E konfirmon Albin Kurti: Unë jam bartësi i listës së VV-së

Aktuale

E konfirmon Albin Kurti: Unë jam bartësi i listës së VV-së

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 23:13
Albin Kurti

(E plotësuar 00:12) - Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka prezantuar sonte programin e partisë dhe listën e kandidatëve për deputet në garën e 14 shkurtit, pasi që Kushtetuesja rrëzoi Qeverinë Hoti pasi vlerësoi se ajo ishte zgjedhur në mënyrë jo legjitime.

Ai me këtë rast ka bërë të ditur se do t’i prijë listës së Lëvizjes Vetëvendosje, pavarësisht se KQZ ka vendosur që ai të jetë jashtë listës për deputet duke iu referuar kështu aktgjykimit të Kushtetueses se nuk kanë të drejtë të kandidojë askush që në tri vjetët e fundit ka të kryer vepra penale.

Kurti: Bartës i listës jam unë

“Këshilli i VV-së më nominoi si kandidatin për kryeministër të Kosovës nga Vetëvendosje në këto zgjedhje. Është ndër dhe përgjegjësi ta përmbush këtë vullnet të shprehur në mënyrë demokratike. Bartës i listës jam unë, numër 2 Vjosa Osmani, u.d. e detyrës së presidentes dhe presidente e ardhshme e Kosovës, numër 3 Glauk Konjufca, ish-ministër i Jashtëm dhe Diasporës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës...”, tha Kurti.

Ai tha se të gjitha masat e programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje në katër vjetët e ardhshëm parashikojnë zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës në të gjitha sferat e jetës.

Ndër masë urgjente në qeverinë Vetëvendosje ai ka përmendur luftimin e pandemisë COVID-19 përmes vaksinimit të popullatës dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Botërore të Shëndetësisë.

Kurti: Masat e veprimit kundër COVID-19 do të jenë të menjëhershme

“Pa vonesë do të vëmë në aksion planin detajuar sipas gjendjes në terren. Masat e veprimit do të jenë të menjëhershme vaksinimi i 60 për qind i popullatës, trajnim i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, komunikim i sinqertë dhe i dendur me qytetarët. Rritja e kapaciteteve parësor dhe përcjelljen e rasteve pa komplikime shëndetësore. Do të fillojmë bisedimet me Shqipërinë për përballjen me pandeminë dhe do të aplikojmë për anëtarësim në OBSH”, tha Kurti.

Duke përkujtuar se si pasojë e pandemisë me koronavirus ekonomia ka shënuar rënie, Kurti ka theksuar se gjatë qeverisjes së tij do të angazhohet për daljen nga kjo gjendje dhe kthim në normalitet.

Kurti: Ndërmarrësve u ofrojmë qasje të volitshme

“Ndërmarrësve tanë u ofrojmë qasje të volitshme. Për këtë do të krijojmë partneritet të fuqishëm mes pesë shtyllave që garantojnë daljen e shpejtë nga recesioni i tanishëm: ndërmarrjet, shtetit, sistemi bankar, fondi për garantimin e kredive komuniteti i donatorëve dhe kredi-dhënësve ndërkombëtarë.

Mbështetje do të shtohet për të gjitha bizneset që arrijnë qasje në tregjet ndërkombëtare dhe shtojnë eksportet e Kosovës dhe arrijnë të shtojnë numrin e punëtorëve”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë të ditur se mbështetje shtesë do të ketë për bizneset në sektorin ekonomik që promovojnë eficiencën e energjisë dhe turizmin, ndërsa do të ketë edhe një ndihmë për ndërmarrjet e goditura nga pandemia, derisa ndihmë do të ketë edhe ndërmarrësinë e grave si parakusht për fuqizimin e ekonomisë.

Kurti nuk ka harruar as mërgatën si pjesë e qeverisë Vetëvendosjes, duke thënë se do të hiqet kartoni i gjelbër dhe se mërgata do të ketë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit, teksa në bujqësi do të ketë vendosje të çmimeve referente, si për grurin dhe qumështin.

Sa i përket rinisë, Kurti tha se do të ketë një pako intervenimi në jetën ekonomike, e cila fillon nga rritja e bursave që kërkohen nga tregu i punës, mbështetja e arsimit e deri te programet e mëdha e atraktive që mbështesin iniciativat e të rinjve.

Kurti ka theksuar se do të angazhohet për depolitizmin e ndërmarrjeve publike, gjendja në të cilat sipas tij është e rënduar nga pandemia dhe keqpërdorimet, teksa është zotuar se do të ketë përkujdesje edhe për uljen e varfërisë, skemat sociale, teksa paga minimale do të jetë 250 euro.

Kurti: Paga minimale do të jetë 250 euro

“Do të krijojmë fondin sovran dhe bankën zhvillimore të Kosovës, fondi sovran do të marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës dhe do të ketë përgjegjësinë ekskluzive për rritjen e vlerës së tyre. Do ta shuajmë AKP-në dhe asetet e saj do t’i kalojmë në pronësi të fondit sovran... Pa ryshfet në fillim dhe pa haraq në fitim është e ardhmja e bizneseve tuaja... Zotohem se shteti do t’u garantoj dhe jo më shumë se 40 orë pune në javë. Do të pesëfishojmë numrin e inspektorëve të punës dhe të fuqizojnë bashkëpunimin me sindikatat për organizim sindikal në të gjitha nivelet e punësimit. Zotohem se paga minimale do të rritet në 250 euro për 40 orë në javë dhe do të përjashtohet nga tatimi në të ardhurat personale dhe do të rishikohet vit për vit”, tha Kurti.

Ai gjithashtu tha se do të mbështesin me grantin e katërt komunat gjatë katër vitet e ardhshme do t’iu alokohen mbi 600 milionë euro, për të cilat ato do të vendosin vetë për projektet kapitale.

Shtesat për fëmijë është pjesë e programit të Vetëvendosjes, me qëllim të ndihmës për familjet ku për fëmijët nën moshën dy vjeç shuma përfituese mujore do të jetë 20 euro, ndërsa për ata nën 16-vjeç nga dhjetë euro. 

***

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shpalosur programin qeverisës dhe listën e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 14 shkurt, përmes një lidhjeje direkte në rrjetin social Facebook.

Kurti tha se ai është bartës i listës së VV-së.

“Këshilli i VV-së më nominoi si kandidatin për kryeministër të Kosovës nga VV në këto zgjedhje. Është ndër dhe përgjegjësi ta përmbush këtë vullnet të shprehur në mënyrë demokratike.

Bartës i listës jam unë, numër 2 është Vjosa Osmani, numër 3 Glauk Konjufca..”, tha Kurti.

Kurti: Plani i parë, vaksinimi i së paku 60% të popullatës

Kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se kryeprioritet kanë kthimin në normalitet, në rast se vihet sërish në krye të qeverisë.

Ai ka thënë se meqë ishte në front të luftimit të pandemisë kur u shfaq ajo, e di më mirë se çka duhet vepruar menjëherë.

“Dimë më shumë dhe padyshim mundim më shumë. Mbi të gjitha dimë se çka është gabim dhe s’duhet ndjekur më tej. Shërimi dhe kurimi i sëmundjeve s’kanë alterantivë andaj duhet krijuar kushtet. Masat e veprimit të menjëhershëm do të jenë: vaksinimi i së paku 60 për qind të popullatës, sigurimit të qëndrueshëm të barnave dhe testeve, trajnimi i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, komunikim transparent dhe i dendur me qytetarë”.

Kurti ka folur edhe për planet në fushat e tjera ku të dytën e renditi ekonominë dhe këndelljen e saj.

“Ka rënie të ndjeshme të prodhimit, vende të humbura të punës dhe rritje të numrit të familjeve në që kanë përfunduar në varfëri. Kthimi i normalitet është kryeprioriteti ynë. Përgatitja e të gjithë neve për një mënyrë të re të të bërit biznes”.

I pari i vetëvendosjes ka thënë se do të shërojnë ekonominë që del nga pandemia, por e cila, sipas tij, ka pasë edhe shumë sëmundje të tjera.

Në këtë drejtim, Kurti ka thënë se theks të veçantë do të vë edhe te gratë duke synuar punësimin dhe mbështetje aktive për ndërmarrësi, si dhe biznese ku pronare janë gratë.

Kurti gjithashtu ka përsëritur se synojnë që mbështetjen popullore ta kthejnë në shumicë parlamentare duke potencuar se sfida është e madhe, por se vullneti edhe më i madh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat