Gjyqtari përmend statusin e Jakup Krasniqit për Shkelzen Gashin, në refuzimin për lirimin e tij

Aktuale

Gjyqtari përmend statusin e Jakup Krasniqit për Shkelzen Gashin, në refuzimin për lirimin e tij

Më: 27 janar 2021 Në ora: 13:28
Jakup Krasniqi

Gjykatësi i Speciales, Nicollas Guillou ka hedhur poshtë shumicën e argumenteve të mbrojtjes dhe rrjedhimisht kërkesën për lirim të Jakup Krasniqit nga Haga, duke e mbajtur atë në paraburgim.

Njëra prej çështjeve prej të cilat u përdor si argument për rrëzim të kërkesës, është edhe një status në Facebook i Krasniqit për Shkelzen Gashin, në kohën kur ky i fundit akuzohej se e kishte paraqitur si kriminale Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Krasniqi i kishte lidhur deklaratat e Gashit  me raportin e Dick Martyt që e akuzonte UÇK-në për trafikim organesh e krime të tjera, përmes një statusi në Facebook.

“Në vitin 2010, Raportin e Dick Martin e kam quajtur -Raport racist. Çdo shqiptar që D. Martin e quan PATRIOT, qoftë në shërbim të Kryeministrit apo kudo tjetër, është kolaboracionist e në shërbim të politikave gjenocidiste të Millosheviqit!Unë pres që organet drejtuese të LVV-së, kuptohet nëse Ato janë funksionale, të distancohen seriozisht nga “patriotizmi i Dick Martit”!Nëse ato nuk distancohet, atëherë ato janë politika të VV-së”, kishte shkruar Krasniqi.

E megjithëse mbrojtja e Krasniqit kishte theksuar se ky postim shpreh vetëm mendimin politik të Krasniqit, nuk identifikon ndonjë individ me emër e nuk bën thirrje për të ndërhyrë në proces, kështu nuk ka menduar gjyqtari Guillou. Sipas tij roli i Krasniqit edhe më herët në UÇK ishte shkrimi i komunikatave që kishin në shënjestër kundërshtarët e UÇK-së .

“Sa i përket rrezikut për të penguar procedurat e KS, Gjyqtari i Procedurës paraprake kujton se Z. Krasniqi, si zëdhënës i UÇK-së, ishte përfshirë në zhvillimin dhe përhapjen e politikave të UÇK-së përmes hartimit dhe /ose lëshimit të komunikatave të Shtabit të Përgjithshëm dhe deklaratave politike, shumë prej të cilave kishin në shënjestër specifikisht kundërshtarët e UÇK-së”, thuhet në arsyetimin e Guillou.

Francezi ka shkruar se pak rëndësi ka personi sa gjuha e përdorur, duke iu referuar postimit të lartpërmendur të Krasniqit për Gashin.

“Sidoqoftë, postimi i tij në Facebook i 24 Prillit 2020 tregon se edhe pas njëzet vjetësh, Z. Krasniqi ende etiketon si “Bashkëpunëtorë ” dhe “Në shërbim të politikës së gjenocidit të Millosheviçit” çdo person që guxon të deklarojë se anëtarët e UÇK-së kishin kryer krime. Është e parëndësishme nëse kjo deklaratë drejtohet kundër z. Gashi posaçërisht; gjuha e saj synon qartë cilindo që pajtohet me akuzat, përfshirë ato të shkruara në raportin e vitit 2010 e të përgatitur nga raportuesi special Dick Marty”, deklarohet në arsyetim.

Image

Ndërsa ky është postimi i plotë i Krasniqit për Shkelzen Gashin:

Unë pres që organet drejtuese të LVV-së, kuptohet nëse Ato janë funksionale, të distancohen seriozisht nga “patriotizmi i Dick Martit”!Nëse ato nuk distancohet, atëherë ato janë politika të VV-së.

Disa shqipfolës kur i dëgjon e i sheh se si e çka flasin, nuk ka si mos të të vije keq për cektësinë e mendimit që shfaqin në publik, ndoshta nuk është edhe faji i tyre, flasin aq sa edhe dinë. Disa njerëz, kur flasin e shkruajnë për shekujt e robërisë apo për pak vitet e Lirisë, tërë mllefin e tyre e shfryjnë ndaj kontribuuesve të Lirisë e të Lavdisë, kuptohet në krahasim me shekujt e shumët të robërisë!

Edhe sot në medie tona, pretenduesit e majave shtetërore apo ata që janë ngritur në majat shtetërore e bëjnë të njëjtën gjë, sikur vërtet nuk kanë probleme të tjera për rreth tyre, por problemet i kërkojnë dhe i shohin vetëm e vetëm brenda përbrenda kombit e shtetit apo shteteve që i krijuan të virtytshmit e kombit. Mbase edhe nuk kanë faj pasi lloji i njerëzve që kurrë atdheut e kombit nuk ia bënë ndonjë argat për të qenë, kaq shohin e kaq dinë, mbase edhe kaq bëjnë! Të paditurve edhe nuk duhet tua zëmë për të madhe! Kur heshtin të urtët e virtytshëm, axhamive u falet hapësira e veprimit!

Është në natyrën e njeriut të flet atë që dinë! Ndërsa, koha i kërkon ata që dinë dhe kanë integritet në qëndrime e vendimet që koha i kërkon të merren. A koha e jonë i kërkon njerëzit e virtytshëm e me integritet të lartë!

E gjithë historia e jonë e lavdishme na tregon se: Integritetin njerëzit e virtytshëm e tregojnë në kohë të vështira!

Si përfundim: Në vitin 2010, Raportin e Dick Martin e kam quajtur -Raport racist. Çdo shqiptar që D. Martin e quan PATRIOT, qoftë në shërbim të Kryeministrit apo kudo tjetër, është kolaboracionist e në shërbim të politikave gjenocidiste të Millosheviqit!

Unë pres që organet drejtuese të LVV-së, kuptohet nëse Ato janë funksionale, të distancohen seriozisht nga “patriotizmi i Dick Martit”!Nëse ato nuk distancohet, atëherë ato janë politika të VV-së.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat