Gjatë intervistimit të drejtoreshës së Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Muja Bajraktari, në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, pati edhe një shkëmbim replikash mes saj dhe anëtares së Komisionit, Adelina Tërshani.
Tërshani e pyeti drejtoreshën lidhur me mënyrën se si ishin trajtuar diskutimet për nevojën e shtimit të kapaciteteve në institucionin që ajo drejton, duke ngritur dilema për faktin se këto çështje, sipas saj, ishin diskutuar në mënyrë joformale dhe jo përmes kërkesave zyrtare të protokolluara.
Në vazhdim, anëtarja e Komisionit kërkoi të dinte nëse diskutimet e tilla zhvilloheshin edhe në ambiente si kafeneja brenda objektit.
“Jo, takimet janë në sallën e takimeve”, u përgjigj Muja Bajraktari.
Pas kësaj, Tërshani ndërhyri duke i kërkuar drejtoreshës që pyetjet të mos i perceptonte si sulm personal.
“Veç të lutna, a e din që nuk jam duke të sulmu, veç jam t’u t’pyet”, deklaroi ajo.
Nga ana tjetër, drejtoresha tha se pyetja i ishte dukur tendencioze, duke insistuar se diskutimet nuk zhvilloheshin në kafene, por në sallën e takimeve.
“M’u duk tendencioze, se në kafe nuk diskutohen, është salla e takimeve”, u shpreh ajo.
Ky shkëmbim replikash u zhvillua gjatë seancës së Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili po shqyrton përgjegjësitë institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ndryshe, Arlinda Zekaj kishte kërkuar veprime urgjente nga zyrtarët e institucioneve përgjegjëse vetëm tri ditë para se të vritej.