Carlos Alcaraz ka shkruar historinë në përmbyllje të sezonit të tenisit 2026, duke triumfuar për herë të parë në karrierën e tij në turneun prestigjioz ATP Finals.
Tenisti spanjoll mposhti në finale numrin një të botës, gjermanin Alexander Zverev, me rezultat 2:0 në sete, 6:2, 7:6 (7:9), pas një përballjeje që zgjati pak më shumë se dy orë.
Alcaraz, i cili vitin e kaluar kishte humbur finalen ndaj Jannik Sinnerit, këtë herë arriti të ngrejë trofeun e turneut ku marrin pjesë tetë tenistët më të mirë të sezonit.
Për 23-vjeçarin nga Murcia ky është triumfi i parë në ATP Finals. Ai bëhet tenisti i katërt në histori, pas Andre Agassit, Roger Federer dhe Novak Gjokoviqit, që arrin të fitojë të katër turnetë Grand Slam dhe ATP Finals. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk e kishte arritur këtë sukses në një moshë kaq të re sa Alcaraz.
Alcaraz regjistron fitoren e 14-të radhazi
Në anën tjetër, Alexander Zverev humbi mundësinë për ta kurorëzuar me një tjetër trofe një sezon të jashtëzakonshëm, gjatë të cilit kishte fituar dy tituj Grand Slam, në Paris dhe New York, si dhe kishte arritur në krye të renditjes botërore.
Megjithatë, bilanci i gjermanit ndaj dy rivalëve të tij kryesorë në renditjen botërore, Jannik Sinner dhe Carlos Alcaraz, mbetet shumë negativ.
Zverev kishte arritur në finale të ATP Finals pa humbur asnjë set, por përballë Alcarazit e pati shumë të vështirë që nga fillimi.
Kështu, Carlos Alcaraz e mbyll vitin 2026 me një tjetër sukses të madh, duke fituar për herë të parë trofeun e ATP Finals.