Tre ditë protesta, reagon kryetari i Kuvendit: Situatë e paprecedentë dhune, rrezikohet siguria dhe rendi publik

Shqipëria

Tre ditë protesta, reagon kryetari i Kuvendit: Situatë e paprecedentë dhune, rrezikohet siguria dhe rendi publik

Më: 15 tetor 2026 Në ora: 18:54
Niko Peleshi

Peleshi e ka cilësuar situatën shqetësuese, duke iu referuar akteve të dhunës ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe pasurisë private, si dhe informacioneve të institucioneve ligjzbatuese për skenarë që, sipas tij, rrezikojnë rendin dhe sigurinë publike...

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka reaguar lidhur me situatën e protestave në vend, duke njoftuar shtyrjen me një javë të seancës plenare që ishte parashikuar të zhvillohej gjatë ditës së sotme.

Përmes një deklarate publike, Peleshi e ka cilësuar situatën shqetësuese, duke iu referuar akteve të dhunës ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe pasurisë private, si dhe informacioneve të institucioneve ligjzbatuese për skenarë që, sipas tij, rrezikojnë rendin dhe sigurinë publike.

“Me përgjegjësinë për të garantuar një seancë të qetë, ku çdo deputet të ketë hapësirën kushtetuese dhe ligjore për të ushtruar detyrën e tij shtetërore, përballë një situate të paprecedentë dhune ndaj institucioneve të shtetit, pronës publike dhe pasurisë private të qytetarëve, vendosa ta shtyj me një javë seancën plenare të planifikuar për sot”, deklaroi Peleshi.

Kreu i Kuvendit theksoi se vendimi synon gjithashtu shmangien e çdo situate që mund të shërbejë si shkak për provokime apo përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve. Në deklaratën e tij, Peleshi u bëri thirrje përfaqësuesve të politikës, shoqërisë civile, botës akademike, biznesit dhe qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit në vend.

“Sot është dita kur çdo shtetar, çdo parti politike, çdo organizatë jofitimprurëse, përfaqësuesit e elitës akademike dhe të biznesit, dhe çdo qytetar i denjë i këtij vendi duhet t’i thërrasë arsyes dhe instinktit tonë kombëtar për paqe”, u shpreh ai.

Një pjesë të rëndësishme të deklaratës, kryetari i Kuvendit ia kushtoi përfshirjes së të rinjve në protestat dhe zhvillimet e fundit, duke kërkuar që të miturit dhe nxënësit e shkollave të mesme të mbahen larg akteve të dhunës. Sipas Peleshit, studentët dhe të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë më shumë nga institucionet dhe të dëgjohen për shqetësimet e tyre, por aktet e dhunës nuk duhet t'u atribuohen atyre.

“Ata nuk duhet të ushqehen me urrejtje. Ata nuk duhet të formohen nga dhuna e rrugës. Ata nuk duhet të lihen në duart e forcave të errëta, me qëllime aspak shqiptare”, theksoi ai.

Integrimi europian, Peleshi paralajmëron për pasojat e tensioneve

Kryetari i Kuvendit e lidhi situatën e krijuar edhe me perspektivën europiane të Shqipërisë, duke paralajmëruar se tensionet dhe aktet e dhunës mund të dëmtojnë përpjekjet e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai theksoi se procesi i integrimit nuk është i garantuar dhe zhvillohet në një periudhë të ndërlikuar gjeopolitike, veçanërisht për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ky proces mund të pengohet nga forca malinje, por kurrsesi nuk duhet të pengohet, as të prishet, nga vetë ne, shqiptarët modernë të shekullit XXI”, deklaroi Peleshi.

Në përfundim, kreu i Kuvendit u bëri thirrje të gjitha palëve politike dhe shoqërore që të zgjedhin dialogun në vend të përplasjes, duke theksuar se dallimet politike nuk duhet të cenojnë interesin e përbashkët kombëtar.

“Të ulemi. Të flasim. Të diskutojmë dhe të debatojmë për të ardhmen, pa harruar kurrë se, mbi të gjitha, jemi të gjithë shqiptarë”, përfundoi deklaratën kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat