AKR e Nisma i ndajnë rrugët në këto zgjedhje

Aktuale

AKR e Nisma i ndajnë rrugët në këto zgjedhje

Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 15:25
Pacolli dhe Limaj

Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj ka thënë se me Nismën Socialdemokrate nuk do të ketë koalicion në zgjedhjet e reja.

"Jo, me Nismën Socialdemokrate ka qenë bashkëpunimi në mandatin e kaluar”, ka thënë ai.

AKR-ja në Kuvend përfaqësohet me dy deputetë nga koalicioni që kishte lidhur me Nismën Socialdemokrate.

Një koalicion të ri me partinë e Fatmir Limajt në zgjedhjet e reja e kanë mohuar nga AKR’ja.

I pyetur nëse do të shqyrtojnë një koalicion me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, Zyberaj tha se nuk do të ishte risi.

“Ne me Kurtin kemi bashkëpunuar edhe në të kaluarën nuk do të ishte risi.”, ka thënë ai.

Zyberaj tutje ka thënë se Aleanca Kosova e Re e mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Vendimi i Kushtetueses vjen në një moment të rëndë për vendin. Kriza institucionale e karakterizuar me mungesë numrat në Kuvend për të shtyrë përpara vendime është dashur të marrë fund dhe ky vend vjen në një moment të përshtatshëm. Kosovës i duhet një rilegjitimim dhe zgjedhjet janë i vetmi mekanizëm demokratik, andaj AKR e vlerëson shumë pozitivisht këtë”, ka thënë ai.

Ai poashtu ka thënë se shumë shpejt do të dalin me një vendim se si do të hyjnë në zgjedhje.

“Ne jemi duke zhvilluar diskutim të brendshëm dhe besoj që shumë shpejt do të kemi vendim se si do të ecim para. Zoti Pacolli është konsistent në qëndrimin e tij se Kosovën në këtë periudhë krize politike dhe ekonomike duhet ta udhëheqë një qeveri stabile e cila besoj fuqishëm që do të dalë pas zgjedhjeve. Ekonomia e rrënuar nga pandemia duhet të jetë prioritet i të gjithëve”, tha Zyberaj.

Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka marrë vendim se zgjedhja e qeverisë së Avdullah Hotit më 3 qershor nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën, pasi deputeti Etem Arifi ka qenë i dënuar kur ka marrë pjesë në votim duke e bërë të paligjshme votën e tij vendimtare.

Kësisoj Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se presidenti i Republikës duhet të shpall zgjedhjet të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat