Tetori Rozë në Haraçinë, Beqiri: Mbështes iniciativat që promovojnë shëndetin

Shqipëria

Tetori Rozë në Haraçinë, Beqiri: Mbështes iniciativat që promovojnë shëndetin

Më: 24 tetor 2026 Në ora: 13:25
Daut Beqiri

Në Komunën e Haraçinës është shënuar Tetori Rozë, muaji kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, me fokus të veçantë te parandalimi dhe zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje.

Në ambientet e Sallës së Këshillit të Komunës së Haraçinës u mbajt një ligjëratë vetëdijësuese nga onkologu, Dr. Ilir Ismaili, kushtuar rëndësisë së parandalimit dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe deputetja Merita Koxhaxhiku dhe zëdhënësja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi.

Kryetari i Komunës së Haraçinës, Beqiri, përmes një mesazhi të publikuar lidhur me këtë aktivitet, theksoi përkushtimin e tij për të mbështetur nismat që promovojnë shëndetin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve.

“Si kryetar i Komunës, mbetem i përkushtuar për të mbështetur iniciativa që promovojnë shëndetin, ndërgjegjësimin dhe parandalimin”, ka deklaruar Beqiri.

Ai gjithashtu ka falënderuar onkologun Dr. Ilir Ismaili për kontributin profesional, si dhe të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e kësaj nisme.

“Kujdesi për shëndetin shpëton jetë!”, ka theksuar Beqiri, duke rikujtuar rëndësinë e vetëdijesimit dhe kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin.

Shënimi i Tetorit Rozë synon të rrisë ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe të inkurajojë gratë që të kryejnë kontrolle të rregullta mjekësore, pasi zbulimi i hershëm është një faktor i rëndësishëm në trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat