Kryesuesi i Bordit të Postës: S’ka rritje të pagave

Aktuale

Kryesuesi i Bordit të Postës: S’ka rritje të pagave

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 23:19
Posta e Kosovës

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka kërkuar që të anulohet vendimit i fundit i Bordit të Përkohshëm të Postës për ndryshimin e koeficienteve të pagave. Sipas ministrisë, ndryshimi i koeficienteve të pagave në këtë kohë, kur Posta e Kosovës nuk qëndron në gjendje të mirë financiare, është i papranueshëm dhe nuk do të lejohet. Por, kryesuesi i Bordit të Postës, Leonard Shabanaj, bëhet fjalë për keqkuptime.

Në procesverbalin e mbledhjes së Bordit të Përkohshëm të Postës së Kosovës të mbajtur më 3 dhjetor thuhet se është marrë vendim për ndryshimin e koeficienteve të pagave.

Përmes një reagimi me shkrim, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit i ka bërë thirrje Bordit që këtë vendim ta anulojë.

“Ndryshimi i koeficienteve të pagave në këtë kohë, kur Posta e Kosovës nuk qëndron në gjendje të mirë financiare, është i papranueshëm dhe nuk do të lejohet. Për më tepër, Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike ka sugjeruar më parë këtë ndërmarrje që të zvogëlojë pagat për 30% për pozitat e larta udhëheqëse”, thuhet në reagimin e ME-së.

Vendimi po kundërshtohet edhe nga Mexhide Demolli, drejtoreshë e organizatës joqeveritare “Fol”, përcjell Telegrafi.

“Fatkeqësisht ashtu siç është vepruar prej 20 vitesh po vazhdohet dhe tash me rritje të pagave në një kohë kur ky institucion është buzë falimentimit. Ka pasur raste kur edhe punëtorë të tjerë të kompanisë kanë protestuar pasi që kanë mbetur pa paga. Andaj një veprim i tillë është për keqardhje pasi edhe ky Bord ashtu si të tjerët nuk kanë shkuar në atë drejtim që ta ngrisim kompaninë në nivel më të lartë sa i përket menagjimit të saj por ka ndodhur e kundërta, duke filluar nga punësimet partiake”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Mexhide Demolli.

Por, kryesuesi i Bordit të Postës, Leonard Shabanaj thotë se të gjitha lajmet për rritje të pagave në këtë kompani janë keqkuptime.

“Ne jemi në fazën e aprovimit të planit të përgjithshëm të biznesit dhe kemi paraparë zbritje të shpenzimeve në ndërmarrje që shkojnë në një milion euro. Gjithçka është një keqkuptim pasi nuk ka ngritje të pagave në postë”, deklaroi Leonard Shabanaj.

Posta e Kosovës vazhdimisht ka pasur probleme me vonesat e pagave për punëtorët, për çka edhe janë organizuar protesta.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat