Ibrahimi: Nëse Kosova nuk mbron ekonominë e vet del humbëse në “Mini Shengen”

Aktuale

Ibrahimi: Nëse Kosova nuk mbron ekonominë e vet del humbëse në “Mini Shengen”

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 22:36
Opinionisti Ilir Ibrahimi

Opinionisti Ilir Ibrahimi, ka thënë se asnjëherë deri tani nuk është sqaruar mirë çfarë përmban “Mini Shengeni Ballkanik”.

Ai ka deklaruar se qëndrimet e politikanëve në Kosovë sa i përket kësaj zone ekonomike nuk kanë qenë asnjëherë të bazuara diku.

“Mini shengeni asnjëherë nuk është sqaruar çka përmban për rajonin. Ka pasë deklarata nga politikanët duke u bazuar nga kundërshtitë e tyre në luftën e tyre politike dhe jo të bazuara në atë se e kundërshtojnë një projekt apo diçka konkret. Në Kosovë deri tani nuk e kemi dëgjuar dikë të flasë me një arsye se pse është për dhe kundër këtij projekti”.

Ibrahimi ka thënë se deklarata e Vjosa Osmanit, ushtrueses së detyrës së presidentes, për kundërshtimin e Mini Shengenit vjen pasi atë e ka përkrahur Avdullah Hoti, kryeministri i vendit.

“Osmani e ka kundërshtuar këtë për shkak se e ka përkrahur Hoti dhe jo pse e ka ndonjë argument konkret kundër këtij procesi. Të gjitha këto qëndrime bëhen në pozicionime të interesave partiake dhe për të çuar përpara interesat individuale dhe asgjë tjetër më shumë”.

Ai ka theksuar se nëse Kosova nuk është e përgatitur mirë për Mini Shengenin dhe se do të dalë humbëse nga ai.

“Integrimet rajonale janë të mira për ekonominë e vendit, jemi në një botë të globalizuar dhe duhet t’i përkrahim këto lloj integrimesh, duke u nisur nga përvojat e tona sa i përket të kaluarës duke parë punën tonë në CEFTA, unë kam frikë se ne nuk jemi të gatshëm të futemi në një integrim të tillë”.

“Sepse ne nuk i shohim gjërat seriozisht, nuk e shohim interesin tonë dhe nuk e shohim ta mbrojmë atë interes sa më mirë që mundemi”.

“Unë e kam përkrahur procesin e Mini Shengenit si një mundësi e integrimit të rajonit dhe të tejkalimit të barrierave politike që i kemi në rajon. Mirëpo, me një kusht shumë të rëndësishëm në këtë proces Kosova duhet të jetë e qartë dhe të gjejë një mënyrë që të mbrojë interesat e ekonomisë së vet dhe të kompanive të saj”.

“Kjo mbrojtje do të arrihej nëse ata ulen në një tavolinë dhe bisedojnë me ekspertët e ekonomisë, nëse kjo nuk bëhet atëherë Kosova është humbëse sa i përket këtij procesi”, ka thënë Ibrahimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat