Përurohet Stadiumi Olimpik ‘Adem Jashari’

Sporti

Përurohet Stadiumi Olimpik ‘Adem Jashari’

Më: 3 mars 2014 Në ora: 09:09

(E plotësuar)-Është bërë përurimi i stadiumit olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Në këtë ngjarje morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, Fadil Vokrri.

Kryeministri Thaçi u shpreh i kënaqur me punën që është bërë gjatë renovimit të stadiumit olimpik, sipas standardeve dhe kritereve të UEFA-s dhe FIFA-s.
“Dëshiroj të falënderoj ministrin e Sportit, Memli Krasniqi, kryetarin e Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, Fadil Vokrri, për punën e jashtëzakonshme në internacionalizimin e sportit kosovar, në krijimin e mundësive për të zhvilluar ndeshjet e para ndërkombëtare të futbollit për Kosovën, si njeri që i ka dhënë shumë futbollit kosovar, një njeri që e respekton e gjithë bota për kontributin e tij”, theksoi kryeministri Thaçi,
Gjithashtu ai, shtoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të investojë në sport, edhe në renovimin e stadiumeve tjera anekënd Republikës së Kosovës.

“Pres që të mërkurën të kemi edhe ndeshjen e parë historike mes Kosovës dhe Haitit, por të kemi edhe festë, të shpresojmë natyrisht fuqishëm se Kosova do të fitojë”, u shpreh kryeministri Thaçi. A.M

-Sot përurohet Stadiumi Olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë . Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi dhe Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri do të përurojë renovimet në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” ( ora 12:00).

Ky renovim që filloi vitin e kaluar, ka përfunduar duke u vendosur 18 mijë ulëse dhe u shpenzuan rreth 740 mijë euro, investime këto që i bëri Ministria e Kulturës Rinisë e Sportit.
Qeveria e Kosovës ka investuar në renovimin e plotë të këtij stadiumi, për t’u përgatitur për ndeshjet miqësore që do t’i ketë reprezentacioni i futbollit të Republikës së Kosovës, e që do të zhvillohet me 5 mars, po në këtë stadium.
Kjo është ndeshja e parë miqësore zyrtare ndërkombëtare e Përfaqësueses së Kosovës, përballë Përfaqësueses së Haitit, ku ndër të tjerash është raportuar nga mediat se deri më tani janë shitur të gjitha biletat, gjithsej 16 mijë, për ndeshjen miqësore Kosova dhe Haiti.kp

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat