Tiranë, mbi 50 aksidente dhe 90 të lënduar nga rrëshqitjet

Tirana

Tiranë, mbi 50 aksidente dhe 90 të lënduar nga rrëshqitjet

Më: 13 janar 2017 Në ora: 10:30
Bora në Tiranë

Reshjet e dëborës që kanë pushtuar kryeqytetin, kanë shkaktuar probleme me qarkullimin rrugor, po ashtu edhe tek këmbësorët. Rrugët e Tiranës u mbuluan nga dëbora, ndërsa qytetarët dolën për të shijuar atmosferën. Por temperaturat e ulëta shkaktuan ngrica, duke regjistruar më shumë se 50 aksidente në Tiranë, që prej mbrëmjes së mërkurë e deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Burimet nga Policia Rrugore kanë bërë të ditur se nga këto aksidente nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale te automjetet që përplaseshin me njëra-tjetrën.

“Rastet më të shumta janë aksidentet në grup, që do të thotë përplasja e shumë automjeteve në një vend. Këto janë shkaktuar si pasojë e akullit në rrugë dhe rrëshqitjes prej tij”, është shprehur një burim nga policia. Ndonëse Bashkia e Tiranës angazhoi borëpastruesit për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës dhe skories, rreziku i aksidenteve si pasojë e akullit në rrugë ka qenë i pranishëm. Ndërsa Policia e Shtetit mbrëmjen e së mërkurës këshilloi përdorimin e zinxhirëve në automjete, në mënyrë që të shmangen aksidentet. Mëngjesin e djeshëm Tirana është zgjuar e mbuluar nga dëbora, ndërsa rrezik ishte prania e akullit kudo. Sipas policisë, aksidentet për shkak të akullit kanë ndodhur në shumë zona të Tiranës, përfshirë këtu edhe disa përplasje në autostradën Tiranë-Durrës.

Rrëshqitjet e kalimtarëve dhe pasojat 

Dëbora në Tiranë është shoqëruar me lëndime dhe fraktura të shumta tek njerëzit. Shumë qytetarë që kishin dalë për të bërë xhiron e mëngjesit, për të bërë Pazar apo për të krye një punë kanë rrëshqitur për shkak të dëborës dhe akullit, duke i lënë me pasoja të rënda në krahë, këmbë apo në kokë. Rastet e para janë shënuar që në orën 01:00 të mëngjesit të djeshëm, kur disa persona të moshës mbi 40 vjeç që kishin dalë për të shijuar flokët e dëborës, kishin rrëshqitur dhe kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme. Në Spitalin e Traumës mësohet se janë paraqitur mbi 80 persona të dëmtuar, 8 prej të cilëve janë shtruar. Në një deklaratë për media, Gjovalin Bushi, drejtori i Spitalit të Traumës bëri të ditur se të dëmtuarit kanë pësuar fraktura të ndryshme si pasojë e rrëzimit. Dëmtime të shumta janë pësuar në kokë dhe gjymtyrë. Sipas tij, ka pasur edhe raste me fraktura të “artikulacionit kokso femra” dhe 2 raste me “neurotrauma”. 90% të rasteve, personat e lënduar i përkasin personave mbi 40 vjeç dhe ajo që vërehet është se nuk ka fëmijë të dëmtuar apo të plagosur nga aksidentet rrugore. Asnjë prej tyre nuk është në rrezik për jetën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat