Bie droni i policisë në mes të turmës, tensionohet situata në bulevard dhe nisin përplasjet e ashpra

Shqipëria

Bie droni i policisë në mes të turmës, tensionohet situata në bulevard dhe nisin përplasjet e ashpra

Më: 31 tetor 2026 Në ora: 17:31
Pamje nga protesta

Një situatë e tensionuar po regjistrohet në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" përpara godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit kanë përshkallëzuar veprimet e tyre duke hedhur sasi të konsiderueshme molotovi dhe lëndësh plasëse drejt kordonit të policisë. Edhe pse rreshjet e shiut pritej të ulnin intensitetin e tubimit, turma është riorganizuar duke rikthyer skenarin e parë gjatë ditës tek Ministria e Arsimit. Për të menaxhuar përshkallëzimin, forcat e rendit kanë sjellë në terren automjetet e ujit me synim shpërndarjen e qytetarëve.

Dinamika e protestës ka ndryshuar me rënien e errësirës, një skenar i përsëritur ku sapo ndriçimi natyral bie, fillon edhe mobilizimi i efektivëve të policisë për aksione të mundshme shoqërimi dhe shpërndarjeje. Megjithatë, një incident i papritur ka shkaktuar kaos të vërtetë mes palëve. 

Një dron i përmasave të mëdha, i përdorur për herë të parë nga Policia e Shtetit për të monitoruar tubimin, ka pësuar defekt teknik dhe ka rënë direkt në mes të turmës. Protestuesit e kanë marrë menjëherë pajisjen, veprim ky që ka sjellë një reagim të menjëhershëm dhe të ashpër nga forcat e policisë. Efektivët kanë ndërhyrë me forcë për të rimarrë dronin, i cili raportohet se është dëmtuar gjatë përplasjes.

Pas këtij episodi, Policia e Shtetit ka nisur një mësymje të gjerë kundrejt protestuesve. Për të neutralizuar situatën dhe për të zmbrapsur turmën, është bërë përdorimi i ujit dhe gazit lotsjellës. Për shkak të agravimit të situatës dhe ndërhyrjes së shpejtë të forcave të rendit, edhe përfaqësuesit e medias janë detyruar të largohen nga vija e parë e raportimit për të shmangur lëndimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat