Nisma e pranon vendimin e Gjykatës Supreme: S’do ankohemi në Kushtetuese

Aktuale

Nisma e pranon vendimin e Gjykatës Supreme: S’do ankohemi në Kushtetuese

Më: 29 janar 2021 Në ora: 17:15
Fatmir Limaj

Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e Nismës Socialdemokrate për certifikimin e 12 kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Ankesa e ushtruar nga subjekti politik Nisma, është refuzuar si e pabazuar nga kolegji i Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Këtë vendim e ka pranuar partia e Fatmir Limajt, teksa nuk do të bëjnë ankesë as në Gjykatën Kushtetuese. Kështu ka thënë për anëtari i kësaj partie, Zafir Berisha.

“Ne i pranojmë vendimet e organeve të rendit. Nuk do të ankohemi në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur Berisha.

Nisma do duhet të garojë në këto zgjedhje pa: Vesel Krasniqin, Filloreta Bytyçin, Fatmir Gërdellajn, Vehbi Abdullahajn, Besnik Berishën, Valentina Alijajn, Xhafer Berishen, Aziz Thaçin, Musa Fetahajn, Hasime Dakajn, Fatmir Gërdellajn, Ardian Nokaj dhe Endrit Shalën.

Po ashtu, Gjykata Supreme në Kosovë sot se ka pranuar pjesërisht ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me certifikim të kandidatëve për garën në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sipas kësaj Gjykate, Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezi duhet të shtohen në listën e kandidatëve të LVV-së, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë vlerësim të gabuar të dënimit trevjeçar. Ndërkaq, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Bajram Mavriqi, nuk do të garojnë në këto zgjedhje.

Në vendimin e së premtes, Gjykata Supreme ka miratuar pjesërisht edhe ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës duke kërkuar që kandidatit Shemsedin Dreshaj t’i mundësohet futja në listën e kësaj partie.

Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati nuk mund të certifikohen, bazuar në këtë vendim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat