Mjekiqi: KQZ është dashur paraprakisht ta sqarojë rekomandimin e zyrës për certifikim

Aktuale

Mjekiqi: KQZ është dashur paraprakisht ta sqarojë rekomandimin e zyrës për certifikim

Më: 22 janar 2021 Në ora: 22:24
Shqipe Mjekiqi

Analistja politike, Shqipe Mjekiqi, e ka komentuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos i certifikojë listat e partive politike me emrat e kandidatëve për deputetë të cilët janë të dënuar apo kanë çështje të pazgjidhura në sistemin e drejtësisë.

Në emisionin Rubikon, ajo ka thënë se KQZ para se ta mbajë takimin e sotëm, është dashur ta sqarojë rekomandimin e marrë nga zyra për certifikimin e listave zgjedhore të partive politike.

“Është për keqardhje ajo që kemi parë sot në takimin e KQZ-së për shkak se kishte më tepër akuza ndaj njërës ose tjetrës parti, e shumë më pak u kapën për argumente për të shpjeguar për opinionin rekomandimin e zyrës për certifikimin e partive”.

“Qysh në fillim u përmend nga kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, që është paraqitur një rekomandim nga ana e zyrës për certifikim të partive politike që ishte diçka e re edhe për ne”.

“Qysh në fillim të mbledhjes u pa që kishte mungesë informacioni se çfarë në të vërtetë ka rekomanduar kjo zyrë”.

“Në njërën anë e kishim kryesuesen e cila thoshte që nuk është në dijeni se çfarë konkretisht po propozon kjo zyrë – se a duhen certifikuar të tjerët të cilët janë zëvendësuar nga partitë që është dashur të zëvendësohen?”.

“Në anën tjetër drejtori ekzekutiv i zyrës thoshte që kryesuesja ka qenë e informuar vazhdimisht dhe i ka pasur në dispozicion të gjitha dokumentet të cilat tregojnë se pse kanë ardhur deri tek ky vendim”.

“Mendoj që KQZ është dashur t’i shqyrtojë të gjitha këto para se të vijnë në mbledhjen e sotme, në mënyrë që ta kuptohet mirë se pse dhe çfarë është rekomanduar nga kjo zyrë dhe ta sqarohet për opinionin publik ajo çfarë në të vërtetë ka rekomanduar zyra”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat