Protesta/ Shëndetësia: 6 të lënduar, mes tyre një efektiv dhe një protestuese
Gjashtë persona kanë marrë ndihmë mjekësore pas protestës së zhvilluar më 20 tetor në Tiranë. Sipas përditësimit të orës 21:00, në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur katër kalimtarë dhe një efektiv policie, ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur një protestuese.
Nga katër kalimtarët e paraqitur në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës, njëri ka deklaruar se ishte lënduar gjatë protestës së një dite më parë. Një tjetër person është shtruar në spital pas kryerjes së ekzaminimeve.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, protestuesja ka marrë mjekimin dhe më pas është larguar.
Të dhënat janë pjesë e përditësimit për personat e lënduar gjatë protestës, deri në orën 21:00 të datës 20 tetor 2026.
Bulevardi kthehet në arenë përleshjesh, vajzat përballen fizikisht me policinë, nisin arrestimet
Tensionohet situata në qendër të Tiranës. Policia përdor gaz lotsjellës, ujë me presion dhe spraj për të shpërndarë protestuesit, ndërsa një grup vajzash kundërshtojnë ndërhyrjen dhe përleshen fizikisht me efektivët...
Situata në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është tensionuar, ndërsa një grup të rinjsh janë përplasur fizikisht me efektivët e policisë.
Forcat e rendit kanë ndërhyrë për të larguar protestuesit nga bulevardi qendror i Tiranës, duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
Gjatë përplasjeve, protestuesit u janë drejtuar efektivëve me thirrjet: “Hiqni kapelet, bashkohuni me ne”.
Një grup vajzash kanë tentuar fillimisht të bllokojnë lëvizjen e forcave të policisë, duke u ulur në mes të bulevardit. Efektivët kanë përdorur spraj për t'i larguar, por vajzat kanë vijuar rezistencën, duke u përleshur fizikisht me policët që tentonin t'i largonin nga rruga.
Nga ana tjetër, një grup protestuesish kanë qëlluar me gurë dhe molotovë në drejtim të automjeteve të policisë që përdorin ujë me presion.
Ndërkohë, policia ka nisur arrestimin e protestuesve gjatë ndërhyrjes për të liruar bulevardin. Efektivët kanë kapur dhe shoqëruar disa prej tyre, ndërsa përplasjet me grupet e tjera kanë vijuar.
Deri tani nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e personave të arrestuar apo të shoqëruar në komisariat.
Automjetet e policisë futen në sheshin “Skëndërbej”, protestuesit marshim në rrugët e Tiranës
Pas përshkallëzimit të tensioneve gjatë protestës në Tiranë, ku janë hedhur fishekzjarre dhe gaz lotsjellës, është shtuar ndjeshëm prania e forcave të rendit në qendër të kryeqytetit shqiptar.
Rreth 10 automjete të Policisë së Shtetit janë pozicionuar në sheshin “Skënderbej”, me qëllim mbajtjen e situatës nën kontroll dhe shpërndarjen e protestuesve.
Në shesh ndodhet edhe autoboti i policisë, i cili është në gatishmëri për ndërhyrje të mundshme, pas akteve të dhunës dhe dëmtimit të infrastrukturës urbane.
Situata në qendër të Tiranës mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e rendit janë në gatishmëri për të menaxhuar zhvillimet e protestës.
Incident i rëndë! Turisti plagoset nga bomba tymuese e policisë, protestuesit i japin ndihmën e parë
Një ngjarje e rëndë është shënuar gjatë përplasjeve të sotme në qendër të kryeqytetit, ku i lënduar nga forcat e rendit ka mbetur edhe një turist i huaj.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, turisti është goditur drejtpërdrejt në pjesën e pasme të këmbës së majtë nga një bombë tymuese e hedhur nga forcat e policisë gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e protestuesve në Sheshin “Skënderbej”.
I lënduari ka marrë goditje direkte duke pësuar dëmtime në këmbë.
Ndihma e parë i është dhënë menjëherë nga vetë protestuesit dhe qytetarët që ndodheshin pranë tij në shesh, të cilët janë afruar për t’i kuruar plagën dhe për ta larguar nga zona e mbuluar nga tymi e gazi lotsjellës.
Përcollën mesazhet e tyre në shesh, protestë në Korçë në mbështetje të studentëve
Një grup qytetarësh kanë dalë këtë pasdite në qytetin e Korçës për të protestuar duke shprehur mbështetjen e tyre për studentët dhe protestat e zhvilluara ditët e fundit.
Të mbledhur pranë monumentit të Luftëtarit Kombëtar, qytetarët kanë bërë thirrje kundër qeverisë, me sloganin “Rama ik”.
Për rreth një orë, ata kanë qëndruar në shesh, duke përcjellë mesazhet e tyre.
Protesta në Korçë vjen në vijim të lëvizjes së të rinjve dhe studentëve, të cilët prej disa ditësh janë ngritur në protesta duke kërkuar të drejtat e tyre dhe duke shprehur pakënaqësitë ndaj situatës në vend.
“Thyhet” qetësia, nis hedhja e molotovëve dhe gurëve te Kryeministria, policia përgjigjet me gaz e plumba gome
“Paqja” mes protestuesve dhe policisë nuk ka zgjatur shumë në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Pak para orës 18:00, protestuesit kanë hedhur gurë drejt efektivëve të policisë dhe molotovë drejt Kryeministrisë.
Ndërkohë, policia është përgjigjur me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome.
Pas përgjigjes së policisë, tubuesit kanë nisur të shpërndahen.
Protestuesit hedhin fishekzjarrë në protestë, policia i kundërpërgjigjet me presion uji, hidhet edhe gaz lotsjellës
Tensionet janë rritur gjatë protestës, ku demonstruesit kanë hedhur fishekzjarrë, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me ujë me presion.
Gjatë përplasjes, protestuesit kanë lagur gjithashtu me shishe uji efektivët e policisë, në momentin kur këta të fundit janë afruar pranë tyre.
Situata është tensionuar teksa protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë, duke sjellë reagimin e forcave të policisë, të cilat kanë përdorur autobotin me ujë me presion për të zmbrapsur turmën.
Po ashtu protestuesit kanë hedhur sende në drejtim të tyre. Efektivët nga ana tjetër përdorën sërish gaz lotsjellës.
Tensione në protestën para Ministrisë së Arsimit/ As gazi dhe uji! Asgjë s’e ndal rininë, studentët zmbrapsin policinë
Tensione janë shënuar gjatë protestës së studentëve dhe pedagogëve para Ministrisë së Arsimit, ku policia ka ndërhyrë me autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, studentët kanë vijuar qëndrimin e tyre, duke u përballur me policinë.
Sipas pamjeve nga protesta, protestuesit kanë zmbrapsur efektivët, ndërsa tubimi vijon mes tensioneve.
Protesta para Ministrisë së Arsimit, të rinjtë qëllojnë me gurë drejt godinës
Protestuesit janë grumbulluar tani para Ministrisë së Arsimit, ku disa të rinj kanë nisur që të godasin me gurë në drejtim të institucionit.
Të rinjtë janë të maskuar dhe me kapuça që të mos dallohen. Ata po marrin gurë nga trotuari dhe i hedhin te godina e Ministrisë së Arsimit, e cila është e dëmtuar edhe më herët nga protestuesit.
Edhe pse në katin e parë janë vendosur disa mbrojtëse hekuri, dëmtimet në të janë të dukshme.
Protestuesit largohen nga Kryeministria, nisin marshim drejt Ministrisë së Arsimit
Protesta paqësore para kryeministrisë ka përfunduar dhe protestuesit kanë vendosur të marshojnë.
Nuk ka një destinacion fiks se ku protestuesit do të stacionohen, por informacionet e para janë se mund të transferohen drejt Ministrisë së Arsimit.
Ditën e sotme, të paktën deri më tani nuk ka pasur asnjë konfrontim me policinë dhe gjithçka ka qenë paqësore.