Dy mjekë ri-infektohen me koronavirus, nga Oda e Mjekëve flasin për gjendjen e tyre

Aktuale

Dy mjekë ri-infektohen me koronavirus, nga Oda e Mjekëve flasin për gjendjen e tyre

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 14:14
Infektiva

Dy mjekë janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas ri-infektimit me koronavirus. Ende nuk dihet nëse ata janë prekur nga varianti i ri i virusit Covid-19, me të cilin janë infektuar tre persona deri tash.

Naser Gjonbalaj, nënkryetar i Odës së Mjekëve tha se përveç këtyre dy mjekëve nuk kanë informacione nëse ka edhe të tjerë të ri-infektuar.

“Fatmirësisht janë vetëm dy mjekë të konfirmuar që janë ri-infektuar me virusin Covid-19 deri më tani. Nuk kemi konfirmime të tjera që ka të ri-infektuar të tjerë. Tani duhet të presim që në ditët, javët apo muajt në vijim se çfarë po ndodh, duke pasur parasysh që i kemi 1200 mjekë të infektuar, por që kanë rezultuar pozitivë gjatë periudhës së pandemisë. Duhet të presim që të shohim se si po varion kjo situatë”, ka thënë Gjonbalaj.

E këta dy mjekë, nuk dihet nëse janë prekur me variantin e ri të Covidit.

Sipas nënkryetarit të OMK’së, të njëjtit virusin e kanë kaluar para 6 muajsh.

“Nuk kemi informacione se a janë të infektuar me variantin e ri . Nga informatat që ne i kemi, nuk e dimë nëse ata janë të infektuar me variantin e ri të virusit, pasi ata virusin e kanë kryer para 6 muajsh. Të dy janë të shtrirë në Klinikë por nuk janë në gjendje të rëndë. janë në gjendje të mirë shëndetësore”, ka deklaruar ai.

Në ndërkohë në Odën e Mjekësve nuk kanë informacione se sa mjekë janë aktualisht të infektuar. Gjonbalaj tha se ata kanë shifra vetëm të përgjithshme.

“Nuk kemi informacione se as mjekë janë aktiv me koronavirus. Shifrat po ndryshojnë çdo ditë. në bazë të informacioneve të fundit janë 1222 mjekë të infektuar gjatë gjithë periudhës së pandemisë. Pas dy jave që po e kalojnë virusin ata po kthehen në punë për tu përballur me virusin”, ka thënë ai.

Për sa i përket mungesës së mjekëve si pasojë e infektimit me koronavirus, nënkryetari Gjonbalaj, deklaroi se nuk kanë referime nga Klinikat që po ballafaqohen me mungesë të mjekëve.

“Nuk ka mungesë të mjekëve. Ditëve të fundit. Siç shihet edhe numri i madh i pacientëve në spitale. nuk dihet se çfarë do të ndodh pas dy jave, me këtë fushatë që po ndodh, ku partitë ptona politike nuk janë duke u kursyer askënd në tubimet që janë duke i mbajtur. Momentalisht nuk ka referime që po ka mungesa të mjekësve në Klinika”, ka pohuar Gjonbalaj.

Në ndërkohë para disa ditësh drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, konfirmoi se dy anesteziologë janë infektuar sërish me koronavirus në Kosovë.

Numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 61.688 raste nga 244.950 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, si dhe janë shënuar 1.519 raste të vdekjes.

Në ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 224 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 53.455 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.714.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat