Anëtarët e VV-së në KQZ i dërgojnë letër PZAP-së, reagojnë kundër Dakës

Aktuale

Anëtarët e VV-së në KQZ i dërgojnë letër PZAP-së, reagojnë kundër Dakës

Më: 26 janar 2021 Në ora: 10:59
KQZ

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi dhe Alim Rama, përmes një letre drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, kanë kundërshtuar letrën që kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, i dërgoi të hënën PZAP-së.

Daka kishte kërkuar nga PZAP-ja të certifikonte pjesërisht listat e partive që janë ankuar, duke mos certifikuar kandidatët me probleme me ligjin. Për Vetëvendosjen, kjo nënkupton që kryetari i saj, Albin Kurti, të mos garojë për deputet.

Ndërkaq, në letrën e Ramës dhe Kurteshit, thuhet se përgjigjet dhe arsyetimet e Dakës ishin dërguar në mënyrë arbitrare dhe të kundërligjshme si dhe pa rekomandimin e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim.

PZAP-ja do të vendosë sot për ankesën e Vetëvendosjes, pak pasi KQZ-ja vendosi të mos e certifikonte pasi pesë kandidatë nga kjo listë binin ndesh me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që ua ndalon kandidimin të dënuarve për vepra penale në tri vitet e fundit.

Pas vendimit të PZAP-së, palët kanë afat një ditë për t’u ankuar në Gjykatën Supreme, që më pas ka tre ditë kohë për të dhënë verdiktin final. Më 31 janar ky proces duhet të mbyllet.

Zgjedhjet mbahen më 14 shkurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat