Sveçla nervozohet me grupet kriminale të veriut: I paralajmëron se pas 14 shkurtit...

Aktuale

Sveçla nervozohet me grupet kriminale të veriut: I paralajmëron se pas 14 shkurtit...

Më: 31 janar 2021 Në ora: 15:38
Xhelal Sveçla

Kandidati i LVV-së për deputet, Xhelal Sveçla ka reaguar një ditë pas vizitës së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në Mitrovicën e Veriut, që u përcoll me shumë tensione.

Ai tha se të gjithë e dinë problemin me administrimin e veriut, ndërsa premtoi se me ta në Qeveri ky problem do të zgjidhet. Ai ka pasur edhe një paralajmërim për “grupet kriminale”.

“Sa për grupet kriminale, edhe ato e kanë kuptuar si po shkojnë gjërat, prandaj po bëjnë provokime të kota. Realitetin e ri do ta ndjejnë pas 15 shkurtit”, ka shkruar Sveçla.

Postimi i plotë:

I madh e i vogël e dinë se në Kosovë ekziston një problem, i quajtur administrimi i veriut. Dihen edhe shkaktarët edhe mirëmbajtësit e këtij problemi, e ata nuk janë banorët e të gjitha etnive. Banorët, shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë, në fakt, janë viktimat që duan t’i shpëtojnë sa më shpejt kësaj situate e të kthehen në normalitetin e sundimit të ligjit.

Përderisa ka teori të ndryshme për iniciatorët, tashmë është e qartë se mirëmbajtësit e kësaj situate janë qeveria e Serbisë, nga jashtë, dhe mafia parapolitike e përfaqësuar nga udhëheqjet e deritashme të Kosovës, në koalicionet e tyre me listën Srpska.

Është e qartë se kemi shumë probleme tē cilat kërkojnë zgjidhje nga qeveria e ardhshme, ndër to edhe ajo e luftimit të grupeve kriminale, si në veri ashtu edhe në jug të lumit Ibër. Ne kemi vullnetin, dijen e energjinë ta bëjmë këtë. Do ta luftojmë kriminalitetin, duke mbrojtur e përparuar njëkohësisht të drejtat e banorëve, sepse drejtësia dhe ligji në demokraci nuk janë represion, por ndihmë.

Qytetarët e kanë kuptuar, prandaj edhe do të na votojnë masovikisht në referendumin e 14 shkurtit.

Sa për grupet kriminale, edhe ato e kanë kuptuar si po shkojnë gjërat, prandaj po bëjnë provokime të kota. Realitetin e ri do ta ndjejnë pas 15 shkurtit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat