“Isha 5 vjeç kur serbët ma rrëmbyen babin përpara syve”, djali i dëshmorit tregon tmerrin e luftës

Aktuale

“Isha 5 vjeç kur serbët ma rrëmbyen babin përpara syve”, djali i dëshmorit tregon tmerrin e luftës

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 14:56
Arbër Xhaka

Arbër Xhaka ishte vetëm 5 vjeç kur në maj të vitit 1999 serbët i bastisën banesën dhe i vranë familjarët. I riu nga Mitrovica, ndonëse ka qenë në moshë fare të vogël kur ka ndodhur e gjithë kjo ngjarje, nuk ka harruar asnjë detaj.

Arbri ka treguar se si nga kjo luftë humbi disa anëtarë të familjes së tij, mes të cilëve edhe babin, Fatos Xhaka.

Në një intervistë të dhënë, i riu rrëfen me detaje se si familjarët e justifikonin zhdukjen e të atit, pasi nuk kishin guxim që t’i thoshin se ai ishte vrarë nga xhandarmëria serbe. Që prej 2008, i ati ishte i zhdukur dhe eshtrat e tij u gjetën nga UMNIK.

Arbër, çfarë të kujtohet nga dita që serbët mësynë në banesën tënde?

Unë mbaj mend gjithçka dhe nuk besoj se do t’i harroj ndonjëherë ato ngjarje. Atë ditë, data e së cilës nuk më kujtohet, ishim duke ndenjur tek shtëpia e Fatime Xhakës, e afërmja jonë, e cila u vra nga serbët. Ka qenë ora 02:00 e pasdites, kur një komshie e jona, e cila ishte serbe erdhi dhe na njoftoi se xhandarmëria serbe kishte ardhur në fshat. Ajo na tha që të largoheshim pasi jeta jonë ishte në rrezik.

Çfarë bëtë në ato momente?

Unë isha me gjyshen time dhe ajo vraponte, e unë pas saj. Kur mbërritëm tek banesa ime, pamë se ishte zaptuar nga policët serbë. Ata kishin grumbulluar burrat dhe gratë shqiptarë aty. Në mesin e tyre ishte babi im, dy hallat, gjyshi dhe disa komshinj. “Hip me neve në makinën tënde. Djali yt mund të vijë me autobus me dy familjarë!”, i thanë serbët babai tim. Pas kësaj unë ika me hallën dhe nënën, por gjyshi, gjyshja dhe halla tjetër mbetën aty.

Ku shkuat pastaj?

Unë, gjyshja dhe halla u nisëm drejtë Kroacisë. Gjyshi, gjyshja dhe halla tjetër qëndruan në Kosovë dhe u detyruan që të niseshin drejtë Shqipërisë. U kthyem në Mitrovicë në vitin 2000 dhe sot jetoj këtu me familjen time. Jam i martuar dhe kam një djalë, që ia kam vendosur emrin e babit.

Ti ishe vetëm 5 vjeç. Çfarë ndjesish kishe?

Unë ndjeja habi për gjithçka që shihja. Nuk arrija ta kuptoja atë që po ndodhte. Kisha frikë, dhimbje. Mbaj mend që kam derdhur shumë lot në atë kohë sepse më ndan nga babi. Serbët më vranë babin, xhaxhanë dhe nusen e këtij të fundit.

Babin ta rrëmbyen serbët. Çfarë dinit për fatin e tij?

Asgjë nuk dinim. Në fakt familjarët e mi i kishin humbur shpresat se ai do të ishte gjallë. Mua më thoshin që babi ka shkuar në Gjermani, sepse nuk donin që të më tregonin të vërtetën. Në vitin 2008 UMNIK gjeti varrin e tim ati. Së bashku me eshtrat na dorëzuan edhe xhaketën që ai mbante veshur ditën që u nda nga neve. Tashmë trupi i tij prehet në varrezat e martirëve në Shipol të Mitrovicës.

Ish-liderët e UÇK-së ndodhen sot përpara Gjykatës Speciale të Hagës, ku akuzohen për krime lufte. Çfarë mendoni për këtë proces?

Hetimi që bëhet ndaj UÇK-së për krime lufte është i padrejtë dhe i papranueshëm. Lufta e Kosovës ka qenë e pastër. Ne kemi mbrojtur territorin tonë dhe nuk kemi hyrë në territor të huaj. Ne si popull, unë si person dhe familja ime do ta mbështesim dhe do të jemi gjithmonë me luftën e pastër të UÇK-së, është turp që trimat, guximtaret, dijetarët, njerëzit e mençur të kapen mat nga Bashkësitë Evropiane dhe të pa turpshme.

Jetojmë në një kohë ku nuk po mundemi ta gëzojmë lirinë, Pavarësinë e Kosovës. Jemi duke u zhvatur e duke u cenuar për një luftë ku ka ekzistuar mbrojtja e territoreve të Kosovës dhe mbrojtja e popullit të Kosovës.

Nëse Serbia kërkon falje, ju do e falnit?

Unë nuk kam për ta harruar kurrë atë që ka ndodhur në Kosovë. Do ua tregoj fëmijëve të mi dhe të mbahet mend brez pas brezi se kush janë serbët.Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat