S’ka më “armëpushim”, molotovë drejt Kryeministrisë, policia nis arrestimet

Shqipëria

S’ka më “armëpushim”, molotovë drejt Kryeministrisë, policia nis arrestimet

Më: 20 tetor 2026 Në ora: 07:52 Përditësuar në ora: 12:23 më 20.10.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Pedagogët dhe studentët para kryeministrisë, u bashkohet edhe një tjetër grup protestuesish. Mungojnë “maskat”

Ditën e sotme është vendosur të protestohet paqësisht, të paktën deri më tani.

Fillimisht një grup pedagogdësh dhe studentësh marshuan drejt kryeministrisë.

Së fundmi atyre u është bashkuar edhe një grup tjetër protestuesish, që erdhën nga drejtimi i fundit të bulevardit, te pjesa e bllokut të ministrive.

Ajo që vihet re ditën e sotme është fakti që askush nuk është i maskuar, siç ka ndodhur në ditët e shkuara.

Pedagogët kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit: Studentët nuk duan dialog

Aleksandër Kovaçi, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Arsimit të Lartë tha se pedagogët janë në mbështetje të studentëve.

Sipas tij, studentët e refuzojnë dialogun  dhe në këto kushte zgjidhja e vetme është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

“Këtu edhe kryeministri nuk mund të komunikojë me këta njerëz. I vetmi komunikim është dorëheqja e tij. Ne nuk pranojmë dialog, ne jemi me studentët. Studentët kanë thënë nuk ka dialog, ka vetëm zgjidhje. Zgjidhja është dorëheqja e kryeministrit.

Karriget i kanë thyer studentët, sepse studentët janë komunikimi, nuk janë pedagogët. Pedagogët nuk kanë asgjë në dorë. Pedagogët janë në mbështetje të studentëve. Përdorimi i dhunës e ka zhdukur dialogun. Sot koha nuk është për dialog, por është koha për dorëheqje.”, tha ai.

Pesë kërkesat e pedagogëve

Një grup pedagogësh kanë dalë me pesë kërkesa publike në mbështetje të studentëve dhe protestave që po zhvillohen në vend.

Përmes një deklarate, ata i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të krijohet një qeveri kujdestare për të garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

Pedagogët kërkojnë gjithashtu ndalimin e dhunës ndaj protestuesve, respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe reagimin publik të përfaqësive diplomatike në Tiranë.

1. I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila të sigurojë stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

2.⁠ ⁠I bëjmë thirrje policisë dhe aktorëve të tjerë të ruajtjes së rendit që të ndalojnë menjëherë çdo akt dhune ndaj studentëve dhe të refuzojë të zbatojë urdhëra të paligjshëm. Mos harroni se ata që ju japin këto urdhra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju që jeni dokumentuar nga filmimet e qytetarëve dhe mediave.

3.⁠ ⁠I bëjmë thirrje përfaqësive diplomatike në Tiranë që të ndërhyjnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve, njësoj siç respektohen të drejtat e qytetarëve në vendet tuaja.

4.⁠ ⁠I bëjmë thirrje protestuesve që të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private për t’i hequr çdo justifikim qeverisë për ushtrimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës.

5.⁠ ⁠I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, që njësoj si në 1991 t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre. Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë.

Pedagogët marshojnë drejt Kryeministrisë: Stop dhunës ndaj studentëve!

Pas tubimit para ambienteve të Universitetit Politeknik, pedagogët kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.

Ata shpalosën një banderolë me mbishkrimin: “Stop dhunës ndaj studentëve. Pedagogët në mbështetjes të protestës”

Ata kanë kthyer përmbys karriget e vendosura nga kryeministri, ndërsa bënte thirrje për dialog. Pedagogët kanë kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar.

Protesta e studentëve, përfaqësuesja e qeverisë: Kush dëshiron të dialogojë me Ramën, është i mirëpritur

Drejtoresha e Agjencisë për Media dhe Informim (MIA), Manjola Hasa, ka zbritur në terren, ku u ka përcjellë protestuesve mesazhin se kryeministri Edi Rama është i gatshëm për dialog.

Hasa u shpreh se ftesa për dialog është e hapur për të gjithë studentët, të rinjtë dhe qytetarët që dëshirojnë të zhvillojnë një bisedë me kreun e qeverisë.

Ajo theksoi se ndodhej në terren në emër të qeverisë , duke nënvizuar se të gjithë ata që janë të interesuar për dialog me kryeministrin janë të mirëpritur.

“Unë jam këtu nisur nga ftesa e hapur për dialog, për këdo që është i interesuar të dialogojë me kryeministrin. Ka studentë, të rinj, qytetarë që janë të interesuar të dialogojnë. Unë jam këtu. Unë nuk jam këtu të flas në cilësinë e vendimmarrëses. Jam në emër të qeverisë. Qytetarët që duan të bëjnë këtë dialog me kryeministrin janë të mirëpritur, i kanë dyert e hapura”, tha Manjola Hasa.

Pavarësisht apelit të saj, protestuesit refuzuan kërkesën për dialog.

Pedagogët dhe të rinjtë heqin karriget e Ramës nga Kryeministria: Refuzojmë dialogun! Lironi studentët

Pedagogët dhe të rinjtë që janë pjesë e protestës në Tiranë kanë hequr karriget e vendosura nga kryeministri Edi Rama para godinës së Kryeministrisë, në shenjë kundërshtimi ndaj thirrjeve për dialog të Edi Ramës.

Me këtë veprim, protestuesit kanë përcjellë mesazhin se refuzojnë dialogun e propozuar, ndërsa kanë kërkuar lirimin e studentëve të ndaluar gjatë protestave.

“Refuzojmë dialogun! Lironi studentët!”, “Pa dorëheqje, nuk ndalojmë!”, këto kanë qenë thirrjet e protestuesve poshtë zyrës së Ramës.

Protesta e pedagogëve, profesor Bytyçi paralajmëron bojkot total

Profesori Enver Bytyçi, i pranishëm në protestën e pedagogëve, ka paralajmëruar vijimin e lëvizjes me një thirrje për bojkot të plotë të procesit mësimor, jo vetëm në universitete, por edhe në shkolla.

Nga protesta, Bytyçi kërkoi ndalimin e dhunës, duke e cilësuar këtë si kusht për qeverinë. Ai deklaroi se pedagogët dhe trupa mësimore do të vijojnë të jenë çdo ditë në shesh në mbështetje të studentëve, deri edhe në një grevë urie, nëse do të jetë e nevojshme.

Profesori u shpreh gjithashtu se mbështetja ndaj të rinjve duhet të ishte dhënë më herët, duke përmendur vitin 2018 dhe duke pranuar se studentët nuk janë mbështetur sa duhet.

“Lëvizja do të vijojë me një thirrje të fuqishme: bojkot total, jo vetëm në universitete, por dhe në shkolla. Duhet të ndalet dhuna, ky është kusht për qeverinë. Pedagogët, trupa mësimore, do të jenë në shesh çdo ditë. Do t’i mbështesim deri në grevë urie studentët. Të rinjtë duhet t’i kishim mbështetur që në 2018. I kemi hyrë në hak studentëve.”, tha ai.

Pedagogët në marshim kundër dhunës ndaj studentëve: Të mblidhemi çdo ditë në 10:00

Pedagogët janë mbledhur tek Universiteti Politeknik nga kanë nisur marshimin paqësor në mbështetje të studentëve që prej 8 ditësh protestojnë.

Në videot e siguruara nga Top Channel, pedagogët dëgjohen të thërrasin ‘dorëheqje’ për kryeministrin Edi Rama.

Qëndrimi i tyre kryesor është mbështetja e studentëve të tyre, si dhe që çdo ditë të mblidhen në orën 10:00, në mënyrë që të shprehin solidaritetin me studentët.

Në mbështetje të studentëve, pedagogët nisin tubimin paqësor

Ka nisur mëngjesin e sotëm marshimi paqësor i pedagogëve në mbështetje të studentëve, të cilët po protestojnë prej 8 ditësh në Tiranë.

Pedagogët janë mbledhur në Universitetin Politeknik. Protesta ka hyrë në ditën e saj të tetë. Prej një jave ka patur përplasje të forta mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.

Gjatë këtyre ditëve ka patur të lënduar si nga ana e protestuesve ashtu dhe nga ana e policisë. Jo vetëm kaq, pasi të lënduar kanë mbetur edhe të mitur, gazetarë dhe kalimtarë.

 

Revolta studentore/ Pedagogët dalin sot në protestë në orën 10:00, marshim në mbështetje të të rinjve

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) i është bashkuar reagimeve ndaj dhunës policore ndaj studentëve protestues, duke thirrur një marshim solidariteti ditën e martë, datë 20 tetor, në orën 10:00 para Universitetit Politeknik.

“Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka qenë në përkrahje dhe pjesë e protestës së studentëve të filluar prej 6 ditësh. Ajo po ndjek me kujdes dhe shqetësim të jashtëzakonshëm dhunën policore, e cila nuk njeh më as protokolle institucionale dhe as humanizëm njerëzor.

Në keto kushte ju ftojmë: Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka qenë në përkrahje dhe pjesë e protestës së studentëve të filluar prej 6 ditësh”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë.

Po dje 963 pedagogë, akademikë dhe përfaqësues të jetës publike firmosën një deklaratë me pesë pika, ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie kujdestare dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat