​Qytetarët japin mendimet e tyre rreth vendimit të Kushtetueses

Aktuale

​Qytetarët japin mendimet e tyre rreth vendimit të Kushtetueses

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 14:35
Foto ilustrim

Qytetarët po e vlerësojnë si të drejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shpalli si të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare në votimin e Qeverisë Hoti dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Për shkak të mungesës së numrave në Kuvend, qytetarët thonë se zgjedhjet e reja mund të ndihmojnë që disa prej proceseve që kanë ngecur të ecin përpara.

Qytetari Adem Veseli ka thënë se vendimi i Kushtetueses duhet të respektohet pasi që shumë procese kanë mbetur mbrapa shkaku i votave të pamjaftueshme për t’i realizuar nga kjo qeveri.

Veseli: Duhet të bëhen dy parti të fuqishme ta udhëheqin Kosovën

“Vendimi i Gjykatës është i plotfuqishëm, faktikisht kjo qeveri, po nuk është dashtë, domethënë është një shkelje e ligjit… Realisht edhe nja tre- katër muaj nuk është dashtë (të shkohet në zgjedhje) për shkak se të kalohen disa procese, sipas meje nga marsi-prilli patjetër, se kjo edhe nuk ka pasur votë, ka qenë e dobët qeveria… Por është dashtë më iu dhënë edhe pak kohë që me dal kandidat të mirë, dhe dy parti të fuqishme të formojnë një qeveri të fortë që me i bartë proceset sepse kemi ngelur me një vend, se kjo është veç sa me thënë kemi një qeveri. Ky (Hoti) nuk është që nuk ka punuar, por nuk ka pasur legjitimitet”, ka thënë Veseli.

Një qytetar tjetër, Rexhep Reçica thotë se vendimi i Kushtetueses është i vonshëm dhe se do të duhej edhe me herët të deklarohej për votën e deputetit Arifi, megjithëse ai thotë se vendi nuk është i gatshëm që të shkojë në zgjedhje shkaku i pandemisë.

Reçica: Vendimi pak i vonuar, por i qëlluar

“Mendoj që ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është pak me vonesë, gjykata ka pasur mundësi edhe më herët të prononcohet për votën e Ethem Arifit, sido që të jetë është vendim që duhet respektuar. Unë besoj që vendi nuk është aq i gatshëm (për zgjedhje), por rrethanat na e diktojnë, ndoshta duhet të shkojmë në zgjedhje nëse nuk ka opsione të tjera, por që zgjedhjet duhet të jenë ferr dhe korrekte dhe të respektohet vota e qytetarit”, ka thënë Reçica.

E qytetari Sokol Plakolli ka thënë se Gjykata Kushtetuese është dashur më herët që ta marrë këtë vendim, qe vendi të mos presë kaq gjatë.

Plakolli: Gjykata është dashur më herët ta marrë këtë vendim

“Gjykata Kushtetuese më herët është dashur të marrë këtë vendim, mos me e lënë kaq gjatë me pritë.. Është vendim i qëlluar, por pak i vonuar sepse nuk është dashtë që të na lejnë gati që një vit në këtë lloj ankthi se qeveria është formuar me njerëz që nuk janë kredibil, faktikisht i dënon ligji... Qytetarët e Kosovës kanë qenë të gatshëm me dhënë verdiktin e vet edhe në kohën e Millosheviqit, jo në kohën e pandemisë, e kena dhënë në gjitha rrethanat e ndryshme e jo më në kohën e pandemisë”, ka thënë Plakolli.

Ndërsa qytetari Qerim Gashi thotë se nuk është ka bëhet zgjidhje për vendin, dhe politikanët janë duke punuar vetëm për interesa të tyre.

Gashi: Nuk po bëhet zgjidhje për Kosovën

“Unë mendoj se Kosova gjithherë po shkon kah një pështjellim të formimit të shtetit, këta politikanët që po merren me politikë, nuk janë kah punojnë për shtetin, janë ka punojnë për vete të vijnë pushtet… Kjo për neve veç dil në zgjedhje edhe në sy të botës se di se si reflektohet qëndrimi i politikanëve”, ka thënë Gashi.

E qytetari Maliq Demiri thotë se duhet të vijnë në pushtet njerëz që e donë atdheun dhe nuk janë të korruptuar.

Demiri: Kosovën duhet ta udhëheqin njerëz që e duan vendin

“Dashtë Zoti na vijnë njerëz që e donë atdheun, e që nuk janë të korruptuar. Hajnat kurrë mos ardhshin”, ka thënë Demiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat