Pas humbjes, Rugova reagon ashpër, kërkon shkarkimin e gardës së vjetër të LDK-së

Aktuale

Pas humbjes, Rugova reagon ashpër, kërkon shkarkimin e gardës së vjetër të LDK-së

Nga: M.H Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 09:19
Foto ilustrim

Ish-deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova përmes një shkrimi në facebok ka komentuar në lidhje me rezultatin e djeshëm të zgjedhjeve.

Rugova shkroi që ka tri fjali në lidhje me zgjedhjet, duke filluar me urimin e fitores së Kurtit e vazhduar pastaj me kërkesën për deputetëve të LDK-së për ta zgjedhur Osmanin president pasi hysteria e saj ishte vetëm për poste e përfitime personale.

Ndër të tjera ai kërkoi që garda e vjetër e LDK-së, të jap dorëheqje pasiqë elektorati ynë na ka dënuar dhe ky mesazh është kristal i qartë.

Sipas tij, të rinjtë dhe të ardhurit në parti, që e kanë ndihmuar këtë strukturë të vjetër brenda partisë sonë, duhet të reflektojnë dhe të mësojnë nga kjo përvojë, përcjell "Bota sot".

Postimi i plotë

Tre fjali për rezultatin dje.

1. Urime fituesit. Urojmë që Albini të mbajë premtimet dhe të mos viktimizohet më tutje. Tani e ka kohën që të përqafojë përgjegjësinë që ia kanë dhënë qytetarët dhe të mos aktrojë më.

2. Sa për Vjosën. Mendoj që deputetët e LDK-së duhet të rrinë në sallë dhe t’ia bëjnë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit. Është shumë me rëndësi që maskat të bien deri në fund dhe që, të gjithë ata votues të LDK-së që i besuan, ta kuptojnë se e tëra, gjithë histeria e saj, ishte vetëm për poste dhe përfitime personale. Në demagogjinë e saj nuk ka as edhe një pikë sinqeriteti dhe kjo do të shihet edhe më shumë në periudhën që kemi para.

3. I përshëndes deklaratat e Kryetarit Mustafa dhe Kryeministrit Hoti, megjithatë duhet ta theksoj që nuk kemi kohë për të humbur. Elektorati ynë na ka dënuar dhe ky mesazh është kristal i qartë. Zgjedhjet në total, por edhe disfata jonë në bastionet tona tregon që komplet garda e vjetër, që me vite tani po i ik reflektimit, duhet të japë dorëheqje dhe të largohen menjëherë. Të rinjtë dhe të ardhurit në parti, që e kanë ndihmuar këtë strukturë të vjetër brenda partisë sonë, duhet të reflektojnë dhe të mësojnë nga kjo përvojë. Ka ardhur koha të ndahemi përgjithmonë nga arroganca, narcizmi dhe egot e sëmura.

Le të reflektojmë, le të veprojmë dhe le të kthehemi më të fuqishëm se para.

LDK është pasuri fundamentale e këtij populli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat