.

I pranishëm në këtë protestë ishte dhe deputeti i PD-së, Bardh Spahia, i cili në një lidhje direkte me Shqipëria Live, u shpreh se ka ardhur koha që të gjithë të bashkohen në këtë tubim.

Sa i përket thirrjeve “Rama në burg, Berisha në burg”, Spahia u shpreh se thelbi i protestës është largimi i qeverisë, më pas shtoi se gjithsecili ka mendimin e tij.

“Është momenti sot që të gjithë t’i bashkohen këtyre të rinjve. Kemi qenë edhe dje deri në fund të protestës. Është një e drejtë e këtyre të rinjve që kanë vendosur ta marrin të drejtën e tyre në dorë. Slogani nuk është për të gjithë klasat. E rëndësishme është që të rinjtë po kundërshtojnë një qeveri të korruptuar. Ata kanë një kërkesë thelbësore. Largimin e Edi Ramës që në ditën e parë. Kjo është evidente. Më pas janë të lirë të shprehin mendimin e tyre, por thelbi është largimi i Edi Ramës. Jemi këtu për të frenuar sado pak dhunën e egër policore. Është normale që të jenë të lodhur pas 130 ditësh protestë paqësore”, tha Bardh Spahia.

Policia hedh ujë drejt studentëve, nuk ndalet revolta e të rinjve!

Vijojnë përplasjet e studentëve me policinë e shtetit, këtë të martë përballë Ministrisë së Arsimit.

Të rinjtë sërish shkëputën kangjellat e trotuarit dhe i vendosën në mes të rrugës së Durrësit.

Sakaq, policia nga krahu tjetër u pozicionua me autobotin e ujit dhe FNSH.

Ata filluan të hedhin ujë në drejtim të studentëve, ndërsa këta të fundit nuk largohen duke goditur me gurë policinë.

Të rinjtë i vënë flakën koshave të mbeturinave, ndërhyn menjëherë policia

Situata para Ministrisë së Arsimit vijon të jetë e tensionuar pasditen e sotme, teksa një grup të rinjsh kanë ndezur flakë në koshat e mbeturinave.

Protesta është shoqëruar me tensione dhe tym e zjarr në rrugë.

Reagimi i forcave të rendit ka qenë i menjëhershëm. Efektivët e policisë kanë ndërhyrë në vendngjarje për të shuar flakët, për të rikthyer rendin dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Deri më tani nuk raportohet për shoqërime në komisariat, ndërsa policia ka rrethuar zonjën për të mbajtur situatën nën kontroll.

Të rinjtë shkulin gurët nga trotuari, godasin Ministrinë dhe forcat e rendit! Përshkallëzohet protesta e studentëve

Shkulja e kangjellave ka tensionuar protestën e studentëve në Tiranë, në ditën e dytë të demonstratave kundër situatës në arsim.

Studentët, të cilët kanë bojkotuar mësimin, janë mbledhur dhe kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit, ku situata është tensionuar me mbërritjen e protestuesve pranë institucionit.

Gjatë protestës, të rinjtë kanë nisur të shkulnin kangjellat, ndërsa grumbullimi vijon mes tensioneve.

Protestës së studentëve të universiteteve u janë bashkuar edhe gjimnazistë, të cilët kanë bojkotuar mësimin për t’iu bashkuar thirrjes për protestë.

Demonstrata e sotme vjen një ditë pas protestës së së martës, e cila zgjati disa orë dhe u shoqërua me tensione e përplasje në kryeqytet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat