Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvulloi sot një takim me Komisionerin Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Shtetin e së Drejtës dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gogu bëri të ditur se në fokus të diskutimeve ishte Raporti i Progresit dhe angazhimi i Shqipërisë për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian.
“Raporti i Progresit nuk është vetëm një vlerësim i punës së bërë, por edhe një udhërrëfyes për atë që na mbetet për të realizuar”, shkruan ai.
Ministri theksoi angazhimin e qeverisë për ta kthyer çdo rekomandim të Komisionit Evropian në një plan konkret veprimi, ndërsa nënvizoi rëndësinë e Kapitullit 23, që lidhet me gjyqësorin dhe të drejtat themelore.
“Kapitulli 23, që lidhet me gjyqësorin dhe të drejtat themelore, do të jetë ndër kapitujt e fundit që do të mbyllen. Prandaj, çdo detyrë kërkon vëmendje, përgjegjësi dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë evropianë”, shkruan ai.
Gogu shtoi se “progresi i arritur na inkurajon. Detyrat që kemi përpara kërkojnë edhe më shumë punë”.