Përfundon seanca, konferenca e ardhshme ndaj Thaçit e të tjerëve në fund të janarit

Aktuale

Përfundon seanca, konferenca e ardhshme ndaj Thaçit e të tjerëve në fund të janarit

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 07:52
Pamje nga seanca

(E plotësuar 14:28 ) - ​Prokuroria nuk jep datë për përfundimin e hetimeve ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në konferencën e mbajtur mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve, në Hagë, Prokuroria nuk ka dhënë një datë për përfundimin e hetimeve, ndërkohë ka kërkuar që ato të mos ndërpriten duke shtuar që dosjen paragjyqësore do ta dorëzojnë në muajin korrik me kushtin që gjyqi të fillojë në shtator 2021. Kjo është kundërshtuar nga avokatët sipas të cilëve një gjë e tillë nuk mundëson gjyq të drejtë.

Prokurori Allan Tiger ka thënë se është në interes të drejtësisë që hetimet të vazhdojmë siç tha ai, për shkak të paraqitjes së dëshmitarëve të cilët tani mund gjejnë kurajo për t’i dhënë informacionet e tyre dhe të zbulimit të materialeve të rëndësishme që sipas tij kanë qenë të fshehura.

Ai nuk i ka dhënë gjyqtarit një datë për fundin e hetimeve e që sipas tij kjo nuk ndikon negativisht në përgatitjen e një gjykimi të shpejtë.

Tiger: Prokuroria e dorëzon dosjen paragjyqësore tre muaj para fillimit të gjyqit

“Bazuar në parashikimet tona aktuale për fillimin e gjyqit në shtator do të ishim të përgatitur të parashtronim dosjen paragjyqësore dhe materialet e ndërlidhura në fillim të korrikut, dy tre muaj para fillimit të gjyqit. Dua të shtoj që kushti që ne shohim kuadrin e këtij institucioni si kuadër të integruar, do ua shpjegoj si prokuroria, përpjekjet hetimore të prokurorisë lidhen me ecurinë e gjyqit. Nëse data e parashikuar e gjyqit do të ndryshonte ne do t’i qëndrojmë mendimit tonë që sapo thash që do ti paraqesim dokumentet dy tre muaj para gjyqit”, tha ai.

Me këtë nuk u pajtuan avokatët, që siç deklaruan ata, nevojitet kohë për përgatitjen dhe kryerjen e hetimeve nga ana e mbrojtjes.

Hooper: Na duhen 18 muaj të fillojmë hetimin

“Derisa dëgjoj zotin Tiger më duhet të pickoj vetën a isha në ëndërr apo jo, vërtetë po thotë mund të bëhet kështu ky gjyq. Nëse flasim për një proces të rregullt gjyqësor, është e pa konceptueshme. Sigurisht e mbaj mendjen e hapur kur i drejtohem këtij institucioni por duhet të them që këto fjalë të prokurorisë janë zhgënjyese për mendimin, tim. Ende nuk kemi filluar me krijimin e ekipit hetimor duhen 18 muaj në mos më shumë që të fillojmë të hetojmë këto çështje, ky është realiteti”, tha David Hooper, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Avokati Ben Emmerson i cili mbron ish-kreun e PDK-së Kadri Veseli, ka kundërshtuar deklaratën e prokurorit që dosjen të dorëzojë vetëm tre muaj para se të fillojë gjykimi.

Emmerson: Deklarata e Prokurorisë për dorëzim të dosjes tre muaj para gjyqit është qesharake

“Në këtë rast kur bëhet fjalë për 100 vrasje secila duhet hetuar veç e veç, bashkë me një numër shumë të madh ndalimesh të pretenduara të paligjshme, të gjitha duhet hetuar. Nocioni që gjyqi mund të fillojë tre muaj pasi Prokuroria ka dorëzuar dosjen e saj është qesharake. Jo vetëm qesharake por është zbulim i një përpjekje të Prokurorisë për të pasur një gjyq të padrejtë. Është e padiskutueshme që ne nuk do ta lejojmë të ndodhë. Nuk është çështje negociatash apo kuvendimesh, është e drejta bazë minimale për të pasur një gjyq të drejtë, dhe gjyq i drejtë është ai sipas Kushtetutës, konventave evropiane, që gjyqi të fillojë pasi mbrojtja të ketë bërë përgatitjet e saj”, tha Emerson.

Ai i ka kujtuar gjyqtarit rastet e mëhershme në Tribunal Special, siç ishte gjyqi ndaj Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt të cilat gjykime sipas tij nuk mbulonin të gjithë Kosovën dhe koha që u nevojitej për paraqitjen e hetimeve të mbrojtjes ishte 18 muaj në rastin e parë dhe 2 vjet në të dytin.

E këtë çështje ai do ta parashtrojë edhe krahas kërkesës për lirim me kusht të Veselit, që siç tha ai, do të paraqes dëshmi se si raste të tilla më herët kanë marrë më shumë se 3 vjet kohë për përgatitjet e mbrojtjes.

Edhe mbrojtja e Rexhep Selimit, David Young dhe e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, kanë thënë se 18 muaj periudhë për përgatitje të hetimeve të mbartjes është minimumi që nevojitet.

Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes së Thaçit dhe të tjerëve, prokuroria ka bërë të ditur se ka dorëzuar mbrojtjes 1309 materiale potencialisht shfajësuese dhe materiale mbështetëse të aktakuzës, në gjuhën shqipe dhe angleze, të cilat përfshijnë 1764 dokumente.

Por mbrojtja ka shprehur pakënaqësitë lidhur me materialet që i ka dorëzuar prokuroria, duke theksuarës u nevojiten më shumë informacione.

Avokati i Thaçit ka përmendur edhe situatën e krijuar nga pandemia, çka po i pamundëson atij takim të drejtpërdrejtë për konsultim me klientin e tij.

Konferenca e sotme u mbajt me qëllim të rishikimit të ecurisë së çështjes dhe organizmit të shkëmbimeve midis palëve, ndërsa ajo e radhës do të mbahet në janar të vitit të ardhshëm.

***

Në Gjykatën Speciale në Hagë sot është mbajtur seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-krerëve politikë e ushtarakë të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Në këtë seancë është diskutuar edhe për kërkesat për lirim të përkohshëm.

Prokurorja e ZPS-së ka thënë se tashmë i kanë kthyer përgjigje ekipit mbrojtës të presidentit Hashim Thaçi në kërkesën që ai të lirohet përkohësisht.

“Sa i takon mocioneve paraprake ne nuk shikojmë ndonjë bazë sa i takon shtyrjes. Sa i takon kërkesës për mocionet për lirim të përkohshëm, prokuroria është kundër këtyre kërkesave, dhe fuqimisht ne e kemi parashtruar dje përgjigjen tonë sa i përket z. Thaçi, e kemi dhënë këtë përgjigje dje brenda afatit”, ka thënë ajo.

Të njëjtin vendim thotë se do ta marrin edhe për kërkesën e njëjtë që ka bërë edhe ekipi i Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Numrin e fjalëve të vëllimit të materialit, të njëjtën gjë do të bëjmë sot për zotin Selimi dhe Krasniqi, të gjitha palët njoftojhen për rëndësinë për parashtrimet e plota”, ka thënë prokurorja.

Në këtë seancë është diskutuar edhe për fillimin e procesit gjyqësor. Palët mbrojtëse kanë thënë se ju duhen më së paku 18 muaj që të kryhen përgatitjet.

***

Ka përfunduar seanca ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit në Speciale.

Prokurori Allan Tiger dhe gjykatësi Nicolas Guillou, kanë kërkuar që konferenca e ardhshme ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit të mbahet në fund të janarit të vitit 2021.

Këtë e kanë pranuar edhe mbrojtjet e tyre.

Gjykatësi Nicolas Guillou, ka kërkuar të dijë se cila është një datë e përshtatshme për konferencat e ardhshme.

Prokurori Allan Tiger ka kërkuar që konferenca e ardhshme të zhvillohet në janar.

“Ka rrethana kur kjo është më e rëndësishme, ku mund të merren përgjigje për disa pyetje”, tha Prokurori, duke shtuar se gjykata nuk duhet të lejojë të ketë periudha të gjata kohore mes konferencave", tha ai. 

“Deri tani kemi pasur konferenca për ecurinë e çështjes, 1 herë në muaj. Propozoj që e ardhshmja të jetë në fund të janarit”, tha Avokati David Hooper përfaqëson Hashim Thaçin.

“Menaxhimi i përgatitjes për gjykim është proces i rëndësishëm. Dhe duke marrë parasysh parashtrimin e Tiger se mbrojtja po përpiqet të stërzgjasë procesin e përgatitjeve të veta, është i pavend. Ne pajtohemi që mbajtja e konferencave 1 herë në muaj është në parim si duhet të bëhet në mënyrë të shkëmbehen informacionet. Afati apo orari për konferencën e ardhshme do të sugjeroja të ishte 18 janari 2021”, tha mbrojtja e Kadri Veselit, Ben Emmerson.

“Edhe unë propozoj që konferenca të mbahet pas një muaji”, tha avokatja malajziase Venkateswari Alagendra që përfaqëson Jakup Krasniqin.

Derisa edhe avokati britanik David Young që përfaqëson Rexhep Selimin, tha se “pajtohet me këtë”.

Gjykatësi Guillou, tha se shpejt do të caktohet data e saktë për këtë.

“Edhe unë ndaj mendimin që të paktën një herë në muaj të mbahen konferencat ku të bashkërendohen mendimet. Dua që këto përgatitje të jenë sa më të shpejta dhe palët të bëjnë përgatitjet e tyre që të kryhet një gjykim i shpejtë”, tha ai.

***

Avokati i ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçit, David Hooper është ankuar gjatë seancës së sotme se për shkak të pandemisë nuk është duke mundur ta vizitojë në Hagë klientin e tij.

Hooper ka thënë se janë duke punuar në ngritjen e ekipeve mbrojtëse.

“Jo vetëm që po marrim tani materialin mbështetës dhe duhet ta trajtojmë atë material, ne gjithashtu jemi edhe po merremi edhe me ngritjen e ekipeve tona të mbrojtjes”, shton ai.

Avokati i ish-presidentit të Kosovës thotë se kishte planifikuar të shkonte në Hagë të hënën e të martën në mënyrë që të takohet me Thacin. Ai shton se këtë nuk po mundet ta bëjë si pasojë e kufizimeve shkaku i COVID 19.

“Qëllimi im ishte që të vija në Hagë të hënën e të martën që vjen ne mënyrë që të diskutoja drejtpërdrejtë me z.Thaci po kjo nuk po mund të ndodhë për shkak të kufizimeve, ju mund të shkoni në një hotel në Hagë, por aty nuk mund të hani, kjo na i kufizon mundësitë, të gjitha këto kufizime i kemi të qarta se janë bërë për shkak të shkallës së vdekshmërisë që shkakton pandemia dhe masat që ka marrë Holanda dhe Anglia janë të kuptueshme”, thotë ai.

***

Ben Emmerson, avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar Prokuroria të pushojë së paraqituri prova kur të do, ndërkohë që e ka quajtur “gijotinë” kërkesën e saj që gjykimi të fillojë në shtator.

Emmerson ka kundërshtuar idenë e avokatit të Prokurorisë, Allan Tiger, që të dorëzojë dosjen e saj në gjykatë në qershor ose korrik, me kushtin që gjykimi të nisë në shtator.

“Kjo nuk është vetëm qesharake, por edhe absurde. Duhet të ndalet kjo gijotinë e Prokurorisë. Ajo që Tiger sapo tha, është shqetësim mjaftë i rëndë. Habitem se si prokuroria i jap këto përgjigje. Është një parashtrim shokues, ka vetëm një arsye, që të kufizojë mundësinë e mbrojtjes për përgatitje, në qoftë se rregullat thonë që për një gjykim mbrojtja duhet të ketë pak kohë për përgatitje është në rregull, por nuk e thonë. Afati përcaktohet nga kompleksiteti i rastit”, ka thënë Emmerson.

Ai ka paralajmëruar që bashkëngjitur me kërkesën për lirim të klientit të tij, Veselit, do të dorëzojë edhe prova që dëshmojnë se përgatitjet për mbrojtje në raste të tilla kanë marrë deri në 3 vjet e gjysmë. Ka përmendur edhe gjykimin e Ramush Haradinajt në Hagë.

“Është qesharake, është përpjekje e prokurorisë për të pasur një gjykim të padrejtë”, shtoi avokati i Veselit.

Seanca në Hagë, replikojnë Prokurorja e Speciales dhe avokati i Thaçit

Prokurorja e ZPS-së, Claire Lawson në konferencën e dytë statusore për çështjen e Hashim Thaçit dhe të tjerëve, ka thënë se Prokuroria deri më tani i ka dorëzuar mbrojtjes 1309 materiale potencialisht shfajësuese.

Lawson ka thënë se kanë bërë nxjerrjen e materialeve mbështetëse të aktakuzës.

“Materialet e nxjerra përfshinë 1764 dokumente duke marrë parasysh problemet teknike që kishim lidhur me nxjerrjen e materialeve dhe ne po kryejmë një kontroll që këto vështirësi të hiqen”, ka thënë Lawson.

Ajo ka shtuar se presin që paketën e dytë të materialeve potenciale shfajësuese t’ia dorëzojnë mbrojtjes menjëherë pas pushimit të gjykatës. 

***

12:28 Në Gjykatën Speciale në Hagë po mbahet seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-krerëve politikë e ushtarakë të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Në fillim të kësaj seance, gjykatësi Nicolas Guillou ka kërkuar që palët të tregojnë nëse ka ndonjë parregullsi në lidhje me provat e nxjerra dhe të përcjellura nga prokuroria te mbrojtje. Ndërkaq në vijim, ka pasur replika ndërmjet prokurores së Speciales dhe avokatit të Thaçit, i cili paraprakisht i kishte paraqitur disa vërejtje.

Prokurorja e ZPS-së ka thënë se deri tani ia kanë ofruar mbrojtjes mbi 1300 materiale potencialisht shfajësuese dhe se kanë nxjerrë materiale mbështetëse të aktakuzës.

“Në lidhje me procesin e nxjerrjes së materialeve, Prokuroria deri më tani ia ka dorëzuar mbrojtjes 1309 materiale potencialisht shfajësuese… Përveç kësaj, kemi bërë nxjerrjen e materialeve mbështetëse të aktakuzës si në gjuhën shqipe ashtu edhe në gjuhën angleze”, ka thënë prokurorja.

Ajo ka përmendur edhe dy çështje që i ka ngritur ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me llojin dhe burimin e materialit të Prokurorisë.

“Sa i përket llojit të materialit. Prokuroria është përpjekur të japë një pëshkrim domethënës të dokumentit. P.sh. nëse materiali është fotografi apo video-incizim, atëherë në përshkrim përmendet kjo… Sa i përket burimit të informacionit, përsëri nuk duhet një urdhër i gjykatës. Fusha që përmban informacionin për burimin e informacionit është qartësisht e shënuar”, ka thënë prokurorja.

Në kundërpërgjigje, David Hooper, avokat i Thaçit, pati vërejtje për formatin e një liste që i shoqëron materialet e Prokurorisë.

“Unë nuk po flas vetëm për çështjen e nxjerrjes së materialeve… I nderuar gjykatës, ju jeni në dijeni për formatin e listës që i ka shoqëruar materialet e dorëzuara… Kur i shikojmë kolonat që kanë të bëjnë me kategoritë, ne, siç e kemi thënë edhe në parashtrimin me shkrim, këto janë krejtësisht të pamjaftueshme dhe të papërshtatshme. Faktikisht, në atë kolonë mund të mos ketë asgjë sepse nuk ka tregues për informacionin që jepet aty për personin që e shikon”, tha Hooper.

Ai kërkoi nga Prokuroria më shumë informacion për këto kategori.

(10:58)- Gjykata Speciale do të mbajë seancë të re ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Seanca do të fillojë sot në orën 11:00.

E njëjta do të jetë si një konferencë mbi ecurinë e çështjes, ashtu siç ishte mbajtur më 18 nëntor.

Gjyqtari i procedurës paraprake me këtë rast ka kërkuar nga mbrojtja që të dërgojë parashtresat me shkrim deri më 15 dhjetor në orën 16:00.

Po ashtu, ka kërkuar nga Prokuroria e Specializuar që të njëjtat t’i dërgojë deri më 14 dhjetor në orën 16:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat