​Selimi: Mbetemi të angazhuar për finalizimin e proceseve të rëndësishme për sistemin e drejtësisë

Aktuale

​Selimi: Mbetemi të angazhuar për finalizimin e proceseve të rëndësishme për sistemin e drejtësisë

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 16:11
Selim Selimi

Ministri i Drejtësisë Selim Selimi ka deklaruar sot se procesi i Rishikimit funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit është afër finalizimit dhe se strategjia për Sektorin e Sundimit të Ligjit do të procedohet për miratim në Qeverinë e Kosovës.

Ai këto komente i bëri në takimin e ftuar nga Komisioni për Legjislacion, ku është biseduar mbi adresimin e rekomandimeve të dala nga Raporti i Progresit 2020.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ministri Selimi tha se Ministria e Drejtësisë i ka kushtuar kujdes të veçantë sfidave të dala nga agjenda evropiane, duke punuar vazhdimisht në avancimin e legjislacionit penal, legjislacionin kundër korrupsionit, kodifikimin e legjislacionit të fushës civile.

Selimi ka përmendur nismat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë, të rëndësishme jo vetëm shkaku i rekomandimeve, por për gjithë sistemin e drejtësisë, përfshirë Procesin e Rishikimit funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit, Strategjia për Sektorin e Sundimit të Ligjit, Projekt Kodit i Procedurës Penale, Projekt Kodi Civil.

“Rishikimi funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit është afër finalizimit, proces ky që pritet të reformojë sektorin e Sundimit të Ligjit duke filluar nga viti 2021. Aktualisht jemi në konsultime shtesë me akterët kyç të sistemit të drejtësisë. Strategjia për Sektorin e Sundimit të Ligjit, si pjesë e Rishikimit Funksional të Sektorit është finalizuar dhe do të procedohet fillimisht për konsultime, dhe pastaj për miratim në Qeverinë, për çka Ministria e Drejtësisë është duke mbajtur takime intensive me institucionet e pavarura me qëllim të finalizimit të suksesshëm të këtij procesi”, tha Selimi.

Po ashtu ministri Selimi ka folur edhe për Legjislacionin Penal dhe Civil, ku ka potencuar ndryshimet që janë bërë në Projekt Kodin e Procedurës Penale dhe Projekt Kodin Civil.

“Projekt Kodi i Procedurës Penale, është finalizuar ku ndër çështjet kryesore të plotësuara dhe ndryshuara në draft Kodin e Procedurës Penale vlen të ceket se janë shtuar dispozita të reja lidhur me Pezullimin e Zyrtarëve të Lartë Publik, për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit, për çka kemi marrë edhe opinion nga Komisioni i Venecias”, tha Selimi.

Ministri Selimi ka bërë thirrje që të miratohet Projekt Kodin Civil, i cili vlerësohet si akti më i rëndësishëm pas Kushtetutës si dhe Projektligjin për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të huaj në Kosovë që ka për qëllim kryesor rregullimin e fitimit të së drejtës pronësore nga shtetasit e huaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat